Rama: Asgjë të re në propozimin e PD. Do të përjashtojë nga procesi SHBA e BE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për propozimin e ri të Partisë Demokratike. Në një koment në Facebook, Kryeministri e cilëson propozimin e ri të PD si avaz të vjetër. Sipas tij, PS kaloi nga vendet e rezervuara në vendet e blinduar.

Rama thotë se me variantin e ri, PD-ja kërkon të heq rolin e ndërkombëtarëve në procesin e verifikimit të juristëve. Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të Kryeministrit Edi Rama.

PROPOZIM I RI APO AVAZ I VJETËR

“E them me keqardhje që s’ka asgjë të re në propozimin që Partia Demokratike e quan formulë kompromisi! Me keqardhje, po fare sinqerisht, sepse ne jemi gati për çdo kompromis që nuk deformon thelbin e Reformës në Drejtësi. Por s’mund të pranojmë deformimin konsensual të thelbit të saj, që është garantimi i një procesi rigorozisht profesional e të pavarur nga partitë, për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të komisionit të vetingut të prokurorëve e gjykatësve. Pa vetingun (skanimi i pasurisë, karrierës dhe aftësive të kujtdo që do të paguhet me taksat e shqiptarëve për të ushtruar detyrën e gjykatësit dhe prokurorit), kjo reformë s’ka asnjë vlerë. Po ashtu, me një veting të bërë nga të zgjedhurit e partive e pa pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij komisioni, përsëri kjo reformë s’ka asnjë vlerë.

Kjo s’është vetëm bindja jonë, por një vijë e kuqe që nuk e ka pikturuar peneli im, po e ka vënë Brukseli dhe Uashingtoni. Dhe është e habitshme që Partia Demokratike vazhdon merret me gishtin, kur gishti tregon hënën! Sepse kështu i bie që jo vetëm unë, po edhe Brukseli e Uashingtoni, nuk e duan reformën…

Në propozimin e ri, Partia Demokratike ka kaluar nga vendet e rezervuara tek vendet e blinduara(!) dhe jo vetëm kaq, po ky propozim anashkalon krejtësisht mekanizmin e monitoruesve ndërkombëtarë që për ne është kyç në procesin e skanimit. Por jo vetëm për ne, po edhe për BE e SHBA po ashtu.

Deri këtu konkluzioni është i thjeshtë: Ose këtë reformë historike në drejtësi e do vetëm Partia Demokratike dhe gjithë ne të tjerët, së bashku me Bashkimin Europian e Shtetet e Bashkuara, po e sabotojmë reformën sepse kemi frikë prej saj, ose pastaj një frikë e madhe nuk e lë Partinë Demokratike të bashkohet me shumicën e me aleatët strategjikë të Shqipërisë, për të votuar reformën dhe për t’i hapur rrugë një epoke të re për drejtësinë në shtetin tonë”.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10153826104281523

PD kundërshton Ambasadorin Lu

SHKARKO APP