Reagon ministri Fatmir Xhafaj pas gjetjes së shoferit të tij të vdekur në Gardën e Republikës
Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj ka reaguar për vdekjen e shoferit të tij, Shkëlzen Qordja. Ai u gjet pa jetë sot në ambientet e Gardës së Republikës. Sipas hetimeve të prokurorisë dhe deklaratës zyrtare të Policisë së Shtetit, efektivi i Gardës së Republikës është vetëvrarë me tre plumba.
Në deklaratën e tij, Xhafaj ngushëllon familjarët dhe shpreh vlerësime për efektivin e gardës, të cilin e cilëson si pjesë të familjes së tij.
Ministri Xhafaj deklaron se nuk ka asnjë koment për rrethanat e ngjarjes dhe po pret që institucionet të bëjnë verifikimet e duhura për zbardhjen e saj. ” Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre”,- shprehet Ministri.
REAGIMI I MINISTRIT FATMIR XHAFAJ:
“Jam i shokuar dhe nuk gjej fjalë të ngushëlloj prindërit dhe gjithë familjen e Shkëlzenit për humbjen tragjike të jetës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar një dhimbje të fortë njerëzore për mua dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër atë.
U prefsh në paqe, i dashur Shkëlzen!
Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot. Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime.
Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre.
Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vellezërve, të afermve e miqve të tij.
Ai ishte një djalë i shkëlqyer, një punonjës i papërtuar e fjalëpak, që la një boshllëk të madh pas vetes dhe nuk e meriton në asnjë mënyrë përbaltjen.
Faleminderit paraprakisht, kujtdo që do ta konsiderojë këtë apel njerëzor!“.
Shkëlzen Qordja u gjet sot pa jetë, në orën 09:30 në garazhin e mjeteve të Gardës së Republikës. Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Grada e Republikës në një njoftim të përbashkët thotë se Shkëlzen Qordja është vetëvrare me 3 plumba. Në përshkrimin e dinamikës së ngjarjes, Policia thotë se 31-vjeçari ka përdorur armën e shërbimit, automatik model “MP5”, për të bërë vetëvrasje. Në deklaratën për ngjarjen theksohet se Shkëlzen Qordja nuk ka pasur asnjë herë procedime disiplinore gjatë kohës që ishte punonjës i Gardës së Republikës.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT
- Prokuroria dhe Policia: Shoferi i ministrit të Brendshëm u vetëvra
- Gjendet i vrarë shoferi i Ministrit të Brendshëm
- Shoqërohen dy gardistët që gjetën trupin e shoferit
- Berisha ngre disa pyetje për Habilajt, Tahirin dhe Ballën
- Ministria: Shoferi që u gjend pa jetë nuk ishte pezulluar nga detyra
- Vdekja e shoferit, gardistët: Se kemi parë të shqetësuar
- Familja e gardistit, mesazh politikës: Na lini të qajmë djalin tonë