Rama: Kryeprokurorja e Përgjithshme dhe Ministrja e Drejtësisë të japin dorëheqjen
Nga Luan Rama.
Më lejoni t’ju informoj mbi diskutimin që zhvilluam në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LSI-së për çështjet që kanë të bëjnë me rendin e ditës së seancës së radhës të Kuvendit të Shqipërisë, por natyrisht edhe me çështje të tjera që kanë ndjeshmëri dhe rezonancë publike dhe politike me rëndësi për opinionin. Përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me rendin e ditës, ne diskutuam me shumë seriozitet edhe në detaje të gjithë axhendën e seancës së Kuvendit, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek projektligjet që qeveria ka sjellë, për të insistuar në më shumë informacion, për të zbardhur detaje që kanë të bëjnë me këto projektligje për marrëveshje të caktuara, pasi vihet re një papërgjegjshmëri, mungesë serioziteti dhe mungesë vlerësimi për të garantuar të gjithë informacionin e nevojshëm që i duhet vënë në dispozicion Kuvendit, për të vlerësuar dhe gjykuar mbi bazën e këtij informacioni në vendimmarrjen për votimin ose jo të këtyre projektligjeve. Ndërkaq në mbledhjen e Grupit Parlamentar, natyrshëm që u bë objekt diskutimi edhe skandali I madh I denoncuar prej ditësh, jo vetëm nga autoritete me përfaqësim publik dhe politikë, por edhe nga media në vend, pra skandali I madh shtetëror i ekstradimit të Nazar Seitajt, i ashtuquajturi financier i grupit Habilaj. Jemi përballë një situate skandaloze. Jemi përpara një fakti shumë të rëndë, të papërgjegjshmërisë shtetërore, dhe më keq akoma, jemi përballë një situate ku shteti I kundërvihet drejtësisë, ku shteti mban anën e krimit dhe ku shteti përmes autoriteteve të veta të nivelit të lartë të përfaqësimit politik shtetëror, bëhet palë me narkotrafikantët, duke hequr nga dora e drejtësisë shqiptare të vetmin dëshmitar të akuzuar, apo pjesëtar të trafikut të lëndëve narkotike. Çfarë ka ndodhur? Në kundërshtim me ligjin procedurial penal të Republikës së Shqipërisë, pra në kundërshtim me kodin e procedurës penale, më konkretisht me nenet 490 e në vazhdim, është ekstraduar për në Itali ky shtetas, ndërkohë që ndaj tij kishte një hetim të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndërkohë që ndaj tij kishte masë arresti me burg nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe në këtë mënyrë përmes urdhërimit të ekstradimit të tij, është hequr nga duart e drejtësisë shqiptare ky personazh i botës së krimit. Ndërkohë që e gjitha kjo çon në dëmtim, në moslejim apo në pengim të hetimit të çështjes më tej në vijim. Në mënyrë paradoksale, Prokuroria e Përgjithshme deklaron që nuk kishte dijeni që ky person gjendej nën akuzë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ashtu sikundër të njëjtën gjë bën edhe Ministria e Drejtësisë. Papërgjegjshmëri është shumë pak ta konsiderosh këtë sjellje, por këtu kemi të bëjmë me një bashkëveprim të organizuar dhe të qëllimtë për të penguar Prokurorinë dhe drejtësinë shqiptare që të hetonte deri në fund dhe të zbardhte çështjen e trafikut të lëndëve narkotike. Ky është një skandal i madh. Natyrisht në kushte të tjera, në kushte normale, të një vendi normal, të një qeverisje normale, edhe Prokurori I Përgjithshëm, edhe Ministri I Drejtësisë, më e pakta do të kishin dhënë dorëheqjen. Natyrisht në kushte normale ata nuk do ta kryenin këtë ekstradim, por duke qenë se jemi përpara faktit të kryerjes së këtij veprimi, haptazi në kundërshtim me ligjin, haptazi në kundërshtim me autoritetin që ka organi i akuzës për të hetuar dhe çuar përpara drejtësisë personin e arrestuar, përgjegjësia është e drejtpërdrejtë e Prokurores së Përgjithshme dhe e Ministres së Drejtësisë. Sepse në bazë të ligjit, Ministri i Drejtësisë është autoriteti që ka përgjegjësinë të kryejë verifikim të detajuar të të gjithë gjendjes ligjore, gjyqësore, të personit nën akuzë dhe vetëm pasi të konsultohej me të gjitha institucionet e tjera që kanë atribute për të dhënë vlerësime dhe rekomandime për këtë çështje, do të duhej të vendoste. Kjo është njëra anë. Ana tjetër pastaj që e bën edhe më të rëndë përgjegjësinë nxitimi për ta bërë sa më shpejt këtë procedurë, dhe mbi bazën e këtij realiteti, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të vazhdojë me shumë seriozitet, me shumë përgjegjësi, duke shfrytëzuar të gjitha instrumentat ligjor parlamentar, procesin e zbardhjes dhe verifikimit për të çuar tek ndëshkimi ligjor i të gjithë personave përgjegjës. Duke përdorur natyrisht, të gjitha atributet që na jep ligji, Rregullorja e Kuvendit, përmes komisioneve parlamentare, përmes seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve në Kuvend, të interpelancës në Kuvend, përmes thirrjes në Kuvend edhe të Prokurores së Përgjithshme për të informuar Kuvendin dhe deri tek një Komision i posaçëm Hetimor parlamentar, në mënyrë që ky skandal i madh shtetëror të zbardhet përfundimisht dhe personat përgjegjës të shkojnë përpara drejtësisë. Më lejoni të specifikoj që nuk jemi përballë një gabimi, nuk jemi përballë një shkelje administrative, por jemi përballë një faji, jemi përballë në vlerësimin tonë, një situate, ku ka vend për t’u investuar deri në përgjegjësi penale për të gjitha ata që janë bashkëfajtorë në ekstradimin e paligjshëm të shtetasit Nezar Seitaj. Edhe njëherë dua ta theksoj, në asnjë vend normal nuk mund të ndodhte kjo gjë, por në një vend me qeverisje të papërgjegjshme, nën peshën e autoritetit të krimit dhe të narkotrafikut, shteti ka zgjedhur të mbaj anën kundër krimit, shteti është bërë me krimin, dhe shteti dhe krimi bashkë kundër drejtësisë. Këtë do të prodhonte natyrisht mënyra e paligjshme e emërimit të Prokurores së Përgjithshme dhe këtë do të prodhonte natyrisht kapja politike e Reformës në Drejtësi.
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda nxjerr bllof Arta Markun për ekstradimin e Nazer Seitaj
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj ka reaguar për çështjen e ekstradimit të Nazer Seitajt në Itali. Në një prononcim për Panorama, Hajdarmataj tregon se vendimi i Gjykatës që bllokonte ektradimin ishte në sekretarinë e burgut “Jordan Misja” në Tiranë ku po mbahej Seitaj.
“Jemi në një fazë analize të rastit, si nga Krimet e Rënda, ashtu edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më vonë do të kemi një qëndrim lidhur me këtë çështje.
Nga verifikimet që kemi bërë ne si Prokurori e Krimeve të Rënda, rezulton se të dyja vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë qenë të depozituara në burgun ku gjendej personi në fjalë. Sigurisht, që ai nuk mund të ekstradohej, por për këtë çështje do të kemi një qëndrim të mëvonshëm, pasi të përfundojë analiza”, tha kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Me këtë deklaratë Hajdarmataj ka nxjerrë bllof Arta Markun, sepse nga verifikimet e Prokurorisë së Përgjithshme faji iu la prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe të Tiranës, që nuk ishin koordinuar, sipas saj, me njëra-tjetrën për dy procedimet që kishin nisur për “financierin” e Habilajve.