Reagon RTSH: Ja pse nuk e transmetuam ndeshjen miqësore Shqipëri-Marok
Mostransmetimi i ndeshjes së kombëtares shqiptare me Marokun në RTSH, ka nxitur pakënaqësi te tifozët të cilët kanë reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale kundër këtij institucioni. RTSH ka bërë të ditur nëpërmjet një sqarimi publik se nuk kishte faj për ndeshjen në fjalë, të drejtat e të cilës i gëzonte një palë e tretë që kishte organizuar ndeshjen.
Në sqarimin publik, Departamenti i Sportit në RTSH ka hedhur edhe akuza të rënda për procedurat e shitjes së të drejtave të transmetimit të kombëtares dhe atë që e cilësoi si “privatizimin” e kuqezinjve.
JA REAGIMI I PLOTË
RTSH ndjen për detyrim të sqarojë publikun e gjerë, se përse nuk u transmetua ndeshja miqësore Shqipëri-Marok, zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, ditën e mërkurë në mbrëmje. Duke lënë mënjanë, gjithçka që është thënë dhe shkruar qoftë nga njerëz të painformuar, apo më keq akoma të telekomanduar, ju sqarojmë se kjo ndeshje jo zyrtare nuk i është ofruar fare RTSHsë. Institucioni ynë është interesuar qysh ditën që është shpallur kjo ndeshje miqësore tek kompania që gëzonte të drejtat televizive, por ende sot e kësaj dite nuk kemi një përgjigje zyrtare për ofertën e dërguar nga RTSH.
Pavarësisht çdo çmimi, RTSH siguron se do të blejë çdo të drejtë të çdo ndeshjeje të Kombëtares, sikurse ka bërë me kualifikueset e Botërorit, por kur kjo behet në rruge zyrtare, ligjore, me procedura të rregullta tenderimi, për sa kohe që nën presionin e interesave, ligji që i jepte me parë të drejtën automatike RTSHsë, të transmetonte ndeshjet e Kombëtares, është amenduar. Ju sigurojmë, që nuk jemi dhe nuk do të bëhemi pjesë e pazareve të tavolinave që bëhen nga sekserë të ndryshëm. RTSHsë nuk i ka ardhur asnjë ofertë zyrtare, nga asnjë institucion apo kompani në lidhje me këtë miqësore.
Lajmet dhe shifrat që qarkullojnë janë të pavërteta dhe me një qëllim dashakeq. Cilido është i ftuar pranë institucionit tonë për tu informuar në lidhje me gjithë procedurën zyrtare të ndjekur nga RTSHja në këtë rast. Ne, patjetër e kuptojmë reagimin popullor në lidhje me “privatizimin” e Kombëtares, e cila përsëri nuk u transmetua në asnjë kanal televiziv “free” (pa pagesë), por nuk mund të mbajmë mbi supe “faturën” për këtë mostransmetim ne si RTSH që kemi bërë përpjekjet maksimale deri në minutat e fundit.
Ka ikur ajo kohë kur ky institucion ka blerë të drejtat televizive nga sekserë që duan të pasurohen, ose të nxjerrin shpenzimet e tyre, nëpërmjet shitjes “dorë më dorë” të Kombëtares dhe të drejtave televizive të saj. RTSH edhe këtë radhë ka ndjekur çdo procedurë, duke u interesuar direkt tek kompania që “gëzonte” këto të drejta dhe nuk është faji i institucionit tonë, që kjo kompani, pa patur asnjë masë detyruese nga FSHFja (për ta transmetuar të paktën në një kanal pa pagesë Kombëtaren), as nuk shpall tender të drejtash televizive dhe as nuk e konsideron fare kërkesën e RTSHsë.
E pra, RTSH nuk mund të përdoret më, si “dorë e tretë” apo e katërt, blerjesh të drejtash që rriten artificialisht dhe pa asnjë logjikë tregu, por me synimin e vetëm për tu pasuruar nga “magjia” që dhuron Kombëtarja e futbollit. RTSH ju informon se ka nisur një politikë të re, sidomos në transmetimet sportive. Kontratat e lidhura për ndeshjet kualifikuese të Kombëtares Shqiptare, ndeshjet kualifikuese të Kosovës, të ekipeve më të njohura evropianë, të fazave finale të Botërorit 2018, apo 2022 (të drejta ekskluzive këto), të ndeshjeve të Kampionateve shqiptare të futbollit (Kategoria Superiore, Kategoria e parë, apo Kampionati i moshave), të UEFA Europa League, duke transmetuar qysh në periudhën e verës, ekipet shqiptare si Kukësin apo Partizanin, ekskluzivisht,… ndoshta këto, kanë shqetësuar me të drejtë operatorët e tjerë.
Ju garantojmë që ky është vetëm fillimi… RTSH do të bëj maksimumin, sot e në vazhdim që të garojë në çdo tender të drejtash transmetimi si një institucion serioz, si një partner ideal mediatik për çdo Federatë, për çdo aktivitet, kombëtar e ndërkombëtar. RTSH transmetoi për të parën herë, Kombëtaren tonë të basketbollit në një ndeshje luajtur në Gjeorgji një ditë më parë dhe do vazhdoj t’i transmetojë të gjitha ndeshjet kualifikuese që Përfaqësuesja jonë “e koshit” do të zhvilloj në kuadrin e kualifikueseve për Euro 2017.
Po kështu, do të vazhdojmë edhe me volejbollin shqiptar, për të përmbushur jo vetëm misionin si media publike, por edhe për të shërbyer në rritjen e cilësisë së sportit kombëtar. Kanali sportiv televiziv pa pagesë, RTSH Sport, që do të fillojë transmetimet 24 orë në ditë dhe që do të ketë shtrirjen e TVSHsë, siç duket, ka stimuluar ndjeshëm “baltën” e hedhur orët e fundit, por kjo nuk na ndal dot në rrugën që kemi nisur… Takohemi të hënën në mbrëmje, drejtpërdrejtë nga “Loro Boriçi” me debutimin zyrtar të Kombëtares sonë, Shqipëri – Maqedoni, ora 20.45 në RTSH HD, TVSH dhe RTSH Sport. Departamenti Sportit në RTSH!
Turpi i radhës, kur TVSH-ja ta shet Kombëtaren për Balet ….
Nga Dritan Laci
Një tjetër skandal i radhës përfshiu mbrëmë Televizionin Publik Shqiptar. Kur të gjithë i kishim kthyer telekomandat nga ky televizion për të ndjekur gjithë kureshtje prezantimin e parë të Kombëtares Kuqezi pas përfaqësimit historik në Euro 2016, çuditërisht në vend të futbollit të luajtur, ky televizion futi në transmetim një kasetë të dhënë e stërdhënë disa herë me pjesë baleti nga Angjelin Prelocaj duke na lënë pa gojë të gjithëve, ose më mirë me gisht në gojë.
Një rast i pazakontë por i përsëritur deri në paturpësi për një televizion që paguhet me taksat e shqiptarëve të cilëve edhe njëherë ju mohua Kombëtarja e tyre nga ky ekran. Ashtu sikurse ndodhi edhe gjatë Europianit ku TVSH po me paturpësinë më të madhe, në një tallje të hapur me kontributin e taksapaguesve shqiptarë që e mbajnë në këmbë, doli edhe u komunikoi shqiptarëve se nëse donin ti shikonin ndeshjet e Europianit; midis tyre edhe të Kombëtares, mund ti dëgjonin nëpërmjet valëve të Radios. A thua se shqiptarët jetojnë akoma në kohën e Anton Mazrekut të famshëm, ku për të mësuar mbi zhvillimet e ndeshjeve të Përfaqësueses në mungesë të televizorit nëpër shtëpia shqiptarët duhet ti vinin veshin Radios.
E pra kjo ndodhi edhe mbrëmë. Edhe pse Anton Mazreku me komentin e tij brilant ka kohë që i është larguar kësaj jete, shqiptarët ata që nuk kanë para të paguajnë paketat e shtrenjta të operatorit privat satelitor që transmetonte ndeshjen, u detyruan me pahir të zgjidhnin ose të ndiqnin balet ose të ktheheshin si qëmoti dhe të gjenin frekuencat e harruara të Radio Tiranës për të mësuar se sa ishte rezultati i ndeshjes. Ose poshtërimi më i ulët të shkonin nëpër lokale dhe ta paguanin me birra Kombëtaren, edhe pse shumica mezi nxjerrin muajin me bukë të përditshme, ose tu drejtoheshin Fan Zonave ku një bukë e qofte dhe një birrë kushton sa frëngu pulën.
Interesa të cilat nuk është e vështirë për të kuptuar se në xhepat e kujt arkëtohen. Dhe këtë “të mirë” shqiptarëve ua bën pikërisht Televizioni Publik Shqiptar, i cili ka një buxhet vjetor prej 1.3 miliard lekësh, para këto të arkëtuara nga taksat e shqiptarëve, atyre shqiptarëve që ky televizion minimalisht nuk u transmeton as ndeshjen e Kombëtares së tyre. Të mos flasim pastaj për cilësinë e programeve apo edicionit të lajmeve që të vetmit besnikë të mbetur të TVSH-së janë disa nostalgjikë që presin ende me shpresë që ky televizion të kthehet në lavdinë e dikurshme.
Po ky Televizion Publik që u mohoi shqiptarëve Europianin, pikërisht në një moment historik të Kombëtares shqiptare dhe që pa pikë turpi u komunikonte shqiptarëve se ndeshjet e Europianin mund ti ndiqnin në Radio Tirana. Pikërisht ky televizion i cili mban të hapura disa frekuenca, midis tyre edhe RTSH Sport, që nuk kuptohet se cili është qëllimi që këto kanale mbahen hapur kur ato nuk kryejnë funksionin e tyre.
E pra mbrëmë shqiptarët u detyruan të shikonin balet. Respekte për Angjelin Prelocaj. Që është dhe do të mbetet një nga koreografët dhe eksportet më të mira të përfaqësimit të kulturës shqiptare në skenat botërore. Por mbrëmë kam besimin që edhe vetë Prelocaj me shumë kënaqësi do të refuzonte që veprën e tij artistike TVSH ta përdorte si një kasetë fut e nxirr për të mbushur programin në një kohë kur shqiptarët prisnin të shikonin Kombëtaren e tyre. Përurim më terr se ky nuk mund të kishte për impiantin e rindërtuar “Loro Boriçi”. Të paktën nuk e di se si vetë kryeministrit Rama i ka shpëtuar një detaj i tillë. Një sebep i mirë për të rritur kredencialet te votuesit, sidomos në këtë vit të fundit elektoral. Nuk e di se ç’justifikim do të gjejë këtë radhë TVSH për këtë skandal të radhës. Nuk e di! (opinion)