Edi Rama replikon me Ambasadorin Amerikan

Qëndrimi i kryeministrit Edi Rama lidhur me akuzat e PD ndaj ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj është bërë sot shkak për replika mes Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu dhe kreut të qeverisë.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama u shpreh nga foltorja e Kuvendit se nëse akuzat e opozitës do ishin të vërteta për ministrin, i pari që do fliste do ishte ambasadori i SHBA, Donald Lu. Lidhur me këtë qëndrim të kreut të qeverisë, ambasadori amerikan, Donald Lu ka folur për “Report TV” duke dhënë këtë mesazh: “Kryeministri duhet të flasë në emrin e tij dhe ne do të flasim në emrin tonë. Ne jemi duke i shqyrtuar pretendimet që janë ngritur në lidhje me vëllain e Ministrit Xhafaj“.

Pas kësaj deklarata, sot ka ardhur edhe replika e Kryeministrit Edi Rama me ambasadorin amerikan në Tiranë Donald Lu. “Patjetër që unë flas për veten time dhe miku ynë Lu flet për veten e vet? Dhe krejt normalisht, është puna ime të them atë që mendoj kur flas lidhur me të, siç është puna e tij të thotë atë që mendon kur pyetet lidhur mua?????”, shkruan Rama në përgjigjen e përcjellë në Facebook.

Opozita akuzon maxhorancën dhe vministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj se ka mbrojtur vëllanë e tij, i dënuar në Itali. Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në seancën e Kuvendit se akuzat e PD janë avaz i vjetër, ndërsa theksoi se nëse këto akuza për vëllain e Fatmir Xhafajt do kishin përgjegjësi për ministrin, të parët që do flisnin do ishin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu dhe përfaqësuesja e delegacionit të BE. “Dhe nëse në këtë zurna do të kishte një grimcë të vërtete lidhur me përgjegjësi të çfarëdo natyre të ministrit tonë të Brendshëm, asnjë shqiptar nuk e quan të paarsyeshme bindjen time se përpara se të flisnin këta, do kishte folur miku ynë ambasadori amerikan, do kishte folur Bashkimi Europian, do kishin folur ata të cilët nuk kanë lënë rast pa folur pasi nuk kanë lënë rast pa verifikuar. Ata as kanë folur dhe as kanë për të folur“,-tha të enjten në Kuvend, Edi Rama.

SHKARKO APP