Rama takon kryeministrin kinez: Presim më shumë investime në Shqipëri

Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore, që zhvillohet në Riga të Letonisë.

Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrësve, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian.

12 drejtimet ku synohet rritja e bashkëpunimit janë: energjia, infrastruktura, transporti, teknologjia, bujqësia, zonat ekonomike, shëndetësia, mjedisi, arsimi, kultura, financa, qeverisja lokale.

Në takimin e zhvilluar me Kryeministrin e Kinës Li Keqiang, kreu i qeverisë shqiptare nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, që shërbejnë si bazë për bashkëpunimin ekonomik e tregtar.

“Kryeministri Rama e falenderoi homologun Li Keqiang për inkurajimin që jep qeveria kineze ndaj kompanive shtetërore e private për të investuar në Shqipëri, ku shembujt më të fundit janë kompania China Everbright që ka blerë TIA-n që menaxhon aeroportin e Rinasit dhe kompania Geo-Jade Petrolium Corporation që ka marrë në pronësi Bankers Petrolium.

Kryeministri Li Keqiang falenderoi Kryeministrin Rama për bashkëpunimin dhe e siguroi atë se mbështetja e qeverisë kineze ndaj kompanive që investojnë në Shqipëri do të vazhdojë edhe në fusha të tjera, si energjia dhe infrastruktura,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Kina renditet sot si partneri i dytë tregtar më i madh i Shqipërisë me 7,7% të vëllimit të përgjithshëm tregtar.

SHKARKO APP