Roger Scruton: Rama mëson nga Toni Bler si të qëndrojë më gjatë në pushtet
Filozofi britanik Roger Scruton ishte prej disa ditësh në vizitën e tij të parë në Tiranë, ku u nderua nga UET me titullin “Doctor Honoris Causa” për kontributin e gjerë e të thellë në filozofi, në mendimin politik dhe në përkufizimin e disa prej sfidave më të mëdha të kohëve të sotme, si: demokracia, kombi, të drejtat, feja, morali, e mira e përbashkët. Me 30 vepra të botuara, analiza politike e estetike, kompozitor i dy operave dhe autor i shumë punimeve mbi filozofinë, artin, etikën, moralin, Roger Scruton njihet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht si një prej mbrojtësve më të mëdhenj të mendimit konservator të së djathtës. ABC News bisedoi me profesorin që mediat britanike e veçojnë si një prej filozofëve më të arrirë bashkëkohorë, pikërisht në ditëlindjen e tij të 72-të.
Intervistoi Mimoza Koçiu
E pyetëm së pari, për sfidën e kapitalizmit për të cilën ka folur në Tiranë.
Sot bota ka ecur, e flasim për ekonominë e lirë. Çfarë e bën një ekonomi të lirë? Që njerëzit të kenë të drejtën e pronës, të drejtën për ta zhvilluar e për ta shitur, shkëmbyer e kështu me radhë, e kjo është ajo çfarë kërkohet sot në Shqipëri. Njerëzit e kanë të drejtën e pronës deri në një farë mase, por vetëm deri në një farë mase sepse shumë njerëz nuk e dinë nëse janë pronarë të një shtëpie apo jo dhe kjo është kaq e paqartë, sepse askush nuk e di nëse ajo nesër mund t’i merret nga ndonjë gangster. Nëse ke një kontratë për të shitur diçka, ju nuk e dini nëse ajo kontratë do mbetet në fuqi, sepse gjykatësi mund të korruptohet nga dikush.
Duket sikur na njihni mirë?
Është kaq e dukshme…
E zbuluat këto tre ditë në Shqipëri?
Po tamam. Shqiptarët janë të burgosur nga prona e tyre, nuk e zotërojnë atë.
Meqë po flasim për Shqipërinë, keni takuar udhëheqësit më të lartë në vend, kryeministrin, liderin e opozitës dhe ish-kryeministrin. Çfarë mendoni për ta sepse konservatorët, të djathtët dhe laburistët, të majtët nuk janë e njëjta gjë në Shqipëri në konceptin që ju keni në Britaninë e Madhe. Ka ndryshim edhe në Francë p.sh.
Po, Shqipëria është ndryshe. Por ka një ndarje dhe për këtë kemi folur sot. Socialistët në tërësi besojnë në rishpërndarjen e të mirave mes njerëzve. Janë konservatorët sipas bindjes sime, apo liberalët siç quhen këtu, që besojnë te krijimi i lirisë për ndërmarrjet, sepse vetëm përmes sipërmarrjes së lirë të individëve, mund të krijohet e mira materiale. Dhe unë jam dakord me këtë, që ekonomia e lirë vjen e para e më pas shteti mund të futet, përmes taksimit të njerëzve e rishpërndarjes së produkteve, që të ndihmojë ata që janë në vështirësi, por kjo duhet bërë në mënyrë të kujdesshme. Politikanët tuaj po përballen me një situatë krejt të ndryshme. Po përballen me situatën e ekonomisë bandite e shumë prej këtyre banditëve janë në parlament apo në qeverisjen vendore. Çfarë do bëhet me këtë situatë? Sali Berisha e ka të qartë këtë, sepse ai pati detyrën e tranzicionit të vendit nga komunizmi. Nuk e di, e nuk është puna ime të ndërhyj në politikën shqiptare, por nuk e di nëse Edi Rama shqetësohet vërtet për këtë. Mendoj se Lulzim Basha shqetësohet, sepse na e tha sot këtë të gjithëve dhe ishte shqetësimi i tij kryesor. Së pari, duhet të kuptohet se ka një problem, e më pas të përballesh me të. Por si mund të përballesh me të sepse përballesh jo thjesht me njerëz që bëjnë hile, pra që marrin përfitime të paligjshme, duke e anashkaluar ligjin, por përballesh me kriminelë të dhunshëm e mbase duhet ta paguash me jetë, nëse përballesh me ta. Kjo është ajo çka të rinjtë e Shqipërisë duhet të bëjnë, njëlloj si siçilianët e rinj kanë bërë së fundmi, duke thënë mjaft më me këta njerëz e duhet të përballemi forcërisht me ta.
E dini që kryeministri ynë është i frymëzuar nga New Labor i Tony Blerit. Mendoni që kjo është rruga e duhur? Sot në Britani, Tony Blair nuk është më popullor… Si e shikoni këtë? Jo si konservator, sepse keni konflikt interesi
Çfarë bie në sy mes Ramës e Bler është se z. Bler ishte shumë i suksesshëm. Ai ndenji për 13 vjet në qeveri, por tani nuk është aspak popullor, si të gjithë politikanët fundja, cikli politik i jetës. E çka vlen për z. Rama që të këshillohet nga z. Bler është, se si ia doli? Dhe kjo është realisht lloji i këshillës që politikanët marrin zakonisht nga njëri-tjetri,d.m.th, JO cila është gjëja e duhur që duhet bërë për njerëzit, por si mund të rri në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur.
Kjo është interesante. Le të ndalemi pak tek libri juaj. Titulli është “Si të jesh i djathtë?” Më lini ta bëj ndryshe pyetjen “Përse duhet të jesh i djathtë”?
Po, e drejtë, përse. Sepse siç them në librin tim, kjo është zgjidhja e vetme racionale për kushtet në të cilat ne, në Europë në përgjithësi e shohim veten, gjendemi. Ne kemi trashëguar një qytetërim shumë kompleks, por një qytetërim të madh që na ka dhënë shumë gjëra, si: lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës, një bazë të mënyrës se si merresh vesh me tjetrin, paqe në pjesën më të madhe, që gjithmonë është nën kërcënim, gjithnjë e kërcënuar. Kërcënimet madje ndryshojnë. Sot p.sh. është nën kërcënimin e islamit radikal dhe nga migracioni masiv që nuk kontrollohet. E duhet të jemi të qartë se këto janë gjërat e mira që duhet t’i ruajmë e prandaj them se konservatorizmi është qasja e duhur. Duhet t’i përcaktojmë vlerat e mira dhe duhet t’i ruajmë ato. Këtu në Shqipëri duhet ta pranoj, nuk duam të ruajmë kulturën e korruptuar kriminale që keni, por nën të, nën gjithçka që Hoxha tentoi të shkatërronte, ekziston mënyra e vjetër shqiptare e të bërit të gjërave. Ka një komunitet interesant njerëzish që janë kryesisht besimtarë. Ata ndajnë njohuri, interesa si shqiptarë, neutralizojnë çdo lloj diference mes ortodoksëve, katolikëve e myslimanëve. Dhe kjo është një arritje shumë e rëndësishme. Besoj se shqiptarët duhet të bëjnë atë që kemi bërë ne në Britani, të gjejnë pjesën e mirë të trashëgimisë dhe të punojnë për ta ruajtur, sepse kështu do keni diçka për të ndërtuar mbi të. Natyrisht duhet të ketë ndryshime në kulturën kriminale e kjo është një arsye, e kjo është e vërtetë e të gjithë shqiptarët e kuptojnë këtë, edhe vetë kriminelët e nuk duan të paguajnë çmimin e kësaj
Por problem në Shqipëri është mosbesimi te partitë politike. Si mund të ndryshojnë gjërat kështu?
Mosbesimi te proceset politike haset kudo nëpër Europë e kjo nuk është për t’u habitur sepse politikanët kanë zbuluar pak si tepër anën e tyre njerëzore. Ata janë po aq të korruptuar sa ju dhe unë, e prandaj dështojmë. Ata nuk e kanë dinjitetin e postit që ne mendojmë se duhet ta kenë. Që nga brezi i prindërve të mi, pjesëmarrës në luftë, kur Çurçilli ishte kryeministër, e dini, njerëzit kishin figurën e një njeriu të madh, francezët kishin de Golin. Njerëzit besonin qartazi tek ata, jepnin jetën. Thoshin më merr edhe mua, unë do luftoj me ty. Sepse e dinin që ata burra kishin një kod nderi, një ndjenjë të detyrës. Kjo ishte pjesë e edukimit të tyre. Sistemi i edukimit sot nuk e ngulit nderin në kuptimin e detyrës te njerëzit. Pra, duhet nisur që aty. Duhet filluar me edukimin e njerëzve, që të bëhen liderë, të bëhen udhëheqës politikë, e pastaj besimi tek ata do kthehet. P.sh. në vendin tim ka besim të qytetarëve te kryeministri David Cameron, pjesërisht se ai është edukuar në atë mënyrë, që të jetë një xhentëlmen, të jetë njeri i ndershëm, pra me vlerat e qytetarisë, pra jo thjesht vlera politike, por vlera qytetare. Dhe besoj se institucionet private, shoqatat, ato mund të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Shqipëri, nëse njerëzit do përfshihen në këtë gjë dhe besoj se të rinjtë kanë një dëshirë natyrale që të bëhen të besueshëm. Thjesht u duhet mundësia që të krijojnë institucionet që do ta bëjnë të mundur këtë gjë
Meqë përmendët besimit te Cameron-i, keni një sfidë të madhe në Britani, Brexitin. Çfarë mendoni për të? Britanikët do vendosin me referendum nëse duhet të dilni nga BE, ndërsa ne në Shqipëri po përpiqemi shumë të hyjmë në BE
Qartë. Nëse duhet të dilet apo të hyhet në BE, kjo varet nëse njerëzit do i besojnë apo jo Cameron-it. Dukshëm pikërisht sepse i besojnë atij, ata mendojnë se ai ka dhënë argumente të forta se pse duhet qëndruar në BE. Dhe kjo bën që njerëzit të hezitojnë që të dalin jashtë BE-së. E sigurt, se njerëzit do prireshin të votonin daljen nga BE, nëse do kishin një lider që do i frymëzonte për daljen. Por Cameron-i thotë se nuk do ju nxjerr jashtë. Dhe është e dukshme që mund të qëndrojmë edhe pse ndjenjat e qytetarëve të zakonshëm janë shumë anti BE-së për shkak të problemit të emigracionit. Siç e dini kemi 300 mijë njerëz që vijnë çdo vit te ne e ne nuk mundemi ta menaxhojmë këtë. Ju keni të njëjtin problem me 100 mijë që largohen nga vendi. Pra ka një problem të madh, që nuk ka një zgjidhje të lehtë, por lidershipi mbetet i rëndësishëm.