Rama: Propozimi i ri plotëson kërkesat e opozitës. Pse nuk e pranon PD?

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot formulën e re të propozuar nga SHBA për reformën në drejtësi. Ai pranoi se formula u pasqyron kërkesat e shprehura prej kohësh nga Partia Demokratike. Rama tha se PS-ja do të votojë çdo variant që ka mbështetjen e SHBA dhe BE, ndërsa shtoi se nuk e kuptonte se përse PD-ja nuk deklaronte që tani votën pro reformës.

“Partia Socialiste është gati të votojë çdo variant që ka mbështetjen e SHBA dhe.Formula e propozuar akomodon plotësisht një kërkesë të stërpërsëritur nga PD, e cila më habit përse nuk po thotë po”,- tha Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

I pyetur nëse formula e re e propozuar nga SHBA ishte një tërheqje nga vija e kuqe që vetë Rama kishte deklaruar, Kryeministri tha se kemi të bëjmë më një reformë që nuk është vetëm e një pale.

“Është një reformë historike dhe e një rëndësie strategjike për të nesërmen e vendit tonë. Nuk është reforma e një pale por e një vendi që synon të jetë anëtar i denjë i BE­së. Nuk mund të jetë negociator i arsyeshëm nëse nuk hedh një themel të sigurt të drejtësisë. Vijat i njoh mirë. Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por nga SHBA dhe BE”,- tha Rama.

Sipas tij, maxhoranca do të votojë një reformë që ka mbështetjen e plotë të SHBA­ve.

“Për ne nuk ka qenë asnjëherë problemi se si parlamenti do të votojë, kemi rënë dakord për çdo qasje që garanton qasjen e opozitës. Thelbi është jo kush do të mbushë me ujë shishen, por sa i pastër do jetë burimi nga vjen uji. PS dhe shumica qeverisëse do të votojnë një reformë që ka mbështetjen e plotë të SHBA­ve dhe BE­së. Të jeni të sigurt që as SHBA­të as BE­ja nuk bëjnë asgjë që cenojnë thelbin e kësaj reforme”,- tha kryeministri Rama.

Deklaratë e plotë për gazetarët e Kryeministrit, njëherësh kryetar i PS pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar:

Dua t’ju them vetëm kaq, që është një reformë historike dhe me një rëndësi strategjike për të nesërmen e vendit tonë. Nuk është reforma e një pale por është reforma e një vendi që synon të bëhet anëtar i denjë i BE, dhe nuk mund të jetë kurrë një negociator i besueshëm në sytë e BE, nëse nuk hedh themelet e një sistemi të ri drejtësie.

Ndërsa për sa i takon vijave, ju siguroj që unë i njoh shumë mirë ngjyrat dhe ndërkohë, siç e kam thënë dhe e përsëris:

Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im por është një vijë e kuqe që është përcaktuar nga SHBA dhe BE dhe që ka në esencën e vetë procesin e vetingut. E kam thënë dhe e përsëris:

Për ne nuk ka qenë asnjëherë problemi tek si Parlamenti do të votojë pasi kemi lëshuar 2/3, kemi rënë dakord për çdo qasje që garanton pjesëmarrjen e opozitës bazuar dhe në rekomandimin e Komisionit të Venecias. Por thelbi, mësojeni, është jo se kush do mbushi me ujë shishet, por sa i pastër do jetë burimi prej nga vjen uji. Që do të thotë, si do të garantojmë që filtri i kandidaturave që pastaj i shkojnë Parlamentit të jetë i sigurt. E nëse filtri është i sigurt, për ne nuk ka asnjë problem tjetër.

Pyetje: Ky filtër, do vijojë të jetë faktori ndërkombëtar? Do të ketë të njëjtin rol operacioni ndërkombëtar i monitorimit apo ka një zbehje të rolit të tij nga ajo çfarë ishte parashikuar në fillimi?

Tani, unë nuk e di se kujt i referoheni ju kur flisni për ngjyra dhe për zbehje. Unë po ju përsëris dhe një herë tjetër.

Partia Socialiste dhe shumica qeverisëse do të votojnë një reformë që ka mbështetjen e plotë të SHBA dhe BE. Të jeni të sigurt e mbi të gjitha të jenë të sigurt të gjithë shqiptarët, që as SHBA dhe as BE, nuk bëjnë asgjë që cënon thelbin e kësaj reforme. Formula e propozuar akomodon plotësisht një kërkesë të përsëritur e të stërpërsëritur pa pushim të PD dhe unë habitem se pse PD nuk po thotë, “PO”, e lumtur.

SHKARKO APP