Rama: Çdo shpifje në media kundër ministrave dhe deputetëve të PS do paditet në gjykatë

Kryeministri Edi Rama ka gati projektin ligjor kundër shpifjes në politikë dhe në media. Nisma që u ideua si një reagim ndaj akuzave të PD, do të ketë të njëjtin efekt dhe për mediat. Kryeministri Edi Rama ka dhënë disa detaje të para nga përmbajtja e projektligjit.

Në një shënim në Facebook ai shpjegon se “asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje. Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë”.

Veç deklaratave publike të deputetëve nga selitë e partive, projekti që parashtron Rama për miratim do të padisë dhe deklaratat në faqet e interneti dhe profilet në Facebook dhe rrjetet e tjera sociale. Nuk është e qartë nëse me shprehjen “profile zyrtare digjitale” kryeministri nënkupton dhe adresat e qytetarëve të zakonshëm në Facebook.

Nisma për rregullimin e mediave dhe sidomos atyre online është e domosdoshme. Por në ligje të tilla problem mbetet gjithmonë respektimi i lirisë së shprehjes. Mbetet të shihet projekti ligjor final i qeverisë, nëse kemi të bëjmë me një ligj që vërtetë lufton shpifjen, apo nisma shkon dhe më tej në heqjen e të drejtës për të kritikuar. Nga mënyra e parathënies se kryeministrit duket nervozitet dhe shantazh ndaj medias. Në rrjetet sociale ka të drejtë, por në mediat e tjera të shkruara dhe radiotelevizive duket se orvatet kot për të futur frikë, sepse janë korrekte. Toni kritik dhe investigues do të jetë më i egër pas këtij veprimi kryeministror.

Për ti dhënë përkrahje popullore këtij ligji ka gjetur një mënyrë djallëzore. Thotë se do jenë për Frontin e Edukimit gjithë lekët e fituara në gjyqe. Bile arrin atje sa do të krijojë Bord në PS dhe në grupin parlamentar, ku me paratë e fituara të mbushin zbraztinë e buxhetit të shtetit për arsimin dhe edukimin.

Taktikë shumë djallëzore! Megjithatë për portalet ka të drejtë se janë kthyer në makina mishi njerëzor, ku bluajnë çdo familje, emër dhe dinjitet qytetar.

Deklarata e plotë e kryeministrit në Facebook:

Edi Rama: Propozim për mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë:

ÇDO SHPIFJE NË FONDIN E EDUKIMIT

Asnjë ministër dhe asnjë deputet i Partisë Socialiste nuk do të tolerojë më asnjë shpifje.

Çdo shpifje të hedhur në drejtimin tonë nga kazani politik e mediatik, a qoftë edhe nga kazani i profileve zyrtare digjitale, ne do ta padisim në gjykatë.

Boll me përgënjeshtrime, boll me kundërpërgjigje, boll me debate televizive të sajuara për t’u bërë jehonë shpifjeve apo për të fituar audiencë e me zhurmën e fabrikës së baltës. Boll me këtë neveri që po helmon Shqipërinë dhe po rrënon çdo gur të themelit të edukatës e mirësjelljes qytetare, të cilin çdo familje e ndërton përditë me aq mund e durim për fëmijët e vet.

Çdo shpifje në gjyq!

Çdo lek i fituar nga një gjyq për shpifje, do të shkojë në Fondin e Edukimit. Ky fond do të krijohet prej nesh për të mbështetur çerdhet, kopshtet, bibliotekat e shkollave, nxënësit e mirë të çdo komuniteti, me libra, kompjutera apo materiale mësimore.

Fondi i Edukimit, do të garantojë që paratë e ardhura nga gjyqet që do të bëjnë kryeministri, ministrat, deputetët, kryebashkiakët socialistë apo të tjerë veprimtarë të forcës sonë politike të gjendur përballë një shpifjeje, të shkojnë në destinacion, mbështetur në propozimin e fituesit të gjyqit.

Fondi i Edukimit do të ketë një bord drejtues, të zgjedhur me propozimin dhe miratimin e mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar e qeverisë. Ky bord do të trajtojë propozimet e lartpërmendura dhe është e vetmja instancë që mund të vendosë tërheqjen nga një proces gjyqësor për shpifje.

Në Partinë Socialiste do të ngrihet menjëherë Departamenti Antishpifje, i cili do të koordinojë dhe ndjekë ecurinë e betejës sonë frontale ligjore kundër Shpifjes.

Kazanpolitika dhe kazanmedia, s’mund ta kthejnë Shqiperinë në kazan. Shpifësit duhet të paguajnë dhe ne nuk do t’i kalojmë më në heshtje apo me reagime politike, fëlliqësitë e tyre. Çdo shpifje ndaj nesh, do ta kthejmë në të ardhura për Fondin e Edukimit.

Ngarkohet një grup pune, për përgatitjen e dokumentave të themelimit dhe funksionimit të Departamentit Antishpifje dhe Fondit të Edukimit. Këto struktura duhet të jenë operacionale, menjëherë pas kalimit në Kuvend të Paketës Antishpifje.

Ky propozim është i hapur për kontributet e çdo pjesëtari të mbledhjes së zgjeruar, por edhe propozimet e çdo miku të këtij rrjeti social janë të mirëpritura.

Shënim për ju: Këshilli i Ministrave do të diskutojë së shpejti projekt-vendimin për reagimin e detyruar ligjor ndaj shpifjes, të çdo institucioni apo enti publik në Republikën e Shqipërisë.

SHKARKO APP