Rama: Durimi ynë me PD ka një limit. Meta: Nesër raundi i dytë për Presidentin

Raundi i parë për zgjedhjen e kreut të shtetit është zhvilluar pa kandidat. Mazhoranca nuk paraqiti kandidat, në pritje të propozimeve me Partinë Demokratike. Pas dështimit të votimit, konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare vendosi që raundi i dytë për zgjedhjen e kreut të shtetit të zhvillohet nësër.

Pas seancës Kreu i Kuvendit ka bërë apel për dialog dhe gjetjen e një zgjidhje. Meta tha se çdo vonesë e fut vendin në qorrsokak. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se mazhoranca i ka votat për kreun e shtetit, por po i jep një mundësi opozitës për tu bërë pjesë e procesit me kandidatura të saja. Kreu i Kuvendit tha se vendi ka nevojë për normalitet dhe zgjedhje normale.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka komentuar sot krizën politike në vend dhe bojkotin e opozitës. Rama u shpreh se së bashku me LSI i kërkuan KQZ-së shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve, për t’i dhënë një mundësi dialogut me Partinë Demokratike.

Kreu i qeverisë shtoi se kërkesa për dialog ka qenë një qëndrim i hershëm i mazhorancës dhe për këtë arsye së bashku me aleatin Ilir Meta ka kërkuar ndërhyrjen e Partive Popullore Europiane.

Rama tha se do të presim opozitën me durim për dialog, por shtoi se edhe durimi ka një kufi. “Nëse Partia Demokratike nuk hyn në zgjedhje do të jetë përgjegjësi e saj. Çdo përpjekje e jona për dialog ka një fund dhe fundi i përpjekjes tonë është data e regjistrimit të kandidatëve”,- tha kryeministri Edi Rama.

Sipas Kodit Zgjedhor listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit duhet të dorëzohen në brenda datës 2 maj. Pas këtij afati, duket se Kryeministri Edi Rama është i vendosur të shkojë në zgjedhje edhe pa opozitën.

Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri i vendit Edi Rama tha se votat në Kuvend për ta miratuar nuk mungojnë, por se janë të duruar për të zgjedhur një President të paanshëm. Rama tha qeveria i ka lënë të gjitha hapësirën e nevojshme Partisë Demokratike, por se këta të fundit nuk kanë paraqitur një kandidat. Kreu i qeverisë shpjegoi dhe karakteristikat që duhet të ketë figura presidenciale duke u shprehur se kërkojnë që t’i kthejnë atij institucioni dinjitetin.

“Sot ishte një tjetër shprehje, ne sikundër e kemi thënë më parë, për t’i dhënë të gjithë hapësirën brenda kornizës kushtetuese, brenda rregullave të lojës demokratike të PD, dhe atyre që bashkë me të që janë , nuk paraqitën një kandidat se duam të krijojmë mundësinë që të gjejmë me atë pjesë që na mungon në parlament një konsensus për një figurë presidenciale. Unë jam i duruar se besoj te durimi kur është kufiri i durimit, përsa i përket Presidentin duam t’i kthejmë atij institucioni dinjitetin, figurë që të ngrihet mbi palët, dhe të ketë paanshmëri, dhe jo figurë të anshme si kjo që kemi. Ne do presim, më mirë një President i duhur e i pranuar nga sa më shumë. Ne nuk e kemi kuptuar asnjëherë fuqinë tonë, si motiv për të qenë arrogant, por për të qenë të duruar”, tha Rama.

SHKARKO APP