Tërhiqet Rama nga burgu për shpifjet. Kërkon gjoba “sa frëngu pulën të paguajnë”

Kryeministri i rikthehet një idej të tij të kahershme. Prej dy ditësh, Edi Rama debaton përmes medieve sociale me opozitën në lidhje me çështjen e Xhisiela Malokut, duke paralajmëruar demokratët se do të propozojë një paketë ligjore antishpifje.

Burime nga mazhoranca tregojnë se socialistët po shikojnë mundësinë, që shpifja të rikthehet si pjesë e veprave që dënohen nga Kodi Penal. Për këtë, të njëjtat burime saktësojnë se mazhoranca po i referohet si shembull modelit gjerman. Ndërkohë Berisha në mandatin e tij të dytë 2005-2013 e hoqi nga Kodi Penal, ndërkohë kryeministri Rama synon ta rikthejë.

Në Gjermani, shpifja konsiderohet vepër penale që dënohet deri edhe me burg. Kodi Penal gjerman, nga i cili duket se po frymëzohen socialistët, ka edhe një nen të posaçëm për shpifjen ndaj personit që vepron në arenën politike, thënë ndryshe ndaj politikanit.

Neni 188 parashikon se, “kur shpifja kryhet publikisht në një takim apo përmes shpërndarjes së materialeve të shkruara, kundër një personi të përfshirë në jetën politike, bazuar në funksionin e atij personi në jetën publike, e nëse kjo mund të sjellë vështirësi thelbësore për aktivitetin e tij publik, dënimi duhet të jetë nga 3 muaj deri në 5 vite burg. Një shpifje e qëllimshme në të njëjtat kushte dënohet nga 6 muaj deri në 5 vite”.

Për momentin, nga mazhoranca nuk sqarohet nëse do t’i referohen modelit gjerman vetëm në frymë apo edhe në gërmë. Ajo që saktësohet është se, propozimi do të përjashtojë aktivitetin e gazetarëve dhe medias. Nga PD thonë se ky është rikthim i nenit famëkeq 55 të kohës së diktatorit Hoxha.

Një nismë të ngjashme për kriminalizimin e shpifjes, socialistët e tentuan edhe në vitin 2015, por u tërhoqën pas presioneve edhe ndërkombëtare, ku spikati OSBE-ja, që shfaqën shqetësim se kjo do të penalizonte punën e gazetarëve.

Shpifja ka qenë pjesë e Kodit Penal në Shqipëri deri në vitin 2012, kur qeveria “Berisha” asokohe, pas një këmbëngulje të fortë ndërkombëtare, e hoqi veprën nga Kodi Penal, duke e kaluar në një çështje që trajtohet në kuadër të Kodit Civil, siç është edhe aktualisht.

Por sonte në darkë vonë kryeministri ka postuar një mesazh se nuk do të harxhojmë supë burgu për shpifësit, duke nënkuptuar se nuk do të ketë ndryshime në Kodin Penal, por do të ketë gjoba të mëdha. Shprehja e tij “do paguajnë sa frëngu, pulën” nënkupton se po përgatitet për një paketë antishpifjesh me gjoba shumë të rënda.

SHKARKO APP