Rama: Depolitizimi i komisioneve ende mision i pamundur. Identifikimin elektronik le ta bëjë opozita

Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje nga negociatat me opozitën për reformën zgjedhore. Kryeministri tha nga foltorja e Kuvendit se arsyeja kryesore e sherreve dhe luftërave mes palëve politike në Shqipëri janë komisionet zgjedhore, pra ata që identifikojnë dhe numërojnë votat, të cilët janë të politizuar.

Kreu i qeverisë theksoi se depolitizimi i komisioneve ka qenë një ndër pikat kryesore që në raportin e parë të ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, ndërsa shtoi se edhe sot në vitin 2020 ky mbetet një mision i pamundur.

“E dinë të gjithë që problemi kryesor dhe arsyeja kryesore e sherreve dhe luftërave absurde janë komisionet. Kush identifikon dhe kush numëron. Dhe qysh se unë kam lexuar raportin e parë në jetën time të ODIHR, e deri në fund, është një fjali aty, depolitizimi i komisionit. E mbaj mend një zyrtar të ODIHR, kur erdhi aty e më tha: Si ka mundësi që vetëm këtu në Shqipëri nuk u arritka që komisionet, që identifikojnë votuesit, e që numërojnë votat, të mos u bëkan me njerëz të vendosur aty jo nga partitë? Ja që edhe sot që flasim ky duket mision i pamundur për fat të keq. Ne e kemi thënë që depolitizimi i komisioneve është i domosdoshëm”,- tha kreu i qeverisë.

Duke u ndalur te identifikimi elektronik, Rama u shpreh se është e pamundur që të arrihet në zgjedhjet e 2020-ës, por sipas tij, mazhoranca ka pranuar që të futet pjesërisht dhe në një pjesë të zonave të vijohet me tradicionalin. Sipas tij, PD mund të zgjedhë vetë një njeri dhe ta vendosë aty që të merret me teknologjinë, pasi mazhoranca nuk do ta kundërshtojë.

“Sa i takon identifikimit: Nga firmosja e kontratës deri te realizmi i sistemit elektronik duhet minimumi gjashtë muaj. Do duhet të votohet nga parlamenti gjithë struktura e KQZ së re, që është komplet model tjetër. Kontrata kur të bëhet në janar, në shkurt fillon puna për të bërë sistemin, dhe pastaj do të bëhen zgjedhjet në pranverë. Ne pranojmë të hyjë identifkimi elektronik për aq sa arrihet dhe pjesa tjetër të vazhdojë me mënyrë tradicionale dhe PD ta gjejë një njeri, ta zgjedhë nga dhomat e SHQUP, nuk na intereson fare sa i depolitizuar apo i politizuar është, ta vendosë aty me votën tonë, që të merret me teknologjinë. Le ta bëjnë vetë, që mos thonë pastaj ‘jo qafiri andej, jo ndrikulla këtej’. Nuk duam fare të hyjmë në këtë proces, ta marrin elektronikën, ta bëjnë vetë, ne jemi ok”,- u shpreh Rama.

SHKARKO APP