Edi Rama në Dibër: Nuk iki nga kryeministër pa bërë Rrugën e Arbërit

Edi Rama në mitingun e mazhorancës në Dibër për prezantimin e kandidatit për kryetar Bashkie tha ndër të tjera se kur të lodhem nga detyra e kryeministrit me hallet e shumta të Shqipërisë nuk iki askurkund përveçse në shtëpi me Lindën, me Zahon dhe kalamajtë e tjerë.

Por sapo deklaroi këtë sa me thamë me sipër, siç duket e pa se bëri gabim, Edi Rama mënjëherë shtoi se nuk do të ikte nga detyra e kryeministrit pa mbaruar Rrugën e Arbërit. Por duke e ditur se kjo rrugë nuk mbaron edhe dy vite, kohë kur pas një viti janë zgjedhjet e reja parlamentare, ai pohoi se nuk kishte ndërmend të ikte nga kryeministër edhe mandatin tjetër, gjithnjë nëse fiton e majta.

Edi Rama e deklaroi fort faktin se “nuk do të ikte nga kryeministër pa mbaruar Rrugën e Arbërit”. Me sa duket kryeministri foli për ata që rrijnë në selitë politike e diplomatike në Tiranë.

Ishte mesazh edhe për Ilir Metën se nuk do ta lëshojë kollaj kolltukun e kryeministrit.

Fjalimi i Kryeministrit në Dibër:

Ju e keni dëgjuar shumë përpara se ne të vinim këtu, që në këtë garë mund të ishim më pak. Në fakt, ne në këtë garë jemi më shumë!

Kur hyra, u ndjeva shumë i emocionuar nga mikpritja juaj e jashtëzakonshme, e cila është në të njëjtën kohë, një detyrim më i madh për ju, sepse unë e di shumë mirë që ajo që ne kemi mundur të bëjmë është shumë pak, në krahasim me atë që ju keni nevojë. Por më bëri përshtypje dikush atje, që më përshëndeti me dy  gishta dhe thashë shumë faleminderit, sepse këtu nuk është vetëm Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, PDIU-ja, por janë edhe demokratët, e ardhur për të mbështetur Ramën e duhur për Dibrën.

Kështu që i ftoj edhe nga këtu, të gjithë ata simpatizantë të Partisë Demokratike, mbështetës dhe votues të Partisë Demokratike, që mes një burri të mirë, por të  lodhur, që është momenti të dalë në pension dhe një kandidati që është këtu në mesin tuaj, të gjithë sëbashku të zgjidhni Muharrem Ramën. Dibra nuk është vendi i duhur për t’u kthyer, për të dalë në pension.

Dibra është vendi i duhur për të përveshur mëngët dhe për të vazhduar një punë të nisur, por që duhet e do ta shumëfishojmë sëbashku.

Ditën që do lodhem me problemet e pafundme të Shqipërisë që kemi trashëguar, unë sigurisht që nuk do marr rrugën për të shkuar asgjëkund, përveçse në shtëpinë time, bashkë me Lindën, Zahon dhe me kalamajtë e tjerë.

Përsa i takon rrugës së Arbrit, Rama tjetër tha një fjalë shumë të vërtetë, që në 20 e ca vjet, të gjithë e kemi premtuar dhe nuk e kemi bërë. Unë e kam premtuar, por akoma nuk mund të thoni që nuk e kam bërë. Sigurisht, unë kam barrën që të bëj gjërat që dëshirojnë të gjithë partnerët e koalicionit, – kjo është detyra ime dhe unë nuk ankohem për këtë detyrë, sepse e kam marrë me dëshirë dhe vullnet të madh, – por unë po ju them këtu, që unë nuk do të largohem nga zyra e Kryeministrit, pa bërë Rrugën e Arbrit.

Në fakt, kjo që thashë nuk është një dëshirë apo një premtim, si ai që bëra, kur erdha këtu në vitin 2013, bashkë me miqtë e mi për fushatën zgjedhore, për rrugën e Arbrit.

Kjo që thashë lidhet me atë që kemi bërë ne deri tani për rrugën e Arbrit. Nuk kemi ndenjur duarkryq. Kemi negociuar për pothuajse 3 vite rresht me qeverinë kineze, një kontratë të arsyeshme. Një kontratë të arsyeshme, në mënyrë që rruga të bëhet realitet, çka nuk ishte e mundur në fillim të punës sonë. Sepse në vend që të bënim rrugën e Arbrit, në vend që të bënim dhe shumë rrugë të tjera, ne duhet të merreshim me malin e borxheve që na kishin vënë në mes të rrugës sonë të saponisur dhe me rrugët e lëna rrugëve nga ata, të cilët e kanë stërpremtuar rrugën e Arbrit dhe faktikisht nuk e bënë.

Të gjithë prindërve që janë këtu, unë dua t’i sjell një shembull shumë të thjeshtë.

Këtu në Dibër ka papunësi, ka varfëri, ka probleme nga më të ndryshmet dhe mbi të gjitha ka familje e prindër që duan më të mirën për fëmijën e tyre. Cili prind do të zgjidhte të gjitha problemet e shtëpisë së vet, duke marrë borxhe në gjithë shtëpitë e tjera të lagjes apo të fshatit dhe pastaj, jo vetëm duke mos jua garantuar anëtarëve të familjes mirëqenien për të cilat i merr borxhet, por duke rrezikuar t’i lëri dhe pa shtëpi, për shkak të borxheve.

Kjo ishte Shqipëria që gjetëm në vitin 2013. Një vend i kërcënuar nga kolapsi financiar për shkak të një mali me borxhe dhe nga kolapsi energjetik për shkak të një situate në prag të falimentimit.

Ne kemi shlyer borxhet dhe kemi shlyer jo pak, por aq borxhe sa do të mjaftonin për të bërë një rrugë tre herë më të gjatë sesa rruga e Arbrit.

Ndërkohë që, nëse ata të cilët sot kanë kurajon të vijnë prapë në Dibër e të thonë na jepni votën për bashkinë, nuk do na kishin lënë gjithë ato borxhe, sot do kishim mbaruar edhe rrugën e  Arbrit, edhe aq kilometra sa trefishi i rrugës së Arbrit nëpër Shqipëri.

Sidoqoftë, ky nuk është një justifikim, por është vetëm një shpjegim. Unë ju siguroj edhe një herë tjetër, që për Dibrën, kjo shumicë do të mbetet në histori, sepse do bëjë rrugën e Arbrit.

Ne kemi filluar një punë të rëndësishme dhe e kemi filluar siç e kemi filluar kudo, nga qendrat e bashkive të reja. Paralelisht me qendrat e bashkive të reja kemi filluar edhe një punë të madhe për shkollat, për çerdhet, për kopshtet dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë punë.

Nëse puna këtu në Dibër filloi jo në vitin 2013, as në vitin 2014, por vetëm në vitin 2015, për të bërë projektet që tani janë në rrugën e realizimit dhe të tjerat do t’i realizojmë sëbashku me Muharremin, kjo nuk ishte sepse qeveria nuk donte të investonte që në fillim në bashkinë e Dibrës, por sepse këtu në bashkinë e Dibrës, ju kishit një kryetar që nuk donte t’ia dinte për Peshkopinë dhe për dibranët, por donte t’ia dinte vetëm për punët e veta.

Vota juaj për Muharremin do të jetë  vazhdimi i një pune të nisur, i një pune që ne nuk duhet në asnjë mënyrë të lëmë përgjysmë këtu në Dibër dhe nuk duhet ta rrezikojmë me figura të lodhura, që meritojnë nderime në prag të daljes në pension.

Vota juaj për Muharremin do të jetë vazhdimi një pune të nisur, i një pune që ne nuk duhet në asnjë mënyrë ta lëmë përgjysmë këtu në Dibër dhe nuk duhet ta rrezikojmë me figura të lodhura, të cilat meritojnë nderime në prag të daljes në pension.

Sot, ne erdhëm për këtë prezantim publik të një njeriu që nuk ka nevojë për prezantim.

Unë për shkak të detyrës e njoh prej shumë vitesh edhe Dibrën, edhe dibranët. E di shumë mirë që është shumë vështirë t’i bësh të gjithë shqiptarët bashkë në një mendje, kur vjen puna për të gjykuar një njeri. Është edhe më e vështirë t’i bësh të gjithë dibranët bashkë në një mendje, kur vjen punë për të mbështetur një njeri. E unë nuk kam parë kurrë më parë bashkë, kaq të unifikuar mendimin e dibranëve për një kandidat, saç e shoh sot për Muharremin.

E sigurisht që kjo është në radhë të parë, merita e tij. Është nderi ynë, i të gjithëve ne që dolëm dhe folëm këtu, që sot t’i japim mbështetjen një mikut tonë, një mikut tuaj, një njeriu që e ka ndërtuar jetën, familjen, karrierën këtu në Dibër dhe nuk i ka thënë kurrë “plaç” njeriu, por ka bërë çmos që t’i qëndrojë pranë çdokujt këtu.

Ju siguroj për një gjë, që ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë gjithçka për të gjithë. Por në radhë të parë, për të rinjtë dhe për fëmijët e këtij vendi, pa harruar të moshuarit, jeta e të cilëve është në muzgun e saj.

Do të bëjmë gjithçka që Shqipëria e Gjeneratës Tjetër të jetë një Shqipëri e mirë për të gjithë fëmijët që lindin në Dibër, që rriten në Dibër dhe që nuk do të kenë arsye për të ikur pa e kthyer kokën nga Dibra. Por edhe nëse do të largohen për të studiuar apo për të punuar, gjithmonë do të ndihen mirë kur të kthehen në vendlindjen e tyre, sepse ne do të bëjmë për Dibrën, atë që nuk është bërë në 20 e ca vjet, të marra së bashku.

Mund të mos jetë gjithçka, por besoj që nëse bëjmë këtë, ne e  kemi bërë detyrën tonë. Nevojat janë të pafundme, mundësitë nuk janë të pafundme. Por ndryshimi midis nesh dhe kundërshtarëve tanë është se ne nuk do të lëmë asnjë mundësi pa shfrytëzuar për të mirën e këtij vendi, për të mirën  e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi dhe për të mirën e fëmijëve që lindin në këtë vend.

Nëse do të kemi bërë këtë, do të kemi kryer me nder detyrën tonë.

Jam i bindur se vota juaj në 11 shtator për Muharrem Ramën, është një garanci se puna nuk do të ndërpritet, por do të vazhdojë me më shumë ritëm dhe që të gjithë së bashku kemi bërë detyrën tonë. Detyra juaj është të zgjidhni Muharremin, detyra jonë është që së bashku me Muharremin të bëjmë gjithçka mundemi që të plotësojmë sa më shumë nga nevojat tuaja.

Shumë respekt dhe të jeni të sigurtë që më herët se vonë, Peshkopia dhe Dibra do të bëhen ashtu siç tha dikush nga parafolësit, një lagje e Tiranës sonë.  Shumë faleminderit!

SHKARKO APP