Kryeministri Rama: Vota e 18 qershorit do të jetë grusht për të korruptuarit

Pas fitores së PS në qershor të 2013, Kryeministri Edi Rama përmendi shpesh 1 milionë shuplakat ndaj qeverisjes së kaluar. Por nga Gjirokastra, Edi Rama e ka shtuar dozën, tashmë nuk flet më për shuplaka, por për grushte ndaj të korruptuarve. Rama tha se fitorja e 18 qershorit nuk do të matet me vota, por me grushtet që do marrin gjykatësit e prokurorët e korruptuar.

Nga Gjirokastra ku ka zhvilluar një takim me votuesit për herë të para, kryeministri Rama është ndalur tek reforma në drejtësi, duke u shprehur se ky proces është themelor për të ardhmen e vendit. “E dimë që kanë ende shumë për të bërë, pasi ka shumë pamundësi, varfëri, familje që mezi nxjerrin bukën e gojës. Në 3 vite e gjysmë ne kemi bërë sa kemi mundur, jo sa kemi dashur. Na u desh të përmirësonim situatën në vend me piramidat e Saliut. Saliu i parë ngriti ato piramidat e Xhaferit e Sudes e i zhyti të gjithë. E çoi Shqipërinë në çadër. Saliu i dytë ngriti kristalin, llamarrinat, vitrinat, xhamat, dhe tha këto janë universitete. E të gjithë të rinjtë i humbën paratë e kursimet e prindërve të tyre. E nga gjithë këto xhama, vitrina e llamarina, doli një milet juristësh. E sot jemi bërë gazi i botës me këto gjykata që e marrin pronën e kujtdo e ia japin dikujt që s’ka lidhje fare me zonën ku është prona. Vota e 18 qershorit nuk është njësoj si votat e tjera”,- tha Rama.

Kryeministri shtoi se “Kjo votë ka mundësinë për të marrë hak për të gjithë gjyshërit që u grabitën në pronat e tyre, për gjithë ato nëna që u veshën në të zeza nga humbja e fëmijëve për shkak të kriminelëve që prapë dolën rrugëve e vranë përsëri. Sepse paguhen gjykatësit. Për të marrë hak për gjithë ato vajza e gra që ranë pre e dhunës, përdhunuesve, etj. E këta dhunues dolën pa iu hyrë gjemb në këmbë, prapë sepse paguhen gjykatësit. Çështja nuk është sa vota do marrë PS, por sa grushte do marrin gjykatësit e prokurorët e korruptuar”, tha Rama.

SHKARKO APP