Kryeministri Rama fluturon me “Air Albania” me krahët e Erdoganit
Pas shumë vitesh Shqipëria do të ketë më në fund një kompani ajrore me simbolet kombëtare. Avioni i parë i “Air Albania” i pagëzuar me emrin “Lasgush”, në nder të poetit Lasgush Poradeci, zhvilloi dje fluturimin e parë në aeroportin “Nënë Tereza”. Në një ceremoni spektakolare, të kuruar me detaje që nga kostumet e stjuardesave dhe deri të ngjyra e avionit që thuhet se janë ideuar nga kryeministri Edi Rama, “Lasgushi” kreu udhëtimin nga Stambolli në Tiranë. Kreu i qeverisë e cilësoi këtë si nisjen e një epoke të re të aviacionit shqiptar, si dhe një projekt që do të sjellë shërbim modern për qytetarët shqiptarë dhe ajo që është më e rëndësishmja çmime të ulëta. Ceremoninë që kryeministri e cilësoi si sukses të qeverisë e bënte edhe më emocionuese flamurin kuq e zi si dhe solemniteti i simboleve kombëtare. Por për të shtuar dhe më shumë dozën e emocioneve patriotike, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Air Albania” është dhurata për qytetarët shqiptarë në vitin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dhuratë nga Presidenti turk Erdogan në vitin e Heroit Kombëtar që mposhti turqit duke mos i lenë në kulmin e fuqisë së tyre të pushtonin Europën e krishterë.
Për gjithë qytetarët shqiptarë ngritja e një kompania kombëtare është një lajm i shumëpritur për dhjetra vite. Të gjithë shqiptarët që udhëtojnë nga Rinasi e dinë sesi vidhen nga kompanitë e huaja me çmimet marramendëse. Po ashtu të gjithë e dinë sesi shqiptarët mashtrohen nga kompanitë e huaja për destiancionet në mënyrën më të shëmtuar. Hapja e një linje shqiptare është lajm i mirë edhe për arsye të sigurisë. Një pjesë linjave që operojnë në Tiranë me shumë se avionë janë baraka fluturuese që një zot e di sesi janë lejuar të ngrihen në ajër. Për këto dhe shumë arsye të tjera çelja e një kompania shqiptare është lajmi më pozitiv që mund të vinte për udhëtarët.
Por veç propagandës qeveritare dhe nxitjes së etheve patriotike me flamurin kuq e zi, ajo që kryeministri Edi Rama e cilësoi si dhuratë për vitin e Skënderbeut është më shumë sukses i kompanive turke sesa i qeverisë shqiptare. “Air Albania” nisi si një premtim i Edi Ramës pas takimit me presidentin turk Rexhep Tayp Erdogan. Kryeministri dhe zyrtarët e qeverisë theksojnë në çdo deklaratë se investimi është kryesisht shqiptar dhe paketa e kontrolluese e aksioneve është në dorë të palës shqiptare. Në dokumentet e themelimit të kompanisë rezulton se qeveria shqiptare, me anë të shoqërisë shtetërore Albcontrol ka 10 përqind të aksioneve. 41 përqind të aksioneve i përkasin kompanisë së themeluar në Vlorë në muajin maj 2018, “MDN Investment” me pronar biznesmenin, Sinan Idrizi, aktivitetet kryesore tregtare të të cilit ndodhen në Turqi. Ndërsa 49 përqind të aksioneve zotërohen nga pala turke dhe konkretisht kompania “Turkish Airlines”. Pala shqiptare thotë me mburrje se ka shumicën e aksioneve 51 përqind, por në dokumentet e regjistrimit administratori i kompanisë nuk është as shteti shqiptar dhe as biznesmeni vlonjat, por shtetasi turk, Sinan Dilek. Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe “Turkish Airlines” i jep kompanisë turke dukshëm pozicion favorizues. Veç administratorit që është caktuar nga pala turke, një pikë e kontratës thotë se nëse kompania shqiptare “MDN Investment” nuk përmbush detyrimet, ajo mund të zëvendësohet me një tjetër ortak që pranohet nga “Turkish Airlines”.
Sigurisht që Turqia është një partner i rëndësishëm ekonomik dhe strategjik i Shqipërisë ndaj financimi i këtij projekti tregon marrëdhëniet shumë të mira mes qeverisë “Rama” dhe presidentit turk Rexhep Tayyp Edrogan. Ramës i duhet njohur merita për aftësitë negociuese në këtë marrëveshje, por jo për propagandën që po bën këto ditë. Investimi nuk është tregues i fuqisë ekonomike të qeverisë së tij dhe as biznesit vendas. Avioni i “Air Albania” fluturoi dje nga Rinasi me bekimin e Edi Ramës, por me “krahët” dhe “karburantin” e Rexhep Tayyp Edrogan. E vetmja që dha Edi Rama në këtë projekt janë vetëm ngjyrat e flamurit kuq e zi.
Gjergj Kastriot Skenderbeu i ndali turqit nga toka, kurse sot Erdogan fluturon me avionin e tij “Air Albania” mbi malet shqiptare.
Qamil Xhani