Rreziku Edi Rama dhe e keqja Lulzim Basha

Edi Rama, kush e njeh mirë, ka një tendencë autoritare të jashtëzakonshme për përqëndrim pushteti. Ka, për dreq, edhe një aftësi të lindur komunikimi. Edhe të kultivuar në oratori brilante që nga koha e “Koha Jone” të viteve autoritare të Saliut të I-rë. Tashmë kryeministër dhe i pangopur në pushtete. Arrogant elokuent, i pamëshirshëm në raport me opozitën, nga dhunues mediash në fjalor e ironi, tashmë në uzurpues të gjithçkaje mediatike, pasi ka lidhur shumicën e pronarëve me litarë interesash dhe eurosh 500-she. Trim dhe shantazues ndaj të vobektëve dhe bashkëpunues i përulur para oligarkëve.

Edi Rama përlau pushtetin ekzekutiv, parlamentar, mediatik, biznesin po se po. Tani ka futur tentakulat, me ndihmën e disa ambasadorëve, mbi mishin e prishur të sistemit të drejtësisë. Po e kap edhe sistemin e drejtësisë.

Tamam Sulltan, si Erdogan!

Nga ana tjetër kemi Lulzim Bashën, kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Djalosh europian, me kulturë krejtësisht emancipuese, i pa përzier në krime të organizuara, por i pavendosur, jo stoik dhe i thyeshëm. Faktet janë në sytë e popullit; iku nga çadra kur kërcëllonte dhëmbët para zyrës së Edi Ramës. U frikësua edhe vetë Basha, si dhe Rama që sillej nëpër zyrë i tmerruar nga turravrapi opozitar në maj 2017.

Edhe tani po fërgëllon “shpatën” kundër kryeministrit, por pakkush e beson. Eshtë djalë i mirë, por nuk e përdor forcën e madhe që ka me vete dhe pas vetes. Nuk po arrin të krijojë besim, karizma e tij stonon. Mundet i bën hije Sali Berisha, por prapë ka mundësi të shkëlqyera për të qenë alternativë pushteti me LSI. Luli (Basha) akoma nuk ka barutin opozitar që t’i bëjë të dridhen pushtetarët. Nuk po përbashkon demokratët dhe nuk po distancohet nga gabimet apo krimet e së kaluarës së pushtetit të PD-së.

Ndaj Edi Rama ecën ngadhnjitar duke “pushtuar” çdo institucion kushtetues.

S.P.

SHKARKO APP