Rama dhe Vasili: Të përmbysim Ramën me çdo kusht e mjet, nëse PS zgjedh kryeprokurorin

Dy drejtuesit e LSI, zv/kryetari Luan Rama dhe kreu i deputetëve, Petrit Vasili kanë reaguar ashpër sot për procedurat që po ndjek mazhoranca për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri vetëm me votat e PS.

Zëvendëskryetari Rama shprehet se mos ngritja e Këshillit të Prokurorisë për faj të shoqërisë civile ka krijuar terrenin e favorshëm për Partinë Socialiste. Ndërkohë, kreu i deputetëve të LSI, Vasili thotë se nëse Edi Rama do të zgjedhë vetëm me votat e PS kryeprokurorin, ndaj thekson ai “atëherë në vend do të ketë një banditizëm kriminal që duhet rrëzuar me përmbysje”.

Reagimi i plotë i Luan Ramës:

“Do të duhej të ishin ngritur me kohë institucionet e reformës në drejtësi, e ndër to, do të duhej të ishte ngitur e të kishte nisur punë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Mirëpo, siç është thënë edhe sot në mbledhjen e grupit kuvendar të Partisë Socialiste, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është ngritur ende, sepse shoqëria civile, që në shqip do të duhej thënë shoqëria qytetare, nuk ka zgjedhur ende kandidaturat që ajo duhet të përcaktojë për në këtë organ të lartë, pa të cilin nuk mund të funksionojë organi i Prokurorisë!
Thënë ndryshe e më shqip, shoqëria civile është bërē pengesë për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë! Ngjan si paradoks, nëse sjellim në vëmendje presionin e madh, pozitiv e të drejtë të protestave të shoqërisë civile para Kuvendit e me praninë edhe të disa ambasadorëve në meskorrikun e vitit 2016, pikërisht që politika e më së pari Kuvendi të miratonin reformën në drejtësi, ndërkohë që protestuesit e djeshëm na rezulton të jenë bllokuesit e sotëm!
Mosngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka çuar edhe në krijimin e problemit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Sepse në bazë të Kushtetutës, ndryshuar me konsensusin e plotë të 140 deputetëve në kapëcyell të 22-23 korrikut 2016 dhe nën duartrokitjet e përqafimet diplomatike nga llozhat e sallës së Kuvendit, vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka tagrin kushtetues të shprehet e të vendosë për Prokurorin e Përgjithshëm!
Kësisoj, nuk është e vështirë të kuptohet përgjegjësia e shoqërisë civile në këtë rast, e cila duke u bërë pengesë për krijimin e KLP, i ka krijuar terrenin e nevojshëm maxhorancës ta kthejë në tepsinë e vet edhe Prokurorin e Përgjithshëm, përmes zgjedhjes së një të përkohëshmi! Duke mos e konsideruar të qëllimtë këtë rastësi,  e përballë këtij realiteti papërgjegjshmërie e mungese serioziteti në angazhimet për jetësimin e reformës në drejtësi, çka në fakt e ka kompromentuar e korruptuar që në nisje reformën në drejtësi, lipset ndihma e ambasadorëve, siç kanë bërë në fakt sa herë që të mandatuarit e këtij vendi nuk kanë ushtruar përgjegjësitë e tyre! Pra, pas negociatave pafund me përfaqësuesit politikë para miratimit të reformës në drejtësi, le të negociojnë tani me shoqërinë civile që të zgjidhet problemi i KLP! Se larg qoftë, nga meraku për reformën në drejtësi mund të ndodhë që tepsimaxhoranca të bëjë protestë para shoqërisë civile! Ndoshta nuk do të ishte keq në këtë rast edhe një opinion nga EURALIUS dhe OPDAT!…”.

Vasili: Nëse Rama e zgjedh vet kryeprokurorin, përmbysje me çdo mjet

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar sot për qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, lidhur me zgjedhjen e kryeprokurorit. Në një reagim në Facebook, Vasili shprehet se nëse Edi Rama e zgjedh vetëm me votat e tij kryeprokurorit, atëherë “ndaj këtij banditizmi ka vetëm një përgjigje: përmbysje pa asnjë hezitim me çdo mjet e mënyrë. Shteti ligjor ne rrezik, kjo eshte emergjence kombetare!”,- shprehet Petrit Vasili.

Deklarata e Petrit Vasilit:

“Kryeministri do qe te vjedhë kryeprokurorin, shteti ligjor ne rrezik. Ky kryeministri flet dhe thote: s’e paska qartësisht të drejtën ta zgjedhe prokurorin e përkohshëm.

Kush ia dha kete te drejte narkotrafikanteve? Ky nuk ka asnje te drejte as Kushtetuese as Ligjore.

Kuvendi i Shqiperise, sherbimi i tij juridik shpjegon qarte dhe me shkrim se duhen 84 vota.

Ku i ka kryeministri 84 vota? Apo shpjegimet qe nuk i pëlqejnë nuk i mban mend, i mohon, i refuzon?

Ka konsensus te plote me opoziten dhe qe nga sot le te kthehemi ne Kuvendin e Shqiperise dhe te rregullojme ligjet e bera cope-cope nga ai dhe sufleret e tij, qe nuk flasin shqip.

Ndryshe, ne se e zgjedh vete kryeprokurorin, ky kryeminister shnderrohet perfundimisht ne bandit politik dhe mazhoranca e tij ne nje shumice kriminale antiligj dhe antishtet. Ndaj ketij banditizmi ka vetem nje pergjigje: permbysje pa asnje hezitim me cdo mjet e menyre. Shteti ligjor ne rrezik, kjo eshte emergjence kombetare!”.

SHKARKO APP