Rama i përgjigjet Bildt: Shqipëria qëndron si shkëmb. Po ndërtojmë shtet
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një postim në Twitter bashkëkryesuesit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, Carl Bildt.
“I dashur Carl Bildt, Shqipëria qëndron si shkëmb! Ne po ndërtojmë shtet dhe askush nuk na largon nga rruga jonë drejt drejtësisë, rritjes dhe punës”,- shkruan Rama.
Dje zyrtari i KE deklaroi se Shqipëria është në prag të një kolapsi politik me një postim në profilin e tij në Tëitter. Ish-ministri i Jashtëm suedez komenton zhvillimet në Ballkan, duke postuar një artikull për thirrjet e opozitës për mosbindje civile, pas dështimit të BE-së për të negociuar fundin e krizës. Me komentin “Situata në Maqedoni është e keqe, ndërsa edhe në Shqipëri është në prag të një kolapsi politik”, Bildt ka zgjedhur të publikojë një artikull të “Tirana Echo” për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit, ndërsa udhëheqësi i opozitës u bën thirrje mbështetësve të bëhen gati për mosbindje civile në të gjithë vendin.
“Thirrja për mosbindje civile shënon një kapitull të ri të bojkotit 66-ditor të opozitës në Parlament dhe protestës së pandërprerë përballë zyrës së kryeministrit Rama”,- thuhet në artikullin në anglisht të “Tirana Echo”, të postuar nga politikani suedez.
Por shqetësimit të Carl Bildt, një politikan i njohur në BE dhe arenën ndërkombëtare për kolapsin politik të Shqipërisë, Rama i është përgjigjur me qëndrimin e njohur se Partia Socialiste po bën shtet.
Por pavarësisht kësaj, fakti është se në zgjedhjet e 18 qershorit PD ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. Ndërsa në selinë blu kanë nisur përgatitjet për një skenar mosbindje civile që nuk dihet se sesi dhe kur do të përfundojë.