Rama fajëson rektorët për protestat e studentëve dhe kërcënon universitetet: Do t’ju heq autonominë!
Protesta e studentëve ka nisur për kushte më të mira arsimore dhe më shumë fonde nga qeveria për universitetet. Për të zbutur protestat Edi Rama është përpjekur këto 10 ditë që të ndërmarrë nisma qeveritare. Por nxitimi i Kryeministrit për të mposhtur studentët, në vend t’u sjellë kushte më të mira, ka mundësi të bëjë që universitetet të humbasin edhe ato pak liri që kanë sot.
Kryeministri deklaroi gjatë takimit të zhvilluar sot me rektorët e universiteteve se do të shikonte mundësinë e heqjes së autonomisë, pasi sipas tij, një pjesë e abuzimeve vijnë nga stafet drejtuese të universiteteve.
Në pamje të parë deklarata e Ramës duket se tregon se qeveria do të vendosë rregull, por heqja e autonomisë do të thotë shumë më tepër sesa kaq. Autonomia e universiteteve është një e drejtë kushtetuese dhe ligjore e stafeve akademikë të universiteteve. Është gjithashtu dhe një e drejtë universale e trupës që drejton universitetet në gjithë vendet e botës.
Kur flitet për autonomi nuk kuptohet vetëm mënyra sesi përdoren paratë në këto institucione, por edhe liria e vendimmarrjes dhe drejtimi i gjithë aktivitetit të universitete dhe studentëve.
Një nga shqetësimet e pedagogëve dhe studentëve ka qenë se universitet janë shumë të varura nga politikat e Ministrisë së Arsimit dhe Qeveria e kjo prodhon probleme në funksionim.
Tani kryeministri jep si zgjidhje marrjen edhe të asaj pak pavarësie që ekziston. Edi Rama e tha prerë se pas kësaj universitetet nuk do jenë këto që ishin deri më sot në kompetenca.
Kryeministri gjithë faturën e protestave dhe pakënaqësive të drejta të studentëve ua kaloi universiteteve dhe rektorëve. Ai tha se pakënaqësia lidhet me ata dhe jo me qeverinë, por shuplakat po i merr qeveria.
Në takimin ku foli vetëm kreu i qeverisë dhe jo përfaqësuesit më të lartë të arsimit në vend, kryeministri gjithë fajësinë për situatën në të cilën ndodhet sot arsimi e kaloi ose të rektorët që sipas tij kanë abuzuar me fonde dhe nuk kanë informuar studentët për reformën. Gjithashtu ai i bëri përgjegjës ata edhe për mos informimin e studentëve, duke lënë të kuptohet se sipas tij studentët nuk e dinë se për çfarë po protestojnë. Përgjegjës bëri dhe qeverisjen e Sali Berishës për reformat e dështuara në arsim, por në asnjë rast kryeministri nuk pranoi se qeveria e tij kishte sadopak përgjegjësi për situatën në të cilën ndodhen sot universitetet.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/303424756946973/