Rama: Vizita në Gjermani ishte e suksesshme. Na pyetën për Tahirin
Kryeministri Edi Rama e ka vlerësuar vizitën në Gjermani si të suksesshme. Në konferencën e dhënë për mediat në Aeroportin e Rinasit pas kthimit nga Berlini, Rama tha se vizita në Gjermani i përmbushi pritshmëritë që kishte qeveria e tij.
I pyetur nga gazetarët nëse në Gjermani, kancelarja Merkel i ka kërkuar arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri, kryeministri Edi Rama tha se me kancelaren ka folur për integrimin dhe reformat.
“Me kancelaren kemi folur në detaje për të gjitha aspektet e raportit të progresit, për ecurinë e reformës në drejtësi dhe patjetër për progresin e bërë me Vettingun, që sikur e dini edhe ju përbën një moment me rëndësi dhe ka një vëmendje të vecantë nga Gjermania”,- tha kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama u pyet disa herë nga gazetarët lidhur me çështjen “Tahiri” dhe u sollën në vëmendje deklarata e ministrit gjerman, Michael Roth, i cili tha në Deutsche Welle se Ramës i ka thënë se drejtësia duhet të veprojë dhe për Saimir Tahirin.
Lidhur me këtë deklaratë të ministrit gjerman Rama tha: “Është bërë një pyetje në Komisionin e Çështjeve Europiane lidhur me këtë çështje, pyetje që ka pasur të bëjë edhe me baltën e eksportuar atje dhe me tregimin e deformuar këtu. Ne ishim në Gjermani, jo në Venezuelë, që të na kërkonin arrestimin, pasi në Gjermani e dinë që kur marrin qumështin e nënës se nuk jemi ne që arrestojmë, por është drejtësia”,- tha Edi Rama.
I pyetur për kritikat e deputetit gjerman Gunther Krichbaum, Rama tha se Krichbaum përfaqëson një nga qindra deputetët e Budestagut dhe mendimi i tij nuk ndryshon raportin e Komisionit Europian.
Kreu i qeverisë ka thënë se çdo koment që është bërë në Gjermani për çështje jashtë raportit të KE ishte e njëjtë me ato që janë thënë nga opozita në Tiranë, duke nënkuptuar për lobim të PD kundër integrimit të vendit në BE.
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155763203786523/
Ministri gjerman për Evropën,Roth: Hetoni ish-ministrin Tahiri dhe hajdeni në BE