Rama fillon përgatitjet për zgjedhjet vendore, ndërsa opozita pa lider dhe me dopio “nongrata”!
Nga Lindita Kokoli-
Nga muaji prill apo maj 2023 Shqipëria do të shkojë në zgjedhje të përgjithshme vendore. Ndërkohë mazhoranca ka filluar përgatitjet me takime, përzgjedhje, sondazhe, etj për ti fituar këto zgjedhje.
Edhe takimet e djeshme dhe të sotme të kryeministrit Rama me kryebashkiakët e vendit, takime të ndara në qarqe, i shërbejnë këtij qëllimi.
Tirana ku do të jetë qendra e betejës së madhe zgjedhore, e ku do të përqëndrohet krejt artileria e opozitës, duket e blinduar me Erion Veliajn.
Nga ana tjetër opozita akoma nuk ka një qendër, një lider dhe po merr nga jashtë vendit goditje pas goditje, të cilat e ç’orientojnë opozitën. Dje pas SHBA ishte Mbretëria e Bashkuar që goditi me çekiç kokës kryetarit të PD-së.
Nga selia blu thonë se nuk duan t’ia dijnë për këtë nongrata të dytë, por kjo do të lerë shenja në elektorat, aq me tepër që në fushën e opozitës zbret Ilir Meta ditën e hënë. Meta pranon bashkëpunimin me PD, por jo lidershipin nongrata!
Sejcili është lider në mendjen e tij, ndaj do të jenë bashkë, ndonëse me qëllime të ndryshme. Së fundmi duket se Ilir Meta e ka rregulluar disi me amerikanët e ambasadës së rrugës së Elbasanit. Nuk dihet a është manoner amerikane që të mbajnë larg Metën nga “nongrata” dopio, Sali Berisha.
Por sido të jetë Meta nuk ka nongrata. Kriza në opozitë shtohet se Berisha ka ushtri, por nuk ka spaleta gjenerali, se ia kanë hequr anglo-amerikanët! Ndërsa Meta ka spaleta, por nuk ka ushtri!