Rama: Aleanca me LSI, strategjike. Unë e Meta jemi komplet të ndryshëm
Kryeministri, Edi Rama në intervistën e dhënë për Blendi Fevziun në “Opinion”, foli për shtëpinë e tij të re në Surrel, dy djemtë e tij, dhe për momentin më të vështirë dhe më të bukur të këtij viti.
Momenti më i vështirë ka qenë kur isha në SHBA, dhe këtu ndodhi ajo që ndodhi. Pati një mot të rënduar. Ishte një moment i vështirë, se ishte një moment kur dhe balta e përditshme kishte dhe një intensitet më të lartë”, tha Rama.
Momenti më i bukur ka qenë momenti i pushimeve me Zahon, se këtë vit ka qenë më i rritur”.
Kur Fevziu e pyeti nëse është e vërtetë se shpenzon shumë kohë duke punuar në poçeri, Rama u përgjigj se kjo dëshirë i ka lindur kohët e fundit. Kreu i qeverisë tha se do të donte të vazhdonte të luante ende basketboll në kohën e lirë, por tha se 50 vitet bëjnë punën e vet.
“Kur kam vajtur te një shok i im i fëmijërisë për ta falënderuar sepse i kishte bërë një dhuratë shumë të bukur nënës sime, kapa baltën me duar. Aty bëra një diçka të vogël, pastaj nuk harxhoj kohë shumë të madhe. Mund të shkoj dy herë ose tre herë në muaj. Jam një poçar jo i keq”, u shpreh Rama.
Gjatë intervistës, Rama foli edhe për koalicionin e zgjedhjeve të ardhshme, parlamentare dhe marrëdhënien e tij me Ilir Metën.
“Sa i përket PS dhe mua personalisht, koalicioni me LSI është strategjik. Nuk ka asnjë arsye nga ana jonë që ne të godasim një projekt strategjik”, u shpreh Rama.
“Ne kemi pasur histori të veçantë sepse kemi qenë shumë afër kur kemi qenë jo mjaftueshmërisht të pjekur nga pikëpamja politike, pastaj kemi kaluar një periudhë që dihet dhe më pas jemi ritakuar me eksperiencë. Jemi dy njerëz komplet të ndryshëm. Nuk e di si do të ishin marrëdhëniet tona po të ishim dy fqinj. Me vështirësitë përkatëse, përpiqemi që të jemi komplementar në marrëdhënien që kemi”,- tha Rama.