Rënia e Euros në pikiatë, Jorida Tabaku akuza qeverisë për paratë e drogës

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku theksoi se në sektorin e ndërtimit dhe turizmit po ndodh një situatë e çuditshme investimesh, e cila nuk po justifikohet as nga Banka e Shqipërisë, as nga INSTAT dhe as nga shifrat e publikuara nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare.

“Citoj raportin e DASH e cila thotë se, qeveria duhet të konsiderojë këmbanë alarmi që sektorë si ndërtimi dhe turizmi janë duke pastruar paratë”, tha zonja Tabaku.

Deputetja demokrate duke analizuar shkaktarët e rënies së vlerës së Euros theksoi se Qeveria duhet të marrë përgjegjësi për këtë çështje dhe të zgjidhë urgjent situatën.

Duke dokumentuar këtë mospërputhje të investimeve në ndërtim dhe të ardhurave të shqiptarëve, Tabaku vuri në dukje se rënia e vlerës së Euros në Shqipëri, është një shqetësim real, për qytetarët të cilët janë të parët që preken drejtpërdrejt nga ky zhvlerësim.

Duke iu referuar ekonomisë së Shqipërisë, zonja Tabaku iu drejtua mazhorancës në Komision me pyetjen, se përse 5 mijë e 800 biznese janë mbyllur vetëm 5 muajt e parë të vitit.

“Përgjigjia e këtyre pyetjeve është paraja e drogës, si garancia e vetme e qeverisë për të mbajtur në këmbë krimin”, tha deputetja e PD Jorida Tabaku sot në Komisionin e Ekonomisë.

Gazetari investigativ, Artan Hoxha, të mërkurën, është shprehur se një nga faktorët kryesor të rënies së monedhës së euros në kursin e këmbimit në vend, ka ardhur për pasojë e aktivitit kriminal.

Hoxha në studion e emisionit “Opinion”, deklaroi se një faktor i tillë vihet re mjaft qartë në rritjen e ndjeshme kohët e fundit të bizneseve të lojarave të fatit.

Ai tha se kjo gjë ndodh, në një kohë kur në vend nuk janë rritur as lojtarët dhe as klientela, por janë shtuar në një mënyrë marramendëse kompanitë që operojnë në treg, madje edhe me nipt sekondar.

Mirëpo, -thekson Hoxha,- ajo që të bën përshtypje në gjithë këtë skenar është fakti se kompanitë me nipt sekondar zhvillohen më tepër se kompanitë që janë të licensuara për të operuar në tregun vendas.

“Nëse janë tre kompani të mëdha që operojnë në treg, realisht janë 22 operatorë që veprojnë dhe kanë një numër të madh punonjësish, por aty është edhe një nga fushat që nuk merret vesh se sa para investohet, si kalojnë dhe si qarkullojnë ato”,– tha ai.

Një faktor tjetër në ekonominë vendase është futja në tregun e ndërtimit të disa kompanive që në të shkuarën e tyre nuk kanë pasur një histori, por që veprojnë ndjeshëm në këtë sektor gjatë kësaj kohe.

Janë disa kompani që investojnë në fushën e ndërtimit dhe nuk kanë një histori të madhe në të kaluarën, por çfarë bëri futja e taksës së ndërtimit, nxori jashtë qarkullimit ato firma të vogla që investonin me parat e blerjes së apartamenteve nga njerëzit”,- tha gazetari.

Sipas tij, gjatë kësaj kohe janë futur në lojë disa klane të cilat kanë gjetur edhe mënyrat e mbulimit.

Ai pyet se pikërisht në këtë situatë, çfarë ka ndodhur? Duke shpjeguar se trafiku i drogës, si kokaina, kanabisi dhe heroina janë produkte që shiten me euro dhe çdo gjë që buron për rrjedhojë e një aktiviteti të tillë kryhet me euro.

Por, janë futur në lojë disa klane të cilat kanë gjetur edhe mënyrat e mbulimit. Çfarë ka ndodhur, trafiku i drogës, kokaina dhe heroina dhe kanabisi që ka qenë prodhim vendas dhe sot është stok nuk është shitur i gjithi. Të gjitha këto, janë produkte që shiten me euro. Aty çdo gjë bëhet me euro”,- tregon Hoxha në ‘Opinion’.

SHKARKO APP