Rama: Vetëm një referendum është i sinqertë nga PD, ai për largimin e SHBA
Deklaratat e forta të ditëve të fundit nga Sali Berisha dhe Lulzim Basha kundër ambasadorit të SHBA, Donald Lu, kanë qenë objekt i replikave mes PS dhe PD sot në Kuvend.
Akuzat e selisë blu janë me të ashprat që prej vitit 1996-1997 ndaj SHBA. Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij ka përmendur disa herë qëndrimet e PD-së kundër reformës dhe SHBA.
Duke ju referuar kërkesës për referendumin kundër importit të mbetjeve, Rama tha se vetëm një referendum do ishte i sinqertë të propozohej nga PD, ai për largimin e Ambasadës së SHBA nga Shqipëria.
“Vetëm një referendum do ishte sot i sinqertë por të propozohej nga PD, ai për të ndërprerë procesin e integrimit në BE dhe për të përzënë ambasadën amerikane nga Shqipëria, por sigurisht që kjo është diçka që zemra mund t’ua dojë, por gjunjët nuk ua mbajnë. Ndërkohë që kazani më i madh i mbeturinave të korrupsionit, krimit, mafias, është sistemi i drejtësisë dhe sot ne kemi këtu një ditë pasi PD i ka shpallur luftë reformës në drejtësi dhe ka marrë haptazi anën e kazanit”– tha Rama.
Rama tha se synimi i PD-së është pengimi i reformës në drejtësi, duke sulmuar hapur ambasadën e SHBA. “E gjitha bëhet për t’u hedhur hi syve të njerëzve, sikur gjoja duan ta luftojnë vetveten – sepse ajo strukturë (SPAK) do të ketë pjesë të mirë të punës së saj, zullumet e ish-qeverive – sepse ata kanë vetëm një plan: Duan ta pengojnë reformën me çdo kusht, deri duke sulmuar edhe publikisht ambasadorin e SHBA në emër të sovranitetit.”
Kryeministri shtoi se pasi kanë bojkotuar takimet, PD-ja po u bënë shantazh me emaliet ambasadorëve që janë pjesë e negociatave për reformën në drejtësi. “Këta janë partnerë me ambasadorët vetëm për emailet dhe për t’i treguar pastaj emailet se partnerët tanë ndërkombëtarë sundojnë në Shqipëri”,– tha Rama.
Për momentin Edi Rama është në avantazh në raport me PD-në. Amerikanët duket se po investojnë për kryeministrin Rama. Por gjithçka varet nga marrëveshja me LSI. Nëse do ta jenë prapë në koalicion 2017 pushteti buzeqesh tek Edi Rama, kurse ai presidencial tek Ilir Meta. Një dyshe proamerikane.