Rudina Hajdari: Duhet ti bashkohemi studentëve. Ministri Majko: Përgëzoj studentët e protestës

Deputetë Rudina Hajdari (PD) dhe Pandeli Majko (PS) përgëzojnë studentët e protestës.

Statusi i Majkos është mesazh dhe për kolegët e tij në PS. Ja se ç’shkruan ministri i PS: “Gëzuar përvjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit, dhe Ditën e Ndryshimit. Sot “ndryshimi” lëviz midis një të majte reflektuese dhe një të djathte përkujtuese. Sot, kjo ditë festohet nga ata që duan dhe pranojnë ndryshimin. Sot studentët dhe politika “festojnë” të ndarë.

Faleminderit studentëve që na kujtuan se ndryshimi nuk shkruhet por ndodh. E majta reflektuese do ta bëjë dallimin. Ajo që vjen është mbi pushtetin që është. Jam i bindur”, shkruan Majko.

Një mesazh shumë kuptimësh, kushdo ta kuptojë.

Ndërsa për Sali Berishën ky i sivjetshmi dhjetor mund të jetë një dhjetor i dytë.

“Sot prej 4 ditësh kemi një dhjetor të dytë si asnjëherë tjetër universitetet e vendit kanë nisur një betejë të vendosur kundër një regjimi që quhet kakistokraci- nga greqishtja e lartë, më i keqi i të këqijve. Edhe ky regjim është regjimi i Edi Ramës. Mos dëgjoni ato që duan t’iu përçajnë, ju po luftoni si 28 vite me parë për drejtësi socialiste”, u shpreh Berisha.

Për pasardhësin e tij, në krye të Partisë Demokratike vetëm të bashkuar Edi Rama mund të rrëzohet nga pushteti.

“Mësimi i bashkimit është i qartë: E keqja sprapset dhe mposhtet sa herë që shqiptarët e ndershëm janë bashkë. Këtë bënë qytetarët tek Unaza e Re, këtë bënë studentë sot. Le të bashkohemi të gjithë për të pastruar vatrën e të keqes”, tha kreu i PD.

Lulzim Basha bëri një paralajmërim për zhvillimet politike të cilat presin vendin, duke e artikuluar në formën e një ultimatum politik.
“Le ta japim sot nga ky shesh ultimatumin politik si testament të Azem Hajdarit dhe të studentëve të Dhjetorit 1990, si dëshirë dhe aspiratë të çdo shqiptari pavarësisht bindjeve politike. Parlamenti shqiptar ose do të pastrohet nga krimi e t’i kthehet qytetarëve, ose do të rrëzohet! Do të rrëzohet! Do të rrëzohet!”, tha ai

E bija e Azem Hajdarit kërkoi të mos humbej kohë dhe të kalohej në veprime të menjëhershme. Rudina Hajdari propozoi që opozita t’i bashkohet protestës studentore tek Ministria e Arsimit, duke mos kursyer as mandatin e deputetes.

“Dua që sot t’i bëj një betim tim ati. T’i bëj një betim të rinjve sot. Unë jam gati të dorëzoj mandatin tim, t’u bashkohem atyre për luftën e tyre. Prandaj sheshi i demokracisë sot nuk është këtu është te Ministria e Arsimit. Të shkojmë t’u bashkohemi atyre. Nëse ata na bashkohen ose jo, ne duhet të shkojmë atje sot”, u shpreh Rudina Hajdari.

Kritikët e Bashës munguan në aktivitetin e Partisë Demokratike dhe të rinjve të forumit rinor, por këtë vit mungesë mori edhe bashkëshortja e Azemit, Fatmira.

Rudina Hajdari dhe Pandeli Majko folën. Ata përkrahën, të dy, protestën e studentëve. Kryeministri Rama duhet të lexojë ministrin e tij të Diasporës, i cili mbi të gjitha vendos parimin, të drejtën; dhe këto janë sot me studentët në protestë.

SHKARKO APP