Ristani: Po shikojmë braktisjen përfundimtare të Kuvendit si Opozitë


Sjellja e Edi Ramës në Kuvend do të jetë një nga arsyet e bojkotit nga opozita. Arben Ristani, sekretari i përgjithshëm i PD-së thotë se Rama e ka kthyer kuvendin në një strehë të krimit dhe me sjelljen e tij kërkon t’u hyjë në zemër të fortëve me të cilët shoqërohet. PD thotë se Edi Rama do të vjedhë votat siç bëri në Dibër ndaj nuk futemi në zgjedhje me kryeministër Edi Rama. Janë gati të pranojnë çdo emër tjetër për kryeministër, por jo me Ramën në zgjedhje.

Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, Ristani u shpreh:

Parlamenti ka humbur çdo lloj legjitimiteti. Më e rënda është se po bjerret çdo ditë edhe serioziteti. Qytetarët janë të detyruar të dëgjojnë Edi Ramën, me fjalorin e tij vulgar e seksist. Një fjalor rruge, që shan e fyen këdo që i vë në dukje dështimet e tij, pasi s’ka asnjë argument të faktojë të kundërtën.

Mazhoranca e ka kthyer parlamentin në noter të akteve korruptive të Edi Ramës, siç ishte ligji i mbetjeve, për të cilin edhe pse u betua se kurrë nuk do ta lejonte, tani e mbron me pasionin më të madh. Nga arenë e debatit qytetar, Edi Rama e ka kthyer këtë parlament në një strehë të krimit, të biznesmenëve klientë, me të cilët ndan paratë e buxhetit të shtetit dhe përmes vendimeve të tij antiligjore kërkon të kontrollojë të gjitha hallkat e pushtetit, siç bëri edhe me ligjet e drejtësisë, pasi humbi betejën kushtetuese.

Njerëzit zakonisht e mbyllin jetën publike atje ku e kanë filluar. Edhe Edi Rama po kthehet si dikur, një gastor pa shije, një njeri që kërkon me çdo kusht të sillet si lac dhe t’i hyjë në zemër të fortëve që mbledh përreth. Por, ne nuk mund ta shoqërojmë Ramën në aktin e fundit të degradimit të tij. Bojkoti, braktisja përfundimtare e këtij parlamenti është një opsion, i cili për mendimin tim, duhet të zbatohet sa më parë. Ai institucion nuk po prodhon asnjë të mirë për qytetarët”.

Lulzim Basha nga Mati

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dëgjoi dhe bashkëbisedoi me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike të Matit, nga ku bëri theksoi se çdo shqiptar e ka të qartë se me Edi Ramën situata vetëm do të përkeqësohet. Basha tha se me Edi Ramën nuk do të ketë zgjedhje të lira.

“Në fund të mandati ai s’ka asnjë bilanc, prandaj shpreson që me paratë e drogës dhe shantazhin e krimit të grabisë votat e qytetarëve. Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje”, – tha Basha duke artikuluar kushtet e patjetërsueshme për opozitën: “Dy janë kushtet të patjetërsueshme: zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme”, – tha kreu i opozitës.

Ndër të tjera, në këtë takim, ai u njoh me shqetësimin e madh të banorëve për kultivimin e drogës.

“Trafikantët i marrin gratë dhe të rinjtë si skllevër me sy të mbyllur dhe i çojnë të punojnë në arat e kanabisit, nën mbrojtjen e drejtuesve të policisë që ndajnë me ta paratë e drogës. Kjo gjendje, është pasojë direkte e inkriminimit të shtetit. Kriminelëve dhe trafikantëve që i futi në Parlament dhe administratë, Edi Rama u hapi rrugët e drogës ndërsa qytetarëve u la si alternativë varfërinë, emigracionin ose punën si argat në arat e kanabisit.

I hapën dyert krimit, i kandiduan për deputetë, i futën në Parlament, i bënë kryetar bashkish. Por nuk u mjaftuan; i bënë drejtorë në administratë, i bënë shefa komisariatesh e drejtore krimesh si këtu në Burrel. Efekti kulminant i kësaj politike të pastër të inkriminimit të shtetit është mbulimi i gjithë sipërfaqes së vendit nga droga. Mbulimi i vendit me drogë është projekt politik i Edi Ramës. Ky njeri jo vetëm nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, por që ditën e parë i braktisi ato, nuk u përpoq t’i mbante, nuk kishte ndërmend t’i mbante. Çfarë kishte ndërmend e pamë. Tani që ditët e mandatit po i mbarojnë e kemi fare të qartë se çfarë kishte ndërmend. Kishte ndërmend që buxhetin ta mbante për vete dhe për një grusht miqsh. Kishte ndërmend që krimit që e solli në pushtet dhe e mban në pushtet t’i hapë dyert e drogës dhe popullin ta vinte përpara disa alternativave; varfëri, emigracion, burg ose argat në kooperativën e drogës të Edi Ramës me shokë”,  – tha Basha

SHKARKO APP