Rama: S’kam lidhje me dekorimin e Mazrekut. Turp kush e propozoi

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot për vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit që i dha titullin “Qytetar Nderi” atentatorit të Azem Hajdarit, Gafurr Mazreku.

Edi Rama distancohet nga vendimi duke deklaruar se në Këshillin Bashkiak ka vetëm një anëtar të PS. Gjithashtu, Kryeministri njofton se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit që të mos e firmosë vendimin e Këshillit Bashkiak.

Kryeministri reagoi pas akuzave që Partia Demokratike bëri në adresë të tij si personi që ka urdhëruar dhënien e titullit për atentatorin e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.

Kryeministri Edi Rama shpreh keqardhjen për sulmet e shëmtuara ndaj tij, lidhur me një vendim të Këshillit Bashkiak të Hasit, me të cilin ai jo vetëm s’ka asnjë lidhje, por e konsideron një provokim të papërgjegjshëm, të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar.

Ai bën me dije se i ka kërkuar Prefektit të Kukësit refuzimin e firmosje së atij vendimi, ndërkohë që sot në mbledhjen e grupit parlamentar e ka dënuar këtë shfaqje të shëmtuar papërgjegjshmërie të këshilltarëve të Hasit, pavarësisht se në Këshillin Bashkiak të Hasit Partia Socialiste ka vetëm një këshilltar, i cili nuk ka votuar pro vendimit. Duke i konsideruar akuzat vulgare të Partisë Demokratike, si një shpërdorim politik të radhës së emrit e të kujtimit të Azem Hajdarit, kryeministri Edi Rama shpreh bindjen se ato s’janë asgjë tjetër veçse ana tjetër e medaljes së këtij episodi të politikës qorre e shurdhe të interesave më të ulëta“,- thuhet në sqarimin e Kryeministrisë.

Ditën e sotme Partia Demokratike denoncoi disa herë këtë vendim marrje duke e cilësuar si provokim të rëndë të Edi Ramës.

Partia Demokratike në Tiranë, nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri e cilësoi vendimin si një akt të pashembullt: “Në një kriminal, Edvin Kristaq Rama shpalli sot Qytetar Nderi të Hasit atentatorin e Liderit të Lëvizjes së Dhjetorit Azem Hajdari. Vendimi i përfaqësuesve të Edi Ramës në Këshillin Bashkiak të Hasit u mor 3 ditë pasi Partia Demokratike i bëri thirrje Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë të ndalojë vendimmarrjen kriminale të këshilltarëve, të cilët janë plotësisht nën kontrollin e tij. Prandaj, Edvin Kristaq Rama nuk fshihet dot sot dhe as mund të lajë duart si Pilati! Partia Demokratike e konsideron atë vetë, autorin e vendimit kriminal që nderoi me titullin më të lartë atentatorin e Tribunit të Demokracisë Azem Hajdari, që bashkë më studentët dhe qytetarët e Tiranës, rrëzuan regjimin e etërve të këtyre që drejtojnë sot vendin”.

Ndërkohë, Tedi Blushi zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta e cilësoi dekorimin e Mazrekut një provokim të panevojshëm.

SHKARKO APP