Edi Rama: Krichbaum, deklarata destruktive, nuk përfaqëson askënd
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10154224804291523/
Deklaratat e deputetit të mazhorancës gjermane të CDU/CSU, Gunther Krichbaum, për kryeministrin shqiptar Edi Rama janë deklarata destruktive, që dikush po i përdor për politikën e brendshme të tyre, por nuk kanë lidhje domosdoshmërisht me Shqipërinë.
Në “Komunikimin e Javës” online në rrjetet sociale, Kryeministri Rama duke nenkuptuar deklaratat e forta te Krichbaum sapo deklaroi që deputeti njëherësh, kryetar i Komisionit për Çështjet Europianë në Bundestag gjerman, nuk përfaqëson askënd nga koalicioni i tij.
Rama e quajti deputetin gjerman “zë të huaj” që nuk flet në emër të Parlamentit, por mban një qëndrim personal.
“Këta zëra të huaj që ngrihen mund të përkojnë me nevojën e PD, por nuk përkojnë me qasjen e përgjithshme të vendeve anëtare, por as me nevojën e parlamenteve të tyre për t’u shprehur në këtë fazë.
Nuk jemi në momentin e përcaktimit të datës. Thonë cfarë thonë sot deputetë të ndryshëm, kjo në këtë moment nuk ka pikë rëndësie, sepse rëndësi ka çdo të thotë Këshilli Europian”, është shprehur Kryeministri Edi Rama për deputetin e Bundestagut gjerman.
Më tej Kryeministri Rama tha se presim datën 9 dhjetor ku do te vendoset nga Keshilli i Ministrave. Fjala e tij duket se ka plot mllef ndaj atyre që po punojnë kundër pranimit të Shqiperise si kandidat për në BE.
Rama përmes vargjeve të Faik Konicës iu drejtua me këtë mesazh deputetëve shqiptarë.
Rama: Një fjalë e fundit, jo për deputetët e huaj, ata në fund të fundit janë në hallin dhe punën e tyre, por për këta tanët: Levantinët dhe karanxho të Faik Konicës që këta javë u hodhën përpjetë prej fletërrufeve në gjuhë të huaj kundër Shqipërisë me një ngazëllim që i ngjante entuziazmit për golin e fitores të Kupës së Botës nga kuqezinjtë e De Biasit.
Shqipëria ka parë gjithnjë në historinë e saj bejlurçinë e dallkauzë të tillë, pa dinë e as iman, agallarë e qehajaj që për fe kanë gënjeshtrën dhe për atdhe kanë pushtetin. Xhahilë e servilë që nuk kanë nguruar as ti vënë flakën dhe as ta bëjnë copë në sytë e botës këtë vend për t’u nxjerrë sytë kundërshtarëve këtu brenda dhe për ta përçarë këtë popull me thikën e prapambetjes. Njerëz që kanë bashkëpunuar me dreqin e me të birin në histori për të mos e lënë Shqipërinë të zhvillohet dhe të rritet jashtë sferës së interesave të tyre të vogla dhe të frikërave të tyre të mëdha. Këta nuk janë as të parët dhe as të fundit që i bien në qafë këtij vendi duke bërë sikur e mbrojnë me të madhe në interesat e tij.
Ndryshimi i vetëm është se levantinët dhe karanxhot e sotëm kanë dhe tmerrin e frikës nga reforma në drejtësi. Nga drejtësia që mund ta vonojnë, por nuk mund ta bëjnë kurrë që ti harrojë ata dhe padrejtësitë e këtyre ndaj këtij populli.
(Shiko Videon)