Reagon avokati i ish-ministrit Spiro Ksera:Ndalimi i paligjshëm

Prej 24-orësh ish-ministri i Punës dhe Çështjeve sociale Spiro Ksera është në qeli për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

Ksera, është zyrtari i parë i qeverisë Berisha në nivele të tilla që vihet pas hekurave.

Ai është në pritje të njohjes me masën e sigurisë që do të japë gjykata, ndërkohë Prokuroria ka kërkuar masën e “arrestit me burg” deri në përfundim të hetimit dhe gjykimit të çështjes.

Nëse prokuroria arrin të vërtetojë akuzën,atëherë Spiro Ksera rrezikon dënimin deri në 7 vite burg, si dhe gjobitjen nga 300 në 1 milion lekë, parashikuar në nein 248 të Kodit Penal.

Reagimi i avokatit të pajtuar nga Ksera, Genc Gjokutaj:

Spiro Ksera do të mbrohet nga avokati Genc Gjokutaj, me të cilin ka zhvilluar një takim 15-minutësh në ambjentet e policisë ku mbahet prej mbrëmjes së të shtunës.
Gjokutaj dha edhe një deklaratë për mediat pas takimit:
“Ksera si ministër ka dhënë urdhër të kryheshin eventet. Ai dha urdhrin të kryheshin eventet. Procedurat janë ndjekur nga stafi dhe personat përgjegjës. Ish-ministri nuk ka lidhje me atë se cfarë ka ndodhur”.

Po kështu, Gjokutaj u shpreh se dhe urdhër-ndalimi ndaj Kserës ka qenë i paligjshëm, pasi nuk është marrë në pyetje asnjëherë në 10 muaj hetime.
“Madje dhe urdhër-ndalimi nga prokuroria është i paligjshëm. Nuk ka rrethana rënduese, duhet të justifikohet ndalimi. Akuza nuk është për shkelje në tendera, por për shpërdorim. Në 10 muaj hetim, Ksera nuk është thirrur për t’i pyetur. Masa e sigurisë për Spiro Kserën mund të jepet të hënën”.

Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria e Tiranës ka krijuar dyshime se ish-ministri Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, i cili u ndalua mbrëmjen e së Premtes (dt. 29.01.2016), ka kryer veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” nëpërmjet procedurave fiktive për organizimin e disa aktiviteteve social-kulturore gjatë vitit 2013.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka zhvilluar hetimet në bazë të kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në kuadër të veprimeve proceduriale, janë krijuar dyshime të arsyeshme se ish-ministri Ksera, në cilësinë e kryetarit të Entit Prokurues, në bashkëpunim me ish-drejtorin e Kabinetit, Klevis Bitro, si edhe me mbështetjen e disa zyrtarëve të tjerë, kanë vjedhur 30 milionë lekë të reja nga buxheti i shtetit.

Këto shuma financiare, ish-drejtuesit e lartë të Ministrisë së Punës i kanë akorduar për disa aktivitete për shtresa të ndryshme sociale, por që faktikisht këto evente nuk janë realizuar, ose janë realizuar me kosto shumë më të ulta nga ato që janë shënuar në dokumenta.

Në bazë të veprimeve proceduriale, rezulton se janë kryer pagesa për aktivitetet që nuk janë kryer, si më poshtë:

1-“Prioriteti i minoriteteve-Barazi në të drejta”;

2- “Kapërceni paragjykimet-Njihni romët”;

3-“Ne sfidojmë të gjithë sëbashku”;

4-“Të ndryshëm, por të barabartë”;

5-Përfshirje sociale-Drejtësi sociale”

6-“Mosha e tretë, vlerë për shoqërinë”.

POLICIA E SHTETIT
Policia e Shtetit ka ekzekutuar urdhër-ndalimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke ndaluar shtetasin Spiro Ksera, ish-Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Në kuadër të këtij procedimi penal, policia ka ekzekutuar urdhër-ndalimet e Prokurorisë edhe për disa ish-zyrtarë të Ministrisë që z.Ksera ka drejtuar.
Këta ish-zyrtarë janë vënë nën akuzë gjithashtu për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh.

Në Prokurori është depozituar një kallëzim nga ana e Ministrisë së Rinisë dhe Mirëqenies Sociale, ku bëhet fjalë për një investim prej 30 milionë lekësh që duhet të përdoreshin në favor të personave me aftësi të kufizuara, por që nuk janë përdorur për këtë qëllim.

Shtetasit e përfshirë në këtë procedim janë:

Spiro Ksera, 48 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish-ministër i PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Artevis Mene, 27 vjeç, lindur dhe banues në Gjirokastër, ish punonjës në Ministrinë e PÇSHB, i dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Elda Kozaj, 31 vjeç, lindur ne Fier dhe banuese në Tiranë, ish punonjëse në Ministrinë e PÇSHB, e dyshuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

SHKARKO APP