Rezolutë e Komisionit Europian: Shqipëria probleme me korrupsionin. Të plotësojë kushtet
Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e vendosura që të hap negociatat. Eurodeputetët e Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë miratuan disa rezoluta këtë të martë, përmes të cilave mbajtën shënime mbi progresin e bërë dhe detyrat që duhet të plotësohen në vijim për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal i Zi, në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit të mundshëm në Bashkimin Europian. Sa i përket Shqipërisë, në rezolutën e miratuar me 44 vota pro, 5 kundër dhe 5 abstenime, europarlamentarët mirëpritën progresin e shpejtë të vendit tonë në lidhje me reformat e lidhura me integrimin europian, si dhe hapat e mëtejshëm të ndërmarra për të forcuar pavarësinë dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë shqiptare.
Edhe pse përgëzuan përmirësimet domethënëse të bëra nga Shqipëria për të forcuar kuadrin e saj ligjor dhe institucional, sikurse edhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar, eurodeputetët e këtij komisioni mbeten të shqetësuar nga niveli i lartë i korrupsionit, ritmi i ngadalshëm në vazhdimësi dhe mosefiçenca në sistemin e drejtësisë, dhe faktin se mangësitë në sundimin e ligjit dhe procedurat e vështira rregullatore vazhdojnë të pengojnë investimet në vend.
Megjithatë, rezoluta miraton rrugën e përcaktuar nga Këshilli për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë në qershor të vitit 2019, me kushtin që vendi të përmbushë të gjitha kushtet e nevojshme.
Në votimin për Kosovën, eurodeputetët mirëpritën legjislacionin e miratuar në kuadër të Agjendës Europiane të Reformave, por shprehin shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimi i vazhdueshëm politik në Prishtinë, që vijon të ndikojë negativisht në rrugën e reformave të qëndrueshme.
Për ta afruar Kosovën më pranë BE-së, liberalizimi i vizave është jetik për Kosovën pa vonesa të mëtejshme. Europarlamentarët mirëpritën faktin që Komisioni Europian konfirmoi se kërkesat për liberalizimin historik të vizave ishin përmbushur. Kjo vjen pavarësisht shqetësimeve kritike lidhur me gjyqësorin e nënfinancuar të Kosovës, korrupsionin e përhapur ngado, elementë të kapjes së shtetit dhe ndikimit të panevojshëm politik, të cilat duhet të adresohen të gjitha, përtej progresit të bërë për përmbushjen e kërkesave për liberalizimin e vizave.
Pas votimit në Komision, rezolutat pritet të shtrohen në tryezë për votim në seancën plenare të nëntorit në Bruksel.