Rama paralajmëron bllokimin e negociatave: Nuk varen nga ne
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se çështja e negociatave nuk varet më nga qeveria, por nga vota e vendeve të BE dhe problemet që ka çdo shtet anëtar i Unionit. Në fjalimin e mbajtur sot në Kuvend, kryeministri la të kuptohet se qeveria e tij i ka përmbushur negociatat, por janë vendet e BE-së, që sipas tij, nuk janë gati të votojnë “pro”.
Rama e lidh skepticizmin e disa vendeve të BE me problemet e tyre të brendshme. Ndërsa u shpreh se edhe kushtet e Gjermanisë janë për politikën e saj të brendshme. Shqipëria tha Rama është gati për hapjen e negociatave, në kohën kur ky proces është bërë më i komplikuar sesa kur vende të tjera e kanë realizuar këtë proces.
Por kryeministri në asnjë fjalë nuk tha se ka fajin qeverisja e tij problematike dhe e keqpërdorur.
Edi Rama nuk foli për krizën e tmerrshme politike ku e ka futur vendin, nuk tha se nuk ka asnjë shtet perëndimor që zhvillon zgjedhje me një parti. Kryeministri ngriti zërin duke sulmuar opozitën reale të vendit.
“Shqipëria e ndodhur kundrejt Evropës shumë shpejt mund të hyjë në qytetari e të përzihet me Evropën”. Këto janë fjalët që Sami Frashëri i shkruante në fund të shekullit 19. Sot jemi në fillim të shekullit të 21 dhe ajo çka Sami Frashëri i dukej si mundësi e shpejtë në fakt ka kërkuar një shekull në mes dhe sot që flasim nuk mund të themi që është një mundësi shumë e shpejtë ende“,- tha Rama.
Kryeministri foli dhe për kushtet e Gjermanisë. “BE sot ka një debat të brendshëm të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhura me një periudhë krize, që ka marrë përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve. Dëgjoj këtu që Gjermania, ka vënë kushte. Pse i ka vënë Gjermania kushtet, i ka bënë për çfarë? I ka vënë për politikën e vet të brendshme dhe në funksion të politikës së vet të brendshme, pse edhe në grupin më të madh parlamentar bëhet një debat i madh, sikur çfarë po i japim Shqipërisë. Dhe ka votat pro ka dhe kundër“,- deklaroi kryeministri.
Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria është gati ndërsa BE jo. “Është e rëndësishme mos bëjmë politikën mizerabël të ditës. Shqipëria sot është shumë më gati seç kanë qenë vendet e tjera përpara se të hapnin negociatat. Procesi është bërë shumë më i komplikuar dhe shumë më kërkues. Sot Shqipëria kërkon çeljen e negociatave dhe kush është pikëpyetja. Sa dhe si Franca do ta adresojë këtë kërkesë Shqipërisë. Shqipëria sot në raport me momentin kur mori statusin e kandidatit është ku e ku në raport me kriteret. Nuk janë gati ata”,- tha Edi Rama.