Rama: Eshtë koha për të folur për koalicionin me LSI. Po pres takimin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se koalicioni PS-LSI ka ndërmarrë reforma që nuk janë bërë për 20 vite. Në një intervistë për TVSH-në, Rama theksoi se shumë shpejt palët do të ulen për zgjedhjet e ardhshme.
“Ka shumë kritika, rezerva, ankesa, në rutinën e përditshme për funksionimin e koalicionit, etj-etj. Por nëse do të merrnim pak distancë dhe do të shikonim të gjithë panoramën e këtyre tre viteve të para të bashkëpunimit tonë, do të shikonim që ky koalicion dhe kjo shumicë qeverisëse ka bërë reforma që nuk janë bërë për 20 e kusur vite dhe ka siguruar ecjen hap pas hapi në këtë rrugë reformash me probleme minimale, në kuptimin e kompaktësisë. Dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Pra, ka shumë gjëra për të përmirësuar në funksionimin e përditshëm të koalicionit, por ka një gjë të rëndësishme për të vlerësuar për këtë koalicion, që është kapacitetit për te garantuar një program serioz reformash shumë të thella qe hap pas hapi do na japin rezultate të dëshiruara dhe do e bëjnë koalicionin të vlerësohet pozitivisht përtej problematikave që, sigurisht janë e kërkojnë adresim”,- tha Rama.
Ai shtoi më tej se: “Përsa i përket mandatit të ardhshëm, unë e kam thënë e do e përsëris që është koha dhe shumë shpejt ne do të ulemi për të diskutuar në mënyrë të hapur, gjithmonë në mënyrë të drejtpërdrejtë lidhur me bilancin e deritanishëm, lidhur me sfidat e kësaj faze të fundit të mandatit dhe lidhur me zgjedhjet e ardhshme për të patur qartësi të plotë, jo vetëm mes nesh, por dhe me publikun mbi ecurinë e mëtejshme, për të mos konsumuar energjitë e njerëzve me gjëegjëza që mund t’iu vlejnë vetëm atyre që jetojnë përditë me krijimtarinë e botës së informacionit, por nuk u vlejnë të tjerëve”.
Ndërsa pyetjes se kur do jetë i afërt takimi me Metën, Rama shtoi: “Është koha dhe ne po presim për këtë.”
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=5Rr7eaH9-e4″ width=”560″ height=”315″]