Rama sulmon opozitën: Ju nuk e kuptoni çfarë fitore arritëm me negociatat

Kryeministri Edi Rama ka thirrur sot në një takim urgjent në Kryeministri ministrat e kabinetit qeveritar dhe deputetët e Partisë Socialiste. Qëllimi i takimit është informimi mbi  vendimin e Bashkimit Europian për të shtyrë çeljen e negociatave me një vit.

Që në nisje të fjalimit Edi Rama ka sulmuar ashpër opozitën. Ai deklaroi se opozita nuk e kupton se çfarë fitore ka arritur Shqipëria në mbledhjen e një ditë më parë në Luksenburg. Rama tha se tashmë Shqipëria ka një datë për hapjen e negociatave që është ajo e qershorit 2019.

“Si ka mundësi që kjo opozitë të mos lërë pa kapur deputet të BE për të ndërsyer sa mundej kundër hapjes së negociatave. Për dreqin e Shqipërisë dhe shqiptarë, jo vetëm ka mundësi, por është opozita që na ka ndjekur hap pas hapi. Tashmë na paraqitet detyra për të vijuar me përmbushjen e detyrimeve. Data për çeljen e negociatave në Këshillin e Bashkimit Europian, nuk është imediate, por ka një hapësirë kohore ndërmjet”, u shpreh kryeministri Rama.

Kreu i qeverisë ka falënderuar dhe ministrin Ditmir Bushati për punën që ka bërë për negociatat. “Së bashku me Ditmirin, qysh se Shqipëria mori rekomandimin e pastër, na është dashur të kryejmë një numër rekord komunikimesh me nivelet më të larta në shtetet anëtare. Kemi parë e dëgjuar edhe gjëra që askush nuk do ta besonte. Nëse do vazhdoja të shkruaja vijimin e “Kurbanit”, do të dilnin dy vëllime “Europë mu bëfsh kurban”, dhe ‘Europë t’u bëfsha kurban”,- tha kreu i qeverisë, Edi Rama.

Kreu i qeverisë tha se vendimi i BE është pozitiv pasi nuk ka shtyrje të negociatave, por një datë për negociatat.

“Si mund të shtyhet një datë që nuk është vendosur akoma? Si mund të pranohet që të ndizet drita jeshile për një vend të mbytur me korrupsion e krim? Miqtë tanë ndërkombëtarë na pyesin se si ka mundësi që opozita jonë e do me kaq pasion mosçeljen e negociatave? Si ka mundësi që bën këtë që nuk e ka bërë asnjë opozitë e vendeve të tjera? Ka mundësi sepse kjo është mundësia e vetme për këtë opozitë. Tamam si mallkim që na ka ndjekur rrugë më rrugë”, deklaroi Rama.

Reagimet e Edi Ramës për vendimin e BE për negociatat janë krejtësisht të kundërta nga ato të opozitës dhe parashikimeve që priteshin për integrimin e Shqipërisë. Më 28 qershor (nesër) ishte  njoftuar se Këshilli i BE do të jepte vendimin pro çeljes së negociatave. Ndërkohë një ditë më parë, ministrat e jashtëm të BE, në një diskutim jashtë radhe në Luksenburg vendosën që çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë të vendoset në vitin 2019, duke parë dhe ecurinë e reformave. Kjo shtyrje për Edi Ramën quhet sukses, pasi jepet një datë për negociatat. Ndërkohë, për opozitën ky vendim është një dështim i qeverisë, pasi BE refuzoi për herë të pestë çeljen e negociatave. Do të jetë prapë komisioni europian që do të verifikojë ecurinë e reformave të lëna detyrë nga ministrat e jashtëm të BE dhe me pas do thuhet “po” ose “jo”. Pra në varësi të detyrave të caktuara, pasi verdikti i komisionit i këtij viti quhet i rrëzuar.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155914764926523/

SHKARKO APP