Rama sulmon kandidatin e opozitës në Himarë: Atë?! As roje nuk e marr, ai tremb edhe turistët!
Edi Rama e ka nxehur fushatën, qoftë me spote ironizuese, por edhe me fjalë në mitingjet e tij.
Sot Rama ka zhvilluar një takim elektoral në Himarë, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Jorgo Goro.
Rama foli për kundërshtarin nga koalicioni “Bashkë Fitojmë, Fredi Bejlerin. E sulmoi Bejlerin. Ai tha se ai “tremb turistët po ta shohin” dhe se nuk do ta punësonte as si roje dyqani. Kryeministri shtoi se nuk mund të bashkëpunojë kurrë me Bejlerin.
Shefi i qeverisë i bëri thirrje kandidatit të opozitës, t’i përkthejë fjalët e tij në greqisht dhe të ankohet te autoritetet greke, duke sugjeruar kështu që Bejleri u shërben interesave greke.
Ja se çfarë deklaroi kryeministri në Himarë:
“A jeni në vete apo s’jeni në vete? Më gdhëja, në greqisht analfabet, në shqip dru. Thotë përfaqësoj Greqine… Ai përfaqëson Platonin, Aristotelin?! Aman o Zot. Jorgo apo Gjegji, Gjergji-Jorgo, nuk është i rënë nga qielli, nuk i ka bërë të gjitha mirë. Mos kujtoni se po ju them që është i rënë nga qielli. Por, tani që ja prisha gjumin këtij, doni të votoni atë tjetrin? Nuk fle më ky. E keni parë Himarën dhe Dhërmiun? Janë xixë. Imagjino t’ja nxirrni turistëve në fotografi (Fredi Bejlerin), kryetari i bashkisë ai… Me çfarë të vijnë ata, me roje? Apo të vijnë pa kalamajtë? Se thonë mos na ha kalamjtë ky… Roje te banka jo, se bankën e merr ai, por as roje te Vodafoni nuk e marr sepse tremb klientët, falimenton Vodafonin ai.
E di që po më dëgjon, përktheji tani këto dhe çoji në Greqi, ankohu! Ankohu dhe thuaj ja si diskriminon Edi Rama. Në fakt, e kundërta është e vërtetë, jemi të vonuar por historia e pronave ka marrë drejtimin e himariotëve, të gjithë, pa paragjykim.
Ky tipi ishte në grup pune dhe ky u thoshte atyre, kemi folur me gjithë komunitetin e himariotëve që janë me prejardhje këtu dhe janë pjesë e komunitetit grek në Amerikë, kemi folur me ta dhe u thoshte po u zgjidh puna e pronave ne nuk e fitojmë Bashkinë. Nuk e do ky historinë e zgjidhjes së pronave, ndërkohë që ajo histori është zgjidhur, ka ligjin…”, tha ndër të tjera Rama.