Reagon Kryeministria: Nuk do të marrim ish-luftëtarët e ISIS në Shqipëri
Kryeministria ka reaguar sot lidhur me projektin shumëdiskutuar për krijimin e një qendre rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Në një deklaratë për mediat, Sandër Lleshi, Këshilltari për Sigurinë i Kryeministrit Edi Rama thotë se projekti nuk parashikon ngritjen e një kampi për ish-luftëtarët e ISIS.
Lleshi shprehet se “Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qendër rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm”. Lleshi sqaron se kjo qendër nuk do të jetë kamp për grumbullimin e ish luftëtarëve të ISIS.
Reagimi i plotë i Kryeministrisë:
“Duke vene re se disa lajme të rreme me karakter provokues dhe politike, spekulojnë haptazi mbi një gjoja qendër për grumbullimin e ish-militanteve te ISIS-it në Shqipëri, këshilltari i sigurisë i kryeministrit, Sander Lleshi, bën me dije se nuk ekziston asnjë lloj ideje, kërkesë, plani apo mundesie për diçka të tillë.
Këto opinione që i referohen një fraze të përdorur nga kryeministri Borisov, janë krejt pa lidhje me subjektin të cilit shefi i qeverise bullgare i’u referua në prononcimin e tij.
Bëhet thjeshte fjalë për Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, që ishte edhe organizatorja e konferencës ndërkombëtare të para pak ditëve, ku mori pjesë edhe kryeministri i Bullgarisë.
Shqipëria ka propozuar kthimin e kësaj qendre në një qender rajonale, për të kryer analiza, vlerësime, studime, shkëmbim informacioni si edhe programe të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Por kjo qendër as nuk është, as nuk mund të jetë dhe as nuk i ka shkuar kurrë kujt në mendje që të kthehet në një repart grumbullimi të ish-militanteve të ISIS-it. Jo vetëm sepse askush dhe asnjëherë nuk e ka kërkuar një gjë të tille, po edhe sepse kjo fantazi nuk ka asgjëkundi lidhje me misionin e Qendrës se Koordinimit kundër Ekstremizmit te Dhunshëm dhe me projektin tonë për rajonalizimin e saj”.