Ristani: Rama do rrëzohet me çdo mjet; Pakti për detin do burra shteti, jo…
Flet për “Koha Jonë”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani: Pakti për detin? Çështje të tilla duan burra shteti, jo banditë. Të bëhen publike bisedimet
Intervistoi: Redjon Shtylla
Pas protestës së frontit opozitar më 27 janar përballë kryeminstrisë, pyetja që kërkon përgjigje është se çfarë do ndodh me aksion opozitar? Për Arben Ristanin, rruga e luftës opozitare është e ashpër, dhe se me çdo mjet dhe formë përballja e Ramës me zemëratën e popullit është e pashmangshme. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, shprehet se opozita do i prijë zemërimit popullor dhe do vendos qeverinë antimafie. “Qeveria antimafia është zgjidhje për të dalë nga kriza në këtë moment, sepse është emergjente ndarja e qeverisë nga krimi dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”. Lidhur me çështjen e marrëveshjes me Greqi për paktin e detit, Ristani thekson se çështje të tilla duan burra shteti, ku i kërkon qeverisë të publikojë bisedimet. “Për hir të së vërtetës nuk pres nga Rama dhe të vetët që të kenë ndjeshmëri për ligjin, për anti-ligjin e kemi të provuar që flenë me të”.
Çfarë ndodh pas 27 janarit? A ka plan konkret opozita për ta rrëzuar kryeministrin, apo siç e shohin edhe kritikët, që njëra pjesë brenda e opozitës flirton me Edi Ramën dhe ngadalëson pjesën radikale të opozitës?
27 janari ishte një stacion i rëndësishëm në rrugën e aksionit opozitar. Ai tregoi qartazi, duke ju referuar pjesëmarrjes, se vetëm 6 muaj pasi Rama mori pushtetin, revolta popullore ndaj varfërisë, korrupsionit, keqqeverisjes, hajdutërisë, krimit në pushtet, është rritur shumë dhe do të rritet akoma më shumë. 27 janari ishte koncentrim, nën udhëheqjen e opozitës, i zemërimit dhe kundërshtisë popullore, që ka nisur të shpërthejë kudo në Shqipëri, si janë rastet e protestave të naftëtarëve, apo protestat kundër djegësve të plehrave që Rama po i vendos në disa nga qytetet kryesore të vendit. 27 janari i tregoi, besoj qartasi Ramës se demagogjia e tij, dhe i gjithë sistemi i propagandës fasadë nuk ja ka errësuar njerëzve llogjikën, shikimin dhe kuptimin e asaj që realisht po ndodh në këtë vend. Protesta i tregoi Ramës se ai nuk i shpëton dot përballjes me hallet e mëdha që i ka krijuar këtij populli. Ajo që do të ndodhë në vazhdim është ashpërsimi i luftës opozitare, vazhdimi i saj me konseguencë, me mjetet, format dhe metodat që demokracia njeh dhe pranon.
Në fund të protestës, z.Basha kërkoi krijimin e një qeverie anti-mafie. Si mund të arrihen në këtë pikë? Edhe në çadër e njëjta kërkesë ishte, pjesëmarrje në zgjedhje me qeveri teknike, por që bashkë me Ramën në zgjedhje shkuat edhe me një marrëveshje. Kjo është kauza e opozitës, qeveri teknike?
Kauza e opozitës, si kudo në botën dhe sistemet demokratike, është ardhja e saj në pushtet, me bindjen se e lufton më mirë dhe më fort krimin në pushtet dhe në rrugë, me bindjen se e zhvillon më mirë ekonominë, se e lufton më shumë dhe më mirë varfërinë, se ja hap dhe ja zgjeron më shumë vendit rrugët e integrimit. Pra, kauza e opozitës është shumë më e madhe dhe shumë dimensionale. Qeveria antimafia është zgjidhje për të dalë nga kriza në këtë moment, sepse është emergjente ndarja e qeverisë nga krimi dhe krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Qeveria që u formua, pas marrëveshjes që parapriu zgjedhjet e kaluara, kishte pikërisht këtë objektiv, të mos lejonte krimin të blinte dhe dhunonte zgjedhjet. Nuk ja dolëm, kjo është e vërtetë, por asgjë nuk na pengon të ecim përpara duke mësuar nga dështimet. E rëndësishme është që të krijojmë bindjen tek të gjithë, brenda dhe jashtë vendit, se qeveria antimafie është zgjidhja, se vetëm ajo mund të shkulë krimin nga qeveria dhe të krijojë terren për zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Krijimi i kësaj bindje dhe presioni ndaj pushtetit kriminal, me protesta dhe forma të tjera të luftës opozitare, do çojë në mënyrë të sigurtë të qeverisë antimafie.
z.Berisha ka folur qartë për qëndrimin e tij, i cili shkon deri në djegien e mandateve. Për ju, nëse një opozitë thërret shqiptarët në shesh për rrëzimin e qeverisë, por nuk arrin fundin, duhet të shkojë në djegie mandatesh si shenjë që qëndrimi i saj në kuvend nuk ndryshon, por përkundrazi mbështet qeverinë?
Rrëzimi i qeverisë nga pikpamja e luftës opozitare, është e sigurtë që nuk ndodh për një ditë, as për dy, por kërkon kohën e mjaftueshme që i duhet pjesës më të madhe të shoqërisë, të bindet për ta rrëzuar qeverinë. Rrëzimi i qeverisë nuk vjen as nga një protestë dhe as nga dy, por kërkon krijimin e bindjes së thellë të njerëzit se kjo bandë në pushtet, jo vetëm nuk duhet votuar më, por duhet të ngrihemi të gjithë, i madh e i vogël, në çdo cep të Shqipërisë dhe ta heqim nga qafa këtë të keqe të madhe. Djegja e mandateve është sigurisht një rrugë, një mënyrë, për ta radikalizuar situatën, por për mendimin tim, ajo bëhet kur e gjithë opozita, pra jo vetëm PD-ja, bie dakort si zgjidhja e vetme e situatës. Megjithatë, mbetet zgjidhje e hapur për një moment, kur të gjitha rrugët e tjera shterohen.
Së fundmi PD-ja ka kërkuar që qeveria të ndryshojë kursin e votës në OKB kundër propozimit të SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të izraelit, por nuk është pak si i vonuar si reagim?
Është e mira që të mos i vëmë lupën çdo veprimi të opozitës. S’ka kuptim të meremi e tha mirë opozita, se tha mirë e tha një ditë më vonë apo e tha një ditë më herët, e tha me zë të lartë apo e tha me zë shumë të lartë. Në na ka zënë halli madh, ne po na ikën fuçia e vajit, e dikush thotë të ndjekim kokrrën e ullirit. Banda në pushtet po na varfëron, po na zhvat, po na dhunon përditë dhe sikur mos të mjaftojë kjo po na prish edhe me miqtë e mirë që kemi. Rama votoi kundër interesave të mikut tonë më të mirë dhe më të madh. Kaq. Ka vend këtu të merremi se kur reagoi opozita?!
Marrëveshja e fshehtë Bushati-Kotzias në hotelin e Korçës, mediat në Greqi shkruajnë se Shqipëria i jep Greqisë detin. A mendoni se bisedimet Shqipëri-Greqi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve do të japin rezultate konkrete?
Së pari bisedime të tilla që kanë të bëjnë me çështje shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme, që prekin interesat e vendit, duhet të jenë transparente. Mungesa e transparencës është kushti i parë që ngre shqetësimin e madh për mbarëvajtjen e tyre. Së dyti bisedime të tilla dhe çështje të tilla duan burra shteti, që mendojnë për vendin dhe popullin e tyre dhe jo banditë e hajdutë që mendojnë për xhepat e tyre. Dhe së treti, në çdo rast duhen ndjekur procedurat dhe duhen zbatuar kushtetuta dhe ligjet e këtij vendi. Për hir të së vërtetës nuk pres nga Rama dhe të vetët që të kenë ndjeshmëri për ligjin, për anti-ligjin e kemi të provuar që flenë me të.
Gjatë këtyre ditëve janë rikthyer në media ish-zyrtarët e PD-së, të cilët vijojnë akuzat ndaj kryedemokratit Basha në lidhje me rezultatin e humbjes së zgjdhjeve të 25 qershorit, dhe për riorganizimin e strukturave. Është ky çasti i duhur që PD-ja të nis valën e protestave?
Organizimi i brendshëm i PD-së, është proces statutor dhe nevojë e situatës, e cila kërkon një opozitë të fortë, të mirorganizuar dhe të mirorientuar, për të dhënë zgjidhjet që ky popull ka nevojë. Ndërkohë koha po kërkon edhe protestat si formë dhe armë popullore, kundër qeverisjes së keqe. Do i bëjmë të dyja, edhe do organizohemi edhe do i prijmë zemërimit popullor. Zgjedhjet që ikën tashmë janë e kaluara që nuk e ndryshojmë dot, por e mbajmë në mendje për të ditur çfarë dhe si ndodhi dhe për të marrë masat që të mos ndodhë më.
Ambasadori Lu ka folur për një ngërç të ngritjes së institucioneve të drejtësisë, duke i thënë klasës politike ti futet punës, dhe mos gjejë fajtorë të jashtëm për një reformë që nuk po bllokohet nga SHBA dhe BE. Atëherë kush po e bllokon?
Nga momenti që Parlamenti i Shqipërisë miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapnin rrugë reformës në drejtësi, i vetmi faktor që e pengon këtë reformë, është Rama dhe të vetët, të cilët duan që ajo, të mos bëhet në fakt, ose edhe në rast se përfundon, Rama të ketë mundësinë të jetë vetë prokuror, vetë gjykatës, vetë ti emërojë dhe vetë ti vetojë. Kushtetuta dhe ligjet kanë ngritur mekanizma të tillë, që nuk i japin mundësi opozitës të bllokojë procesin, pavarësisht se as nuk na ka vajtur kurrë në mend. Nga ana tjetër, është normale me aq sa ka abuzuar Rama dhe të vetët, aq sa kanë vjedhur ai, Saimiri, Beqja e soji i tyre, (200 milion dollarë thoshte para pak kohësh OSBE për pasurinë e Ramës), ju duhet patjetër të kapin drejtësinë që të mund të gëzojnë paratë. Është e ditur që kur kërkon të gjesh përgjegjësin, e para që kërkohet është kush përfiton?
Opozita në 5 vite ka denoncuar lidhje të krimit me qeverinë. Por në këtë mori denoncimesh dhe skandalesh, si e shpjegoni që Rama dhe qeveria e tij vijojnë të kenë mbështetjen jo vetëm të shqiptarëve por edhe të ndërkombëtarëve?
Rama dhe banda e tij nuk ka dhe nuk mund të ketë mbështetje as te shqiptarët dhe as te ndërkombëtarët. Asnjëri me dy pare mend, nuk përkrah varfërinë, dhunën, drogën, korrupsionin, me përjashtim të atij që përfiton prej tyre dhe vlerat morale njerëzore i mungojnë. Por, ju keni të drejtë në pyetjen tuaj, sepse një perceptim i tillë, deri diku qëndron. Rama ka akumuluar shumë para nga abuzimi me pushtetin dhe droga. Besoj e kujtoni përgjimin e Italianëve për bandën e Saimir Tahirit. Ka një moment aty kur bashkëpunëtori i Tahirit thotë se, me aq para sa ka ai vetë edhe në Hënë. Pra me paratë e shumta kriminale, ata kanë aritur të krijojnë perceptime të rremë sikur populli dhe ndërkombëtarët i duan.
Pas kundërshtimeve për kryeprokuroren, a ka mundësi për konsensus mes PD-PS, për vijimin e zbatimit të reformës në drejtësi dhe ngritjen e institucioneve të reja, pasi mungesa e tij rëndon edhe në çeljen e e negociatave. A ka opozita një kusht të sajin për uljen në tryezë dhe gjetjen e një zgjidhjeje?
Kushti i vetëm i opozitës, ose më mirë rruga e vetme që opozita ka është zbatimi i kushtetutës. Asgjë e mirë nuk del nga anti-ligji. Ju e shikoni sa keq, sa shëmtuar duken kukullat e Ramës, kur zgjedhin në organet më të larta të drejtësisë shqiptare, ish-komunistë, ish-punonjës të shërbimeve sekrete të diktaturës, si ai me pseudonimin “telefoni” apo njerëz që nuk plotësojnë asnjë kusht ligjor dhe moral për të marrë detyra të tilla. Nuk na pranon Europa, nuk i hap negociatat e anëtarësimit sepse ne mendojmë që ua hodhëm me këtë pseudoreformë. Opozita për më tepër, e di mirë se Ramës “telefonët” dhe kuklla të tilla i duhen që të jetë vetë pas gjithçkaje.
Beteja e re maxhorancë-opozitë, është propozimi i PS-së që Prokuroria duhet të sjellë prova në Parlament, për arrestimin e deputetëve. E shihni si mbrojtje të PS-së, pasi parlamenti nuk është gjykatë? Kë kërkon të mbrojë Rama?
Pikërisht, në rrjedhën e asaj që thamë pak më sipër, Rama po përpiqet të bëjë çdo gjë për ti shpëtuar veprimit të ligjit. Ashtu si bëri me Tahirin, por këtë herë duke u sofistikuar pak, kërkon të ngrejë barriera mbrojtëse për të mbrojtur veten dhe shokët e Tahirit, nga akuzat për korrupsion, vjedhje, trafik drogë e pisllëqe të kësaj natyre.
Ndërkaq ditët e fundit palët janë përfshirë në një debat të ashpër sa i përket përzgjedhjeve të kandidatëve për anëtarë të KLGJ dhe KLP. PS pretendon se procesi është ligjor, ndërsa opozita thotë që ai është antikushtetues. Jo vetëm kaq, por PD-ja tashmë i ka hapur dosjet për disa prej këtyre emrave të përzgjedhur me short. A ka një strategji PD-ja dhe opozita për të bllokuar votimet e tyre në Kuvend?
Kjo pyetje mori një përgjigje pak më lart, por doja të korrektoja diçka: Opozita nuk ka dhe nuk mund të ketë strategji bllokimi. Opozita thjesht nuk bëhet pjesë e anti kushtetutshmërisë dhe anti ligjit. P.sh. kemi rënë dakort me kushtetutë dhe ligj që ONM, apo operacioni ndërkombëtar i monitorimit, do japi vlerësimin e tij për çdo kandidaturë për këto organe. Atëherë kur ONM thotë se kjo kandidaturë konkrete duhet skualifikuar sepse nuk i plotëson kushtet dhe Rama thotë jo, do kalojë se e di unë ç’farë mbetet për opozitën? Apo rasti emblematik i atij me pseudonimin “telefoni”, ç’të bëjë opozita, të votojë gjoja, se mos vallë këtë do Europa, dhe nuk na pranon po nuk votuam “telefonin”?
Për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, PS-ja duket se po i japin rëndësi votës së emigrantëve, duke bërë dhe propozime konkrete. Ndërkohë, aleatët e PD-së kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor. Cili është qëndrimi i PD-së për këtë reformë në raport me këto propozime? Si e keni menduar zgjidhjen e problemeve të mbartura zgjedhore, si: shit-blerja e votës, intimidimi i zgjedhësve, etj?
PD-ja prej shumë kohësh ka paraqitur një platformë të qartë, për mënyrën dhe rrugët ku duhet të eci reforma zgjedhore. Një nga pikat kryesore të kësaj platforme ka qenë dhe mbetet votimi elektronik, që përmbledh edhe identifikimin biometrik të zgjedhësve, edhe numërimin e votave, edhe nxjerrjen e rezultatit. Bërja e mundur e përdorimit të kësaj teknologjie i hap rrugë edhe votimit të emigrantëve. Sigurisht që votimi elektronik nuk i zgjidh të gjitha hallet, dhe për hir të së vërtetës, asgjë nuk i zgjidh plotësisht hallet zgjedhore, përveç vullnetit politik, por votimi elektronik shmang një pjesë të manipulimit zgjedhor. Për sa i përket sistemeve zgjedhore, ato janë llogari të pastra politike dhe nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pra sistemi zgjedhor në vetvete nuk ndikon në drejtësinë e zgjedhjeve. Gjithsesi PD-ja çelsin e fitores nuk e ka tek truket elektorale, por te mbështetja e gjerë popullore.