A mund të jetë Edi Rama prapë kryeministër pa votat e Ilir Metës?

 

Fitorja e zgjedhjeve në SHBA nga kandidati republikan Donald Trump ka shkaktuar jo pak paqartësi se cila do të jetë politika e jashtme e presidentit të ri amerikan me shtetet e tjera, sidomos me BE. Këto paqartësi ekzistojnë dhe në Shqipëri, për shkak të qëndrimeve antiTrump që u mbajtën nga Kryeministri Edi Rama gjatë fushatës zgjedhore. Tashmë që zgjedhja e Trump është fakt dhe gjithë bota po përgatitet për 4 vitet e mandatit të tij në Shqipëri kanë filluar hamëndjet e shumta. Në Tiranë media, opinioni publik, por edhe rrjetet sociale kanë nisur thashethemet se administrata e re e Shtëpisë së Bardhë nën drejtimin e Donald Trump mund të mos ia harrojë Ramës deklaratat që ka bërë në mediat ndërkombëtare. Është një debat që bazohet vetëm në hamendje dhe niset nga mëndësia ballkanase e hakmarrjes. SHBA-ja funksionon ndryshe, ndaj është supërshtet. Nuk mban mend se ç’thuhet në fushatë. Çfarë nuk tha Obama për Trump, por mënjëherë e takoi, folën, u përqafuan dhe biseduan kokë me kokë. Problemi është se sa je në agjendën gjeostrategjike të Trumpit. Nëse “po” e kalove lumin. Nëse “jo” nuk merret me ty ose të lë ta kalosh lumin vetë, nëse ke vota në vendin tënd.

Në këtë vorbull thashethemesh në mënyrë direke kryeministri Rama është pyetur dje nga një komentues anonim në Facebook për ndëshkimin që e pret nga Trump. “O Daku po si the për Trump. Mos e dhant Zoti që të bohet president. Po tashi si do ja bosh, 2017 po vjen me shpejtësi, ike plaku mere ike!!!”,- shkruan komentuesi me emër fals në adresën e Kryeministri në Facebook. Pavarësisht stili dhe gjuhës direkte është një pyetje që në forma të ndryshme e kanë bërë këto ditë jo pak deputetë të PD-së duke shfrytëzuar zgjedhjet në SHBA, si një mundësi për të sulmuar kryeministri Edi Rama. Bile edhe nga radhët e PS-së nëpër klubet e ish-Bllokut.

Dhe reagimi i Kryeministrit dje në rrjetet sociale është një përgjigje jo vetëm për lexuesit online me emra anonimë, por edhe për opozitarët dhe mediat që thonë se zgjedhja e Trump është edhe largimi i Ramës. “Ke parë shumë filma të Kinostudios ti Eagle Black, mire ke bere, po realiteti është ca me ndryshe, prandaj qesh e kënaqu me filmat po jo aq shume sa të mërzitesh në 2018-en kur të jemi prapë duke komunikuar këtu bashkë”,- shkruan Kryeministri.

Në këtë mënyrë, Edi Rama jo vetëm që hedh poshtë zërat që flasin për penalizim indirekt nga Shtëpia e Bardhë, por edhe konfirmon se do të jetë sërish në detyrë si kryeministër. Jo rastësisht Rama nuk përmend vitin 2017 kur janë zgjedhjet në muajin qershor. E thekson se do të jetë sërish si Kryeministër në vitin 2018. Pra nuk ka dyshime, sipas tij, në fitoren e mandatit të ardhshëm dhe drejtimin e qeverisë po nga ai.

Këtë tha mbrëmë Edi Rama. Por mundet që këtë deklaratë  publike në facebook e ka thënë nëse ka rënë dakort me Ilir Metën. Duket se koalicioni PS-LSI duhet të jetë ngjitur për 2017-2021, pasi nuk ka asnjë logjikë tjetër që e mban atë kryeministër edhe në vitin 2018, siç pohoi me ironi. Me sa duket LSI ka filluar negociatat e fshehta me Ramën për mënyrën e bashkëpunimit për zgjedhjet e reja. Nëse nuk janë askurkund në bisedime i bie që Rama ka folur kuturu dhe do ti kushtojë me karriken e kryeministrit që para majit 2017 kur PD ka vendosur se nuk hynë në zgjedhje me Ramën kryeministër.

Një gjë mbetet e saktë në realpolitikën e sotme shqiptare; që pa lejen e LSI zor se e shikon më karriken e kryeministrit pas zgjedhjeve të reja parlamentare, gjithnjë nëse futen bashkë në zgjedhje PS-LSI. Nëse futen të ndarë si koalicione, Rama dhe Meta, atëhere  Donald Trump me anë të lobeve që punojnë përherë në Uashington nuk do ta harrojë seriozisht çka ka thënë lideri socialist për Trumpin, tashmë Presidenti më i fuqishëm i botës.

PS me asnjë parti apo partiza nuk e merr dot pushtetin pa LSI. Por edhe mundet nëse “bashkëjeton” me Lulzim Bashën e PD-në pas zgjedhjeve 2017.

SHKARKO APP