Kryeministri Rama në Kongresin e Hebrenjve

Kryeministri Edi Rama ndodhet këto ditë në SHBA, i ftuar në konferencën vjetore të AIPAC, Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite. Konferenca zhvillohet në Uashington D.C nga datat 4-6 mars. Kryeministri Rama është në listën e të ftuarve që do të mbajnë fjalim përshëndetës në këtë konferencë.

Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite është organizata më e fuqishme pro-izraelite lobuese në SHBA dhe në botë. Në panelin e folësve këtë vit janë edhe zëvendëspresidenti i SHBA-ve Mike Pence, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, ambasadorja e SHBA-vë në OKB Nikki Haley, etj, senatorët Tom Coton, Robert Menendez, Marco Rubio, si dhe mjaft personalitete ndërkombëtare. Ky komitet është lobuesi më i madh pro izraelit në kongresin dhe qeverinë e SHBA. Gjithashtu ky komitet është ndër lobuesi kryesor që ka mbështetur SHBA dhe Presidentin Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. AIPAC është e para organizatë e hebrenjve në SHBA që e përshëndeti vendimin e Donald Trump për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit dhe e quajti historik këtë vendim. Në faqen zyrtare të saj, në programin e aktiviteteve organizata thekson se Jerusalemi është kryeqytet i Izraelit.

Por në takimet që Edi Rama po zhvillon në SHBA nuk ka si të mos përmendet një fakt që e ka venë Shqipërinë në pozitë të vështirë përballë Izraelit dhe SHBA-ve. Qeveria e drejtuar po nga Edi Rama ka votuar tre muaj më parë kundër SHBA-së dhe Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Më 21 dhjetor, kur në OKB u hodh për votim rezoluta e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump që kërkonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, Edi Rama votoi kundër. Për raportet që Shqipëria ka me SHBA dhe me Izraelin, vota kundër është cilësuar si një gafë diplomatike. Shqipëria u rendit me Turqinë që propozoi rezolutën dhe doli kundër SHBA dhe Izraelit. Nuk zgjodhi as të abstenonte siç bënë shumë vende të rajonit dhe BE, por për llogari të Turqisë zgjodhi të pozicionohej kundër aleatit historik SHBA-ve. Zyrtarisht Edi Rama u justifikua se vota “pro” Turqisë dhe “kundër” SHBA ishte orientim i BE-së. Në fakt, për këtë çështje i vetmi vend që kishte dhënë orientim për aleatët ishte Turqia dhe jo Bashkimi Europian.

Këto tre muaj Edi Rama pati mundësi ta korrigjonte votën e gabuar në OKB. Në Parlamentin shqiptar opozita propozoi një rezolutë që kërkonte anulimin e votës kundër statusit të Jerusalmit dhe SHBA. Por kryeministri zgjodhi të votoi kundër edhe këtë herë duke e thelluar gabimin diplomatik.

Ndërkohë votimi në OKB nuk mund të zhbëhet më edhe pse Presidenti Ilir Meta kërkoi rishikimin e këtij qëndrimi të Shqipërisë kundër SHBA dhe Izraelit.

Për Shqipërinë, prania e kryeministrit shqiptar në këtë aktivitet të rëndësishëm është një ngjarje pozitive. Mes Shqipërisë dhe Izraelit, nga pikëpamja diplomatike marrëdhëniet cilësohen të shkëlqyera. Veç raporteve bilaterale shtetërore, mes dy vendeve ka një lidhje historike të veçantë që vlerësohet mjaft nga qytetarët dhe zyrtarët e Izraelit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte i vetmi vend në botë që nuk i dorëzoi hebrenjtë në duart e nazistëve. Gjithashtu, ishte i vetmi vend ku gjatë dhe pas luftës numri i hebrenjve ishte shumë herë më i madh se para luftës. Gjë që dëshmon se në momentet më kritike të hebrenjve, shqiptarët u renditën në anën e duhur të historisë duke i mbrojtur ata. Ky fakt historik është një nga elementët e shumtë që ka krijuar raporte speciale mes Shqipërisë dhe Izraelit. Gjatë luftës së Kosovës ka mbetur epike shprehja e kryeministrit të Izraelit në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës, ku deklaroi se “ne nuk i harrojmë kurrë miqtë”.

Nisur dhe nga këto raporte të veçanta ndërshtetërore, prania e Kryeministrit Edi Rama në SHBA, në kongresin më të rëndësishëm pro-izraelit në botë është një vlerësim që Izraeli i bën Shqipërisë dhe rolit të saj. Çdo kryeministër shqiptar që do të kërkonte pjesëmarrjen në këtë aktivitet, sigurisht që nuk do të ishte refuzuar nga ana e miqve në Tel Aviv dhe Uashington ku zhvillohet kongresi.

Duke pasur parasysh gjithë këtë kontradiktë të madhe të qeverisë “Rama” me Izraelin dhe SHBA, është interesante të shihet fjalimi i Edi Ramës para organizatës më të madhe pro-izrealite. Mbase do të ketë mundësi të shpjegojë më qartë se çfarë e detyroi të votonte kundër Donald Turp, SHBA-ve dhe Izraelit dhe të kërkojë ndjesë.

Ose nuk është çudi që aty në sallë Edi Rama të deklarojë se Shqipëria njeh Jeruzalemin dhe se ambasada e Shqipërisë do shkojë afër ambasadës së SHBA në Jeruzalem.

Njeri i surprizave mbetet Edi Rama, aq me tepër kur në sallë është dhe zv/presidenti amerikan. Me këtë rast siguron edhe një ftesë zyrtare për tu pritur në Shtëpinë e Bardhë. Një burim nga ministria e jashtme, por që nuk donte të dilte me emër tha për “Koha Jone” se “gjithçka mund të ndodhë në Uashington. Edhe mund ta spostojmë ambasadën shqiptare pranë asaj amerikane në Jeruzalem…”.

 

SHKARKO APP