Rama bie në prill, jo këtë vit!

Nga Endrit Shabani-
Shtatori iku. Iku edhe ky sezon protestash.
Berisha zotohej këtë verë se në shtator fillonin protestat deri në rrëzimin e qeverisë. Meta e coi një shkallë më tej, duke konfirmuar se në shtator do formohej qeveria teknike, menjëherë pas rrëzimit të Ramës përmes protestave.
Basha nga ana tjetër, që në 2015, çdo verë, para se të nisej me pushime, lëshonte ultimatumin se ‘laku në fytin e Ramës do shtrëngohej në shtator’.
Dhe sigurisht që në shtator nuk ndodhte asgjë, siç nuk ndodhi asgjë këtë shtator, dhe siç nuk ka për të ndodhur asgjë as shtatorët  e tjerë, sepse pushteti në Shqipëri nuk ndryshohet me protesta, por me zgjedhje.
Edhe në 1990 apo 1997 kur ka patur përmbysje të pushtetit, ato kanë ndodhur prej revoltave popullore, jo prej protestave të partive. Revolta nis nga poshtë lart, dhe shpërthen pa plan, në mënyrë të papritur. Protesta është e planifikuar dhe e organizuar nga lartë poshtë. Revolts nuk ka organizatorë, protesta ka podium.
Tani, a e di Berisha me Metën që në këto 25 vite pushteti në Shqipëri është ndërruar vetëm me zgjedhje? Sigurisht që e dinë. Ashtu siç e dinte edhe Basha dje.
Por, ju leverdis t’i krijojnë këto pritshmëri boshe për dy arsye:
E para që të mbajnë me gajret militantët e tyre, të cilët mezi durojnë deri në zgjedhje.
E dyta, sepse nuk duan të përballen me një të vërtetë të hidhur: Të marresh pushtetin me zgjedhje do të thotë të kthehesh alternativë qeverisëse, duke u premtuar shqiptarëve një qeveri më të mirë se sa kjo që duan të rrezojnë. Nuk ka mbetur shqiptar pa e kuptuar se Rama po kthehet në një sulltan lindor, duke iu marrë shqiptarëve pronat, pasurinë dhe të drejtën e vendimmarrjes. Por ai nuk po e bën këtë i vetëm. Ai po vjedh shqiptarët që të pasurojë një grusht me oligarkë.
Prandaj edhe rrëzimi i tij përmes votës, do të thotë tu ofrosh shqiptarëve një qeverisje pa oligarkë, që lufton pabarazinë, dhe që promovon demokracinë pjesëmarrëse.
Që ta bësh këtë do duhet të premtosh anullimin e kontratave koncesionare, dhe rikthimin e pronave publike qe sot jane zaptuar.
Po si mund ta bëjë Berisha me Metën këtë, kur kanë qenë ata që kanë nisur privatizimet e pronës publike?
Që të ofrosh një qeverisje më të mirë do duhet të premtosh që oligarkët do detyrohen tu rikthejnë shqiptarëve atë që iu kanë marrë, diku përmes konfiskimeve dhe diku përmes taksimit.
Po a mund ta bëjë Berisha me Metën këtë, kur oligarkët që ka Rama sot, janë majmur pikërisht në kohën e tyre?
Qe tu ofrosh shqiptarëve një qeveri më të mirë do të thotë të anullosh ndryshimet Kushtetuese të 2008, të promovosh demokracinë  pjesëmarrëse dhe të demokratizosh politikën shqiptare, duke nisur nga partite e tyre.
Po a mund ta ofroj këtë Berisha që në 32 vite nuk arriti do të linte një pasardhës? Apo Meta që ka 17 vite e mban partinë si biznes familjar?
Gjithësesi ky është halli i tyre.
Halli i shqiptarëve është të ndërtojnë në Shqipëri  atë që fëmijët e tyre po kërkojnë sot nëpër botë. Dhe keto zgjidhje vijnë vetëm përmes politikës, të cilën mund ta ndryshojmë përmes kutisë së votimit.
E thënë ndryshe: kjo qeveri nuk bie në sezonin e protestave këtë vit, por në periudhën e zgjedhjeve nga Prill në Qershor.

SHKARKO APP