Rama: Grekët marrin përgjigjen, Koha kur na tregonin arat ka marrë fund
Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë nësër një fjalim të rëndësishëm në Kuvend, në lidhje me marrëdhëniet me Greqinë dhe tensionet e ditëve të fundit mes dy vendeve për Himarën.
Në rrjetin social Facebook, Edi Rama, teksa i ka kthyer përgjigje një qytetari, thotë se të gjithë qëndrimet që kanë mbajtur institucionet dhe mediat greke për Shqipërinë këto ditë, do të marrin përgjigje në Parlament.
“Nesër në Kuvend do ta marrin përgjigjen time për sa kanë thënë këto dite, fqinjët tanë të vjetër e të dashur , me të cilët duhet dhe duam të kemi marrëdhënie të shkëlqyera! E që t’i kemi të tilla, na duhet patjetër të jemi të hapur, të vërtetë e të barabartë me njeri – tjetrin! Sepse koha e fqinjit të pasur që i tregonte arat fqinjit të varfër ka marrë fund mes nesh”,- shkruan Rama.
Gjatë ditëve të fundit, Ministria e Jashtme greke dhe mediat kanë hedhur akuza të ashpra në adresë të kryeministrit dhe qeverisë shqiptare. I gjithë ky sulm ndaj Ramës nisi me të ashtuquajturën “Çështje e Himarës” ku prishja e 19 shtëpive të familjeve të deklaruar me kombësi greke është kundërshtuar me forcë nga eksponentë të Athinës zyrtare.
Ajo që ndezi edhe më shumë situatën ishte edhe hedhja nga Rama e një fotoje të Akropolit ku duke iu referuar historisë kryeministri ynë shkruante se: “Nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.”
Lajme të tjera për këtë argument:
Mediat Greke: Kryeministri shqiptar, Edi Rama po i hedh benzinë zjarrit
Tensionohen marrëdhëniet. Athina thërret ambasadorin shqiptar
Greqia: Udhëheqja shqiptare, konceptim të rremë të historisë