Rikthimi pas 15 vitesh, Patriarku i Rusisë Kirill: Shqipëria ka bërë progres të madh

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në takim Patriakun e Moskës dhe Gjithë Rusisë, Shenjtërinë e Tij Kirill dhe delegacionin e lartë zyrtar që e shoqëron. Presidenti Meta, në vlerësim të kësaj vizite historike, nënvizoi mesazhet e rëndësishme që ajo përcjell, në dobi të paqes, mirëkuptimit, solidaritetit e harmonisë fetare.

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e Patriarkut Kirill në funksion të këtij misioni universal, referuar edhe takimit historik të Havanës, së dy viteve më parë, mes tij dhe Atit të Shenjtë, Papa Franceskut dhe mesazheve të përbashkëta që ata përcollën, jo vetëm për besimtarët e krishterë por për mbarë njerëzimin. Presidenti Meta theksoi se roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm për paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë midis popujve dhe kombeve.

Patriarku Kirill shprehu kënaqësinë që konstatonte një ndryshim dhe progres të madh në Shqipëri, në të gjitha fushat, nga vizita e tij e parë, para 15 viteve në vendin tonë.

Patriarku Kirill vlerësoi lartësimin e mëtejshëm të besimeve fetare në vendin tonë, çmoi lart harmoninë e bashkëjetesën tonë të mrekullueshme fetare dhe punën e shkëlqyer të klerikëve shqiptarë në këtë drejtim.

Duke çmuar punën e jashtëzakonshme të Kryepeshkopit Anastas në veçanti, Patriarku Kirill shprehu mirënjohjen edhe për të gjithë drejtuesit e besimeve fetare në vend, që e nderuan gjatë kësaj vizite.

https://www.facebook.com/kohajone/videos/818074695048736/

Presidenti Meta, vlerësoi kontributin e përkushtimin ndër vite të Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, jo vetëm në funksion të ringritjes kanonike e shpirtërore të Kishës, të arsimimit e përgatitjes së brezit të ri të klerikëve shqiptarë, por edhe për lartësimin e besimit e përhapjes së vlerave të patjetërsueshme të harmonisë dhe tolerancës fetare mes shqiptarëve.

Pas Presidentit Meta, Patriarku rus Kirill takohet me Kryeministrin Rama

Patriarku rus Kirill duket se do të ikë me mbresa pozitive nga vizita e tij në vendin tonë. Pas takimit me kreun e shtetit Ilir Meta, Patriaku i Moskës dhe Gjithë Rusisë zhvilloi një tjetër takim në Kryeministri, ku u prit nga kryeministri Edi Rama.

Në këtë takim, Patriarku rus shoqërohet nga Kryepeshkopi Anastas.

Pasi zhvilloi takimin, kreu i qeverisë zhvilloi një konferencë për shtyp me Shenjtërinë e Tij Kirill. Teksa e uroi për mirëseardhjen, Rama theksoi se kjo vizitë përkon me 110 vjetorin e Kishës autoqefale shqiptare. “Ju roj nga zemra mirëseardhjen dhe është një ndër për në. Përtej besimit Kisha ruse përfaqëson edhe një vatër kulture. Është një nga pikat e referimit. Më vjen mirë që vizita juaj përkon dhe me 110 vjetorin e Kishës autoqefale shqiptare. Uroj të largoheni nga Shqipëria me përshtypjet sa më të mira”, tha Rama.

Ndërkohë, Kirill u shpreh i impresionuar nga vizita e tij në Tiranë, ndërsa pohoi se kryeqyteti kishte pësuar ndryshime të mëdha. Mes të tjerash Patriarku rus nuk i kurseu lëvdatat për kryeministrin Rama, gjatë kohës që ky i fundit ishte drejtues i Bashkisë së Tiranës.

Kryeministri Edi Rama: “Ju uroj nga zemra mirëseardhjen! Natyrisht është një nder për ne që ju kemi këtu. Kisha ruse, përtej besimit, përfaqëson edhe një vatër të jashtëzakonshme të artit dhe të kulturës. Për mua personalisht është një nga pikat e referimit, Andrei Rublev, por dhe liturgjitë e Tchaikovsky dhe Rachmaninoff.

Më vjen jashtëzakonisht mirë që vizita juaj përkon edhe me 110-vjetorin e Kishës Autoqefale Shqiptare. Kisha e parë ishte kisha e Shën Gjergjit në Boston dhe themeluesi i saj, Imzot Fan Noli, u shugurua prift nga peshkopi rus i New York-ut, Imzot Platoni. Kështu që ka një përkim shumë të bukur me ardhjen tuaj, tani në fund të prillit, pasi në mars u festua dhe ditëlindja e Kishës Autoqefale.

Ju më thatë që jeni të impresionuar nga ndryshimet e mëdha të Tiranës. Shpresoj që të largoheni nga Shqipëria me një përshtypje sa më të mirë”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155771882506523/

Shenjtëria e Tij Kirill, Patriark i Moskës dhe gjithë Rusisë: “Shkëlqesia juaj, ju faleminderit shumë për këtë pritje! Unë jam vërtet shumë i impresionuar nga ato arritje, nga ajo punë që është kryer këtu në Tiranë. Këto janë ndryshime vërtet të jashtëzakonshme. Sot i thashë zotit Anastas që tani që kam ardhur për herë të dytë, për herë të parë kam qenë në vitin 2003, unë nuk e njoh këtë vend. Tirana u ndryshua shumë, tani është vërtet qytet shumë i bukur. Unë e di që merita është shumë e madhe dhe kjo ju përket juve si kryebashkiaku i Tiranës. Unë ju përgëzoj për ato vepra të mëdha që keni kryer në atë post. Unë besoj që është fati i Tiranës që për disa vite ky qytet është drejtuar nga njeriu i artit. Ju si artist e dini shumë mirë që çështjet estetike luajnë një rol shumë të madh në jetën e njeriut. Estetika është shfaqje e jashtme e harmonisë, por, kur flasim për harmoninë, nuk flasim vetëm për gjëra të jashtme, por edhe ato të brendshme. Tani mund të theksoj edhe njëherë lidhjen e ngushtë midis punës së njerëzve të kulturës dhe punës së kishës. Andrei Rublev ka krijuar kryeveprat e tij, sepse ato mishërojnë eksperiencën e tij shpirtërore.

Në një vizitë timen, nuk do t’ju them konkretisht në cilin vend, unë pata mundësi të njihesha me shembujt e artit modern. Unë nuk do të konkretizoj emrin e kësaj pikture, por kur ma ofruan dhe më pyetën cili është impresioni juaj për këtë pikturë dhe ata prisnin që unë si njeri ortodoks, njeri besimtar do ta kritikoja atë pikturë, sepse ajo ishte shumë e largët nga perceptimet e mia të kulturës. Por përgjigja ime ishte e çuditshme për ata njerëz. Thashë që ajo është një pikturë shumë e fortë. Ajo më tronditi.

Më thanë, a mund ta shpjegoni pak?

Po patjetër, tani do jua shpjegoj. Unë thashë, në këtë vepër arti mishërohet gjendja shpirtërore e autorit.

Nëpërmjet artit, si nëpërmjet një dritareje të vogël, ne mund të studiojmë shpirtin e njeriut. Përveç artit nuk ka asnjë gjë tjetër që mund të përcjellë në mënyrë kaq të qartë botën shpirtërore të njeriut. Prandaj unë nuk them në asnjë mënyrë që kjo është mirë, kjo është keq. Unë them kjo është e mirë, nëse është autentike dhe ka përcjellë gjendje shpirtërore. Nëse është autentike, është e mrekullueshme, edhe nëse është e shëmtuar në aspektin estetik”.​

Presidenti Meta me Patriarkun e Rusisë: Feja duhet t’i shërbejë gjithmonë paqes, dashurisë dhe harmonisë

SHKARKO APP