Edi Rama mbërrin në Kongres me atlete
Atij i pëlqen të tërheqë vëmendjen e të tjerëve kur shkojnë vonë nëpër mbledhje e konferenca. Përpiqet të hiqet më “i saktë” se një zviceran. Por sot në Kongresin e PS mbërriti vetë me vonesë. Kjo është një tjetër shenjë, ndonëse e vogël, që kryeministri Rama tjetër thotë e tjerët bën. Ai kishte zgjedhur të ishte sportiv; me kostum, por pa krevatë. Dhe me atlete. Si në ato takimet me investitorët kinezë, ku shfaqej me këmishë me lule. Për Kongresin është kujdesur vetë, në detaje, siç bën gjithnë. Me detajet që tërheq vëmendjen ndaj asaj që dëshiron.
Fjalën hapëse ia la të përzgjedhurit të tij, Erion Veliaj. Prezantimin e “sfilatës” së të huajve që e përshëndetin udhëheqjen e tij të PS dhe të Shqipërisë kush do ta bënte më mirë se Taulant Balla, i besuari që lexon me pathos çfarë i vënë përpara? Ai prezantoi disa mesazhe, përfshirë edhe atë të Toni Blerit, i cili është kontraktuar nga qeveria shqiptare si këshilltar i Edi Ramës. Një kontratë që s’është bërë kurrë publike. Edhe Bler e lavdëroi nominalisht Ramën. Kjo ishte nisja e Kongresit. Një lumë lavdërimesh, asnjë kritikë, si për të mbytur debatet që pritet të shpërthejnë gjatë diskutimeve për ndryshimet statutore.