Rama: Prokurorët nuk bëjnë dot ç’të duan kur trokasin në Kuvend
Kryeministri Edi Rama, në podcastin e tij “Flasim”, komentoi vendimin e mazhorancës për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku, duke e cilësuar vendimin si të drejtë dhe të domosdoshëm për ruajtjen e parimeve të drejtësisë dhe statusit të deputetit.
Rama theksoi se është e papranueshme që Shqipëria të perceptohet nga Këshilli i Evropës si vendi me numrin më të lartë të të paraburgosurve në raport me të gjykuarit dhe të dënuarit. Sipas tij, sistemi nuk duhet të shndërrohet në një “kuturi” ku njerëzit trajtohen si mjete në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht kur nuk bëhet fjalë për akuza të korrupsionit apo përvetësimi për interesa personale.
Kryeministri argumentoi se çështja Balluku mund të ndiqet në gjendje të lirë, duke theksuar se Kuvendi trajtoi me kujdes dhe përgjegjësi kërkesën dhe vendosi të mos autorizojë arrestimin. Ai shtoi se deputetët duhet të mbrohen nga trajtimi si fajtorë pa një vendim gjyqësor, dhe se lirive të tyre nuk duhet t’u vihen kufizime të përgjithshme pa prova konkrete.
Rama përmendi gjithashtu se në rastin konkret prokuroria ka ngritur dyshimin dhe ka nisur hetimin për shkelje të barazisë në tendera rreth gjashtë vjet më parë, por nuk ka akuza për korrupsion, përvetësim fondesh, flagrance apo prova të tjera që të justifikojnë kufizimin e lirisë së deputetes.
Ai përfundoi se Kuvendi ka kryer rolin e tij duke mbrojtur dinjitetin e deputetes dhe të institucioneve parlamentare, duke mos lejuar që procesi të shtrembërohet ndaj individëve pa aktgjykim gjyqësor.
KOHA JONË SONDAZH

