Rikthehen sulmet ndaj medias. 10 plumba në shtëpinë e gazetares
Banesa e prindërve të gazetares Kloadjana Lala është sulmuar sot me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Bruk” në Tiranë. Në momentin e të shtënave me armë, gazetarja Klodiana Lala nuk ndodhej në banesën e prindërve, por të pranishme ishin dy vajzat e saj.
Në muret e banesës së familjes së gazetares Klodiana Lala ka shenja të dukshme plumbash. Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk ka persona të lënduar. Klodiana Lala është gazetare e kronikës së zezë në televizionin “News 24”. Ajo është e njohur për opinionin në mjaft investigime që lidhen me krimin e organizuar, por edhe me zyrtarë që janë në hetim. Sulmi ndaj Klodjana Lalës është një zhvillim negativ në Shqipëri për lirinë e medias. Që pas viteve 1997, presioni, kërcënimet fizike ndaj gazetarëve ishin zhvendosur në forma më të “buta”. Rikthimi të armët është një shenjë se krimi, i çfarëdo forme qoftë, po e sheh veten më të fortë nga shteti derisa qëllon në banesën ku ndodheshin fëmijët e gazetares.
Në njoftimin e policisë nuk jepen detaje mbi motivet, ndërkohë nuk përmendet as fakti se sulmi në banesën e prindërve është një formë presioni ndaj gazetares. Sipas njoftimit të policisë, “më datë 30.08.2018, rreth orëve të mëngjesit, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija” është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. L., rreth 64 vjeç. Nuk ka dëme në njerëz. Po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”,-thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Ngjarja e rëndë ka sjellë reagime të ashpra të komunitetit të gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i drejtuar nga Aleksandër Çipa, ka reaguar duke kërkuar hetim sa më të shpejtë nga ana e Policisë së Shtetit.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon me forcë sulmin e kryer në banesën e reporteres së njohur Klodiana Lala në mëngjesin e ditës së sotme. Vetë gazetarja Klodjana Lala, i tha zyrës së shtypit të UGSH-së se sulmi është një tentativë e pastër për të frikësuar atë dhe ka ndodhur për shkak të detyrës së saj si reportere. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka mësuar se ngjarja është e rëndë dhe serioze, pasi ndaj banesës së koleges sonë është derdhur një breshëri me plumba, duke rrezikuar jetën e pjesëtarëve të familjes së saj prindërore”,- thuhet në njoftimin e UGSH.
Unioni i Gazetarëve ka dhe një apel për forcat e rendit. “Policia nuk duhet të merret me detaje që çorodisin më shumë opinionin por të gjejë autorin ose autorët e kësaj ngjarjeje shumë të rëndë. Kur sulmohet lajmësi, rrezikohet rëndë një nga të drejtat themelore kushtetuese. UGSH është në kontakt intensiv me organizmat ndërkombëtare në Shqipëri për të kërkuar një angazhim sa më aktiv në mbrojtje të gazetarëve. Ne u bëjmë thirrje institucioneve shqiptare që nga Presidenti i Republikës, Kryeministri dhe veçanërisht Ministria e Brendshme të reagojnë menjëherë duke dënuar ashpër sulmin dhe të merren në mbrojtje reporterët”,- thuhet në njoftimin e UGSH.
Rama: E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala!
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për sulmin me armë ndaj banesës së gazetares, Klodiana Lala. Në një reagim në Twitter, Rama e cilëson ngjarjen si barbare dhe deklaron se institucionet janë duke bërë gjithë hetimet e duhura.
“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”,- deklaron Edi Rama.
Shezai Rrokaj: Liria e medias në rrezik
Deputeti i LSI, Shezai Rrokaj ka reaguar për sulmin ndaj banesës së gazetares, Klodiana Lala. “Plot 10 plumba në banesën ku ishin prindërit dhe vëllai i saj. Dënoj me forcë këtë akt mafioz, duke i shprehur gjithë solidaritetin e mbështetjen time gazetares Klodiana Lala si dhe vlerësimin për punën saj plot pasion e përkushtim në çështjet investigative, sidomos ato që lidhen me drogën dhe krimin e organizuar. I bëj apel Policisë dhe Prokurorisë të zbulojnë kërcënuesit dhe t’i vënë para drejtësisë. Kërcënimi me synim intimidimin e gazetarit është goditje në asht e demokracisë, duke vënë nën shënjestër lirinë e medias dhe të shtypit. Kjo është një kambanë alarmi për politikën, për organet ligjzbatuese, për gjithë shoqërinë. Krimi i organizuar ndihet i mbrojtur, më i fortë dhe më i sigurtë se kurrë, ndaj dhe guxon e godet mbi mbrojtësit e demokracisë, gazetarët. Si të mos mjaftojë shigjetimi dhe sulmi i vazhdueshëm ndaj gazetarëve dhe mediave, të cilësuara si “kazan” nga Kryeministri, ngjarja e sotme e rëndon edhe më tej panoramën. Paolo Borsellino ka thënë se mafia dhe shteti janë në të njëjtin terren. Problemi është nëse ata po e luftojnë njëri-tjetrin apo po e mbrojnë njëri-tjetrin. Ky rast, si shumë të tjerë, tregon se Qeveria aktuale është marrë peng dhe se nuk mundet dhe nuk e ka forcën goditëse ndaj tij”,- deklaroi Shezai Rrokaj.