Rama largon “gardën e vjetër”, ikën dyshi i Këshillit të Ministrave, njeriu që firmoste pa u dukur!
Pushtetet e gjata krijojnë gjithmonë një kategori njerëzish që nuk dalin në skenë, por pa të cilët skena nuk funksionon. Ata nuk mbajnë fjalime, nuk japin intervista dhe nuk kërkojnë protagonizëm. Roli i tyre është më i rëndësishëm: të bëjnë që vendimet të ekzistojnë juridikisht.
Për më shumë se një dekadë, një nga këta njerëz në kryeministri ishte Ëngjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.
Njeri fjalëpak, por që thurte gjatë letrat e qeverisë!
Titulli i tij administrativ ishte teknik, por funksioni real ishte tjetër: ai përkthente vullnetin politik në dokument zyrtar. Në një sistem ku politika shpesh ecën më shpejt se ligji, dikush duhet ta kapë ligjin nga krahu dhe ta sjellë deri te vendimi. Kjo ishte detyra e tij.
Prandaj nuk binte në sy.
Dhe pikërisht për këtë arsye qëndroi gjatë.
Por në Shqipëri, njeriu që shkruan aktin mban edhe barrën e tij kur akti bëhet problem. Sidomos kur politika vendos të ndajë përgjegjësitë.
Thirrjet e përsëritura në SPAK nuk ishin më rutinë administrative. Ato sinjalizuan diçka tjetër: zhvendosjen e përgjegjësisë nga vendimmarrja te procedura. Pra nga urdheruesi, te zbatuesi e hartuesi i letrave.
Në teori, vendimet e mëdha janë kolektive — produkt i një mekanizmi me ekspertë, institucione dhe filtra. Në praktikë, kur lind hetimi, mekanizmi zhduket dhe mbetet vetëm njeriu që ka shkruar letrat.
Pas shumë vitesh bashkëpunimi, largimet nuk ndodhin sepse njerëzit bëhen papritur të padobishëm. Ndodhin sepse bëhen të rrezikshëm. Jo politikisht, por juridikisht kur ke pas SPAK-un!
Sa më gjatë që zgjat një qeverisje, aq më shumë rritet nevoja për distancë nga e shkuara e vet. Dhe distanca nuk krijohet me deklarata, por me zëvendësime.
Në këtë kuptim, largimi i Agaçit nuk është thjesht një lëvizje administrative. Është një mesazh: sistemi po ndryshon mënyrën si shpërndan përgjegjësinë.
Sepse në politikën shqiptare firmat nuk janë kurrë të askujt… derisa dikush duhet të përgjigjet për to.
E duket se SPAK-u ka kapur fillin…
Lëmshi po fillon e zgjidhet!
Deri tani zyrtarisht SPAK nuk ka bërë publik një akuzë konkrete ndaj Ëngjëll Agaçit dhe ai nuk është shpallur i pandehur. Ai është thirrur disa herë në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat (pra dëshmitar / person në dijeni), jo si i akuzuar.
Megjithatë, nga deklarimet e tij vetë dhe nga konteksti i çështjeve që SPAK po heton prej vitesh, thirrjet lidhen kryesisht me Inceneratorin e Tiranës
Kjo është arsyeja që është pranuar publikisht edhe nga vetë Agaçi.
Hetimi lidhet me procedurat vendimmarrëse në Këshillin e Ministrave, përfshirë: dhënien e bonusit 8% për kompaninë e koncesionit, procesin e shqyrtimit juridik të dokumenteve para firmës së kryeministrit, verifikimin ligjor të ekzistencës së kompanisë dhe dokumentacionit, rolin e Sekretarit të Përgjithshëm si garant i ligjshmërisë së akteve qeveritare, qarkullimin e dosjes brenda aparatit të kryeministrisë.
Pra nuk po hetohet si politikan, por si zyrtari që certifikon procedurën ligjore të vendimi, pra përgjegjësia administrative për aktet e Këshillit të Ministrave.
SPAK po kërkon të kuptojë:
kush kontrollon ligjshmërinë para firmës së kryeministrit
kush mban përgjegjësi kur akti rezulton i paligjshëm
nëse aparati juridik ka dhënë dakordësi të rreme ose pa verifikim
Kjo është thelbësore sepse në praktikë sekretari i përgjithshëm është “filtri i fundit ligjor”.
Mekanizmi i vendimmarrjes (jo vetëm një firmë)
Prokuroria nuk po heton vetëm një dokument, por skemën se si një vendim i madh financiar kalon nga ide politike në akt juridik e direkt në kontratë.
Agaçi konsiderohet hallka që lidh këto tre nivele.
SPAK nuk po heton Agaçin për korrupsion personal të provuar publikisht, por për rolin e tij në legalizimin procedural të vendimeve të dyshuara të paligjshme, kryesisht në aferën e inceneratorit të Tiranës.

KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?
Results
Vota totale: 20623

