Rama tallet me Bashën: Ti Luli je artist! Ty nuk të lidh gjë me kriminelët
Rama tallet me Bashën: Ti Luli je artist! Ty nuk të lidh gjë me kriminelët
Mes kryeministrit Edi Rama dhe kreu të opozitës janë zhvilluar sot replika të ashpra në rrjetet sociale. Kreu i opozitës deklaroi se Edi Rama nuk është më kryeministër i shqiptarëve, por drejtues i bandave të krimit dhe koncesioneve. Pas deklaratës së kreut të PD-së ka ardhur dhe reagimi ironik i kryeministrit Edi Rama. Në një status në Twitter, Rama shprehet se Bashën nuk e lidhë gjë me kriminelët, por duhet të tregojë sesi ka bërë manipulimin e përgjimit të vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
“Lëri reagimet trimërore si ato të kënduarat natën për të larguar gogolat. Ty s’të ka lidhur asgjë me kriminelët? Ti je artist. Tani tregoju shqiptarëve kush të lidhi me poetin Babale dhe kush e çoi nga zyra jote tek gazetari. Ah,mos harro kamerat e Krujës para se të flesh prapë”,- deklaron kreu i qeverisë, Edi Rama.
Më herët, kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi se vendi ka një qeveri që është vënë në shërbim total të bandave dhe krimit.
“Piktori i dështuar është zhytur në artin e telenovelave: shkruan, dirigjon, interpreton dhe ju servir shqiptarëve përditë nga një shfaqje bajate, ku kriminelët janë heronj dhe ku krimi është virtyt. Shqipëria nuk ka më kryeministër. Shqiptarët nuk kanë më qeveri që mendon e punon për ta dhe hallet e tyre. Në vend të sigurisë, punësimit e mirëqenies, tani e tutje shqiptarët do të kenë vetëm telenovela. Ndërkohë qeveria, policia dhe prokuroria punojnë çdo ditë për t’i garantuar sigurinë, qetësinë, dhe paratë kriminelëve. Sepse Rama mendon dhe vepron vetëm për të mbrojtur kriminelët. Ndaj çirret e betohet nga mëngjesi në darkë për të mbrojtur Tahirin, Xhafajan, Ballën, Rrajen, Çyrbjen, Gjushin, e kriminelët e lidhur me ta”,- deklaroi Lulzim Basha.
Kreu i PD-së shton se fundi i Ramës do të jetë i njëjtë me fundin e njerëzve që janë të lidhur me krimin. “Edi Rama nuk është më kryeministër, por vetëm një dordolec që krimi e tund përditë në publik për të kërcënuar dhe trembur shqiptarët. Por shqiptarët nuk tremben. Unë as trembem dhe as shantazhohem. Sepse nuk jam peng i krimit. Sepse kurrë nuk më ka lidhur asgjë me kriminelët. Sepse sado t’i mbrojë Rama kriminelët dhe mbrojtësit e tyre, ata të gjithë do të përfundojnë atje ku e kanë vendin”,- deklaron kreu i PD-së.