Rama në Paris: Nuk po e shoh Evropën të zgjohet. Konfliktet mund të degjenerojnë shumë shpejt
Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Forumin e Paqes në Paris, nismë e organizuar e presidentit francez, Emmanuel Macron, ku edhe këtë vit personalitete nga e gjithë bota mblidhen për të diskutuar bashkëpunimin mes tyre.
Rama ka folur për Evoprën sot dhe pjesën tjetër të botës. Kryeministri thotë se sot Evropa nuk ndodhet në pozicionin e saj më të mirë.
“Sapo vij nga Riadi ku pata nderin të isha i ftuar nga nisma e forumit për investimet për të ardhmen, në një vend të jashtëzakonshëm, falë asaj që përfaqësojnë në çështjet globale sidomos kur bëhet fjalë për biznesin, inovacion dhe teknologjinë.
Kur ke mundësinë të gjendjesh në atë pjesë të botës e kupton që në këtë pjesën tonë, ne duhet të bëjmë një dush përulësie sepse edhe sot, edhe pse bota po ekspozon tërësisht ujërat që ziejnë në marrëdhëniet midis vendeve dhe qasjeve përkundrejt gjërave thelbësore, ne vazhdojmë të mendojnë që ka diçka që nuk shkon me botën dhe gjërat do të kthehen siç ishin.
Ne mendojmë se kemi legjitimitetin moral që na është blatuar nga ndonjë urdhër hyjnor dhe mundësinë për të gjykuar të tjerët dhe për të besuar se ne jemi pika e referencës se si duhet të jetë bota, dhe kjo është e gabuar.
Nuk është e vërtetë. Është një lloj vetëkënaqësie që sipas mendimit tim, mjaft modest, ka nisur të bëhet më i dëmshëm si këndvështrim dhe më pak i dobishëm për vetëbesimin. Ajo që ka ndodhur në SHBA në krye të këtij viti, dhe po flas për atë që Trump e përshkroi si plani preciz i Zotit për ta shpëtuar në mënyrë që të shpëtonte Amerikën. Sipas meje është diçka që nëse Zoti kishte vërtet një plan, pjesë e këtij plani ishte të zgjonte dhe Evropën.
Nuk po e shoh Evropën të zgjohet. Të zgjohet në mënyrën siç duhet. Ka një zgjim, në shumë përpjekje por kjo është diçka e fragmentarizuar, më pak se e mjaftueshme dhe mund të bëhet e rrezikshme në periudhë afatmesme. Për mua është mjaft shqetësuese që ende sot nuk ka një plan evropian paqeje. Ka vetëm një qasje binare ndaj një konflikti që ka potencial për të degjeneruar në diçka katastrofike. Edhe sot, edhe pas asaj që ka ndodhur me politikën e jashtme të BE dhe SHBA nuk ka një plan europian paqeje. BE duhet të ketë një plan paqeje në Ukrainë”, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

