Edi Rama deklaron: Unë do jem prapë Kryeministër për 4 vitet e ardhshme

Edi Rama mbetet ekzemplar. Edhe kur është në ditët e tija, jo të mira, prapë gjeneron forcë dhe bind veten. Nuk i ka problem të tjerët. I shumëzon me zero.

Zgjedhjet parlamentare do të jenë me 18 Qershor 2017. Akoma nuk dihen koalicionet, nuk është konturuar “Poli i Tretë”, nuk ka sondazhe etj, por kryeministri i sotëm Edi Rama deklaron prerë dhe pa e vënë fare në dyshim se ai do të jetë kryeministri i pas zgjedhjeve 2017. Ai është i bindur se kështu mendojnë edhe të tjerët. Por a e ka pyetur LSI-në ? E ka të sigurtë fitoren edhe vetëm ? Apo e tha për presion ndaj PD-së, por mundet edhe për patnerin e tij në Koalicion, Ilir Metën. Nëse e tha kaq i bindur atëhere mund të ketë rënë dakort me LSI-në që të jenë prapë në koalicion dhe kanë ndarë postet: Njeri President Republike dhe tjetri Kryeministër.

“Askush nuk e vë në dyshim se ky projekt do të mbyllet gjatë mandatit të dytë dhe askush nuk e vën në dyshim se do të jem unë Kryeministër edhe për një mandat”, tha Rama gjatë nënshkrimit të një marrëveshje me Bankën Botërore për zhvillimin urban dhe turizmin.

Por akoma nuk ka folur Ilir Meta, realisht. Po e tha LSI, quhet e mbyllur. Por ka edhe aktorë të tjerë në terren. Eshtë dhe Ben Blushi. Dhe Kokëdhima i cili po gërryen boll tokë socialiste, duke e futur nëpër lumenjë. Edhe Lulzim Basha po luan mirë me hapjen e PD-së, çka nëse e realizon, ka të gjitha shanset për të marrë me tepër deputetë se sa mendon Edi Rama me sondazhet e tij.

Gjithsesi Edi Rama ka rëndësi që e tha atë që fantazon. Duke patur dhe një ministër financash si Arben Ahmetaj ka shanset ta marrë karriken e kryeministrit prapë në qershor 2017.

Nuk vonon dhe godet me brryl Ilir Meta: I bllokon ligjin e plehrave!

Nuk ka vonuar shumë, pasi Edi Rama e deklaroi veten prapë kryeministër për vitet 2017-2021, ka reaguar me finesë kryeparlamentari dhe kreu i LSI, Ilir Meta.  Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka hapur befas sot çështjen e importit të plehërave nga Shqipëria, e cila ka mbetur pezull në Kuvend pas kthimit mbrapsht të ligjit përkatës me dekret nga Presidenti.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit të Kuvendit me Universitetin e Tiranës, Meta u duk se bëri një autokritikë kur tha se kjo marrëveshje “vlen për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara”, – tha Meta.

Duke marrë si për shembull çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, Kryetari i Kuvendit nënvizoi faktin se sa i nevojshëm e i domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga studime, nga debate e nga kërkime: “Janë disa fusha mjaft të reja ku edhe ata të cilët japin mësim shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më deputetët, ku dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë. Dhe në këtë drejtim besoj se ky do të jetë një bashkëpunim afatgjatë. Jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë shumë më mirë se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju siguroj, por puna e tyre nuk duket shpesh,” tha Meta. Në fund, Kryetari i Kuvendit shprehu dëshirën e tij që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë”.

Pra indirekt , me brryl,  Ilir Meta i ka kujtuar se emrat e postet i vendosin qytetarët me votë dhe jo deklaratat politike.

FJALA E PLOTE E ILIR METES

Është një kënaqësi dhe krenari për mua që të firmos bashkë me Rektorin e Universitetit të Tiranës, profesor Konin, këtë memorandum bashkëpunimi pasi besoj se është një memorandum afatgjatë i bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Universitetit të Tiranës dhe besoj që do të jetë shumë më produktiv.

Së dyti, unë kam besim tek kapacitetet e jashtëzakonshme intelektuale, akademike, tek eksperienca e gjithë stafit tuaj akademik në Universitetin e Tiranës në të gjitha fushat.

Ne kemi patur një bashkëpunim shumë të mirë edhe pse jo të institucionalizuar në mënyrë shumë të qartë apo të programuar në mënyrë shumë të qartë. Një nga këto ka qenë bashkëpunimi në reformën në drejtësi ku shumë përfaqësues të shkencës së të drejtës që janë angazhuar në këtë reformë, të cilët janë edhe pjesë e universitetit tuaj, mjaft aktiv. Por unë jam i bindur që kjo përvojë duhet të jetë e programuar në mënyrë më të qartë, pasi vetë Kuvendi ka nevojë për më shumë analizë, për kërkime, për studime në vendimmarrje të rëndësishme që kanë impakte afatgjatë për zhvillimin e vendit.

Dhe padyshim që dyert e Kuvendit kanë qenë të hapura, por do të jenë akoma më shumë në të ardhmen për të gjithë studentët që dëshirojnë të bëjnë praktikat pranë Kuvendit të Shqipërisë.

Kam patur kënaqësinë të takohem me disa prej tyre dhe besoj që në të ardhmen ne do ta zhvillojmë në një mënyrë edhe më efektive këtë bashkëpunim dhe mbi të gjitha do të thosha se ne kemi nevojë për zhvillim të qëndrueshëm të vendit dhe për politika sa më të mençura.

Për të përfituar sa më shumë dhe për të patur kosto sa më të menaxhueshme, pasi dihet që shpeshherë vendimmarrjet kanë qenë edhe të nxituara, jo vetëm për shkak ndoshta ndonjëherë të vullnetit politik jo shumë të përgjegjshëm dhe të përmbajtur, por edhe për shkak të mungesës së njohurive të duhura në fusha të caktuara.

Ne po e vëmë re, për shembull sa i takon çështjes së mjedisit apo çështjes së mbetjeve, sa i nevojshëm e i domosdoshëm është paraprirja e vendimmarrjes nga studime, nga debate, nga kërkime, pasi janë disa fusha mjaft të reja ku edhe ata të cilët japin mësim shpesh kanë nevojë të azhornohen dhe jo më deputetët, ku dihet që ende Kuvendi ynë lë për të dëshiruar sa i takon cilësisë së përfaqësimit të drejtpërdrejtë.

Dhe në këtë drejtim besoj se ky do të jetë një bashkëpunim afatgjatë. Unë jam këtu me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, përgjegjëse për të gjitha shërbimet e Kuvendit, që funksionojnë shumë më mirë se sa funksion seanca plenare, për këtë dua t’ju sigurojë, por puna e tyre nuk duket shpesh.

Kemi disa sektor mjaft të rëndësishëm që po fuqizohen, sidomos ai i Kërkimit Parlamentar ku edhe bashkëpunimi mund të jetë shumë më i kualifikuar dhe më racional dhe t’i shërbejë më mirë perspektivës.

Në fund, do të dëshiroja që të gjithë forcat politike në zgjedhjet e vitit 2017 të gjejnë forca dhe mundësi për t’u përfaqësuar me sa më shumë intelektualë, akademikë, profesorë, pedagogë. Që fuqia e mendimit të tyre të mos vijë thjesht përmes ekspertizës, përmes këshillave, apo përmes dhe këtij bashkëpunimi, që ne do të nënshkruajmë sot dhe që do të mbetet për një kohë të gjatë, por të vijë edhe përmes një pjesëmarrje më aktive në vendimmarrje, pasi vendi ka nevojë, Kuvendi ka nevojë për këtë gjë. Ne e ndjejmë këtë, por natyrisht që mbi të gjitha vendi ka nevojë një përfaqësim cilësor të gjithë politikëbërjes dhe nga të gjithë forcat politike pa asnjë përjashtim.

Kështu që ju uroj suksese juve! Ju uroj suksese bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Universitet të Tiranës dhe ne do të jemi të hapur që këtë bashkëpunim ta shtrimë edhe me universitetet e tjera në vendi sipas edhe fushave edhe prioriteteve. Faleminderit ishte kënaqësi për të qenë me ju sot!

Reagon Arben Ristani për mandatin e dytë për kryeministër të Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani i është pëgjigjur Edi Ramës, pasi ky i fundit deklaroi sot se është i bindur që do të fitojë edhe një mandat të dytë si Kryeministër.

Përmes një fotomontazhi ironik, Ristani thotë se Rama ka shanse të fitojë zgjedhjet aq sa ka kryebashkiaku Armando Prenga të marrë çmimin Nobel për paqen.

“Keto jane ditet e fundit te Edi Rames ne pushtet. Aq sa i ka shanset Armando Prenga te marre cmimin nobel per paqen, aq i ka dhe ai per nje mandat te dyte. Le ti gezohet bandes se vete edhe per pak kohe”, shkruan në Facebook deputeti demokrat Arben Ristani.

Në fotomontazh është Kryeministri Edi Rama me disa prej kryebashkiakëve të akuzuar se janë me të kaluar kriminale, si dhe Kelmend Balili, i pagëzuar si “Escobari i Ballkanit”.

Image

 

SHKARKO APP