Edi Rama ia dha fjalën Ben Blushit, por nuk u ngrit të qetësonte sallën

Deputeti socialist Taulant Balla ka zhvilluar një bisedë me Ben Blushin, para incidentit që shoqëroi takimin për “Rilindjen Urbane” në drejtimin e PS në Elbasan.

Gjatë kohës që Peleshi fliste për projektin “Rilindja Urbane”, ku janë cituar dhe projektet që Bashkia e Elbasanit ka përfituar, Edi Rama është parë t’i jepte porosi Taulant Ballës, që t’i jepte fjalën edhe Ben Blushit në këtë takim. Mësohet se Balla kishte komunikuar në telefon me Blushin për ta pyetur nëse donte të fliste në takim dhe pse salla parashikohej të mos e mirëpriste. Por Blushi ka këmbëngulur që të flasë edhe pse e ka parë atmosferën në disfavor të tij. Sapo ka mbaruar Peleshi, Taulant Balla i është drejtuar sallës duke kërkuar që jashtë axhendës së këtij takimi fjalën t’ia jepte kolegut Blushi. Fishkëllimat e të pranishmëve nuk e kanë aprovuar, por Blushi është ngjitur në podium. Për pak minuta ai nuk ka mundur të nisë fjalën e tij për shkak të thirrjeve dhe fishkëllimave. “Fërshëlleni sa të doni, por duhet të më dëgjoni”. Ai i është drejtuar Kryeministrit Rama duke e akuzuar drejtpërdrejt: “Pse e ke mbushur këtu me banditë që kërcënojnë deputetët? Shpjegoju këtyre njerëzve pse nuk do të votohesh? Je i vetmi kryetar partie në botë me mandat 7 vjeçar nga Kuba në Korenë e Veriut. Shpjegoju këtyre njerëzve pse s’kanë rroga më të larta, pse s’kanë asistencë më të larë, pse s’kanë punë dhe çmime të ulëta. Nuk bëre asgjë për të varfrit”. Sipas tij, PS është kthyer në parti të një njeriu. “Partia Socialiste nuk është pronë e një njeriu të vetëm. I drejtohem Ramës tani këtu përballë: Përse nuk do zgjedhje? Nuk vij në Elbasan, sepse ndihem i turpëruar. Nuk kam frikë të them të vërtetën, fërshëlleni sa të doni”, ka thënë Blushi. Edi Rama disa herë i ka kërkuar të pranishmëve të pushonin, por kjo nuk ka dhënë asnjë rezultat. Blushi u është përgjigjur edhe atyre që fishkëllenin, madje njërin prej tyre e ftoi edhe në podium që t’i përgjigjej.

Me pas deputeti Blushi ka vazhduar :” Ka ulërima, por nuk ka asamble, ka duartrokitje, por nuk ka kryesi, ka banditë si puna juaj, por nuk ka demokraci. Mos më kërkoni mua llogari, sepse nuk kam qeverisur unë për tre vjet, por ky këtu (Edi Rama)”, është shprehur Blushi.

Pas Blushit, në formë replike, fjalën e ka marrë përsëri deputeti Balla, i cili i ka kthyer përgjigje. Koordinatori i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, i kujtoi kolegut të tij kritik se ka qenë i ftuar të jetë pjesë e fushatës së PSsë për Bashkinë e Elbasanit, por ka qenë ai që e ka refuzuar, madje nuk e ka uruar as për fitoren, por, përkundrazi, shkroi një libër kundër tij dhe qytetit të Elbasanit. Më pas takimi është mbyllur, ndërsa Ben Blushi është vënë nën mbrojtjen e grupit të shoqërimit të Kryeministrit Rama për të shmangur çdo lloj incidenti të mundshëm. Ndërkohë grupi antiBlushi në sallë është rrethuar nga forcat speciale, që të mos godisnin Blushin.

Edi Rama ka vepruar shumë mirë që i ka dhënë fjalën Blushit, por ka bërë të madh, që në kohën kur fliste Blushi duhej të kishte dalë në podium dhe t’i kishte kërkuar leje Blushit dhe t’i drejtohej sallës që “nuk dua asnjë fishkellimë apo sharje. Duhet ta dëgjojmë edhe mendimin e zotit Blushi!”. Kjo do të qetësonte sallën si dhe do ti shtonte shumë pikët Edi Ramës në publik. Rama  shquhet për gjetje interesante, ndaj mbetet e çuditshme se si nuk e ka shfrytezuar dje që të dilte mbi Blushin, duke folur sallës që ta dëgjojë Blushin.

Një rast që i iku Ramës, por që e shfrytëzoi përbukuri Blushi.

 

SHKARKO APP