Sa përqind elektorat nga PS i merr Ben Blushi, Edi Ramës, në zgjedhjet 2017?

Pas largimit zyrtar nga Partia Socialiste deputeti Ben Blushi ka nisur takimet me qytetarët në të gjithë vendin për krijimin dhe realizimin e projektit të ri politik. Gjatë kësaj javë ishte në Përmet dhe qytetin e Fierit. Në ditët në vijim priten takime të tjera me intelektualë, anëtar partie dhe qytetarë të zakonshëm që janë të zhgënjyer nga spektri politikë në vend dhe sidomos nga PS e Edi Ramës, që tashmë etiketohet si Rilindja.

Siç ishte njoftuar dhe më parë këto ditë pritet lançimi i partisë së re të Ben Blushit. Me kritikat, skepticizmin për nismën e tij dhe akuzat që janë bërë ndaj Blushit kryesisht nga Edi Rama, aksioni politik Blushi ka nisur. Më shumë se një aksion, është një stuhi që pritet të shpërthejë në politikën shqiptare nga fenomeni Blushi. Ka karizmën, eksperiencën dhe një pjesë jo të vogël të mediave pro idesë së tij. Ka një elektorat të majtë të zhgënjyer pothuaj totalisht nga kreu i PS-së. Ka një qeverisje të lodhur e në krisje, ka një bazë të PS-së e cila edhe për të gjetur zgjidhje të halleve të saj duhet të takojë një drejtues të PDIU pasi të gjitha postet po falen nga kryeministri Rama në këmbim të pazarëve në kupolë.

“Stuhia” Blushi më shumë do të krijojë turbullira në kampin e PS-së, aqsa do të rrezikojë seriozisht mandatet tradicionale të PS-së. Kjo për shkak se Blushi gjithë investimin e tij politik e ka pasur në këtë parti. Largimi i tij i detyruar, i cili ishte më shumë një përjashtim nga selia rozë, pritet të sjellë reflektimin e shumë figurave të tjera në këtë parti. Mimoza Hafizi është deputetja e parë që ju bashkua nismës së tij politike që në fillim, por duket se nuk do të jetë e vetmja. Janë mbi 10 deputetë të PS-së që po bisedojnë më Ben Blushin këto ditë për të kaluar në partinë e re të Blushit. Afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme pritet të sjellë skenarë të tjerë në Partinë Socialiste. Një pjesë e deputetëve aktualë pritet të mos jenë më në listat e ardhshme. Ndaj krijimi i partisë së Blushit do të shihet si një derë e majtë e hapur për vazhdimin e angazhimit të tyre politikë. Kjo edhe për faktin se elektorati nuk do t’i paragjykojë nëse kalojnë me Blushin. Ndërsa kalimi në një parti tjetër mund të ketë edhe kosto më të madhe për ta. Por Ben Blushi ka përjashtuar ardhjen e disa deputetëve të PS-së që janë të përzier me trafiqe apo që nuk kanë asnjë kontribut në fitimin e mandatit nga elektorati. Mësohet se një deputeti të PS-së që ka pak kohë që është prishur me Edi Ramën për ca pazare, Ben Blushi i ka thënë se “shko tek kapo i Rilindjes”.

Por veç emrave të deputetëve aktualë, ajo që do të tronditë selinë rozë do të jetë rrjedhja e elektoratit drejt partisë së re. Në të gjitha sondazhet e zhvilluara në Partinë Socialiste, Ben Blushi bën pjesë te emrat kryesorë si më i preferuari. Edhe në një takim të FRESSH kur u lakua emri i Blushit salla e duartrokiti përballë Edi Ramës. Tashmë që rrugët e Ben Blushit janë ndarë më PS-në zyrtare krijimi i një partie të re me drejtues Ben Blushin ka mbështetjen e elektoratit socialist. Përveç mbështetësve të ideve të tija politike tek e majta, Blushi ka edhe shumë faktor të tjerë plus në krijimin e partisë së re. Pjesa më e madhe e elektoratit socialist që do t’i bashkohet Blushit janë të zhgënjyerit dhe një elektorat që nuk ka besuar tek partitë. Numri i tyre është shumë herë më i madh sesa një vit më parë. Në fund të mandatit të parë të qeverisë “Rama”, ata që kanë mbetur të pa përfaqësuar janë pikërisht socialistët. Kjo masë e madhe socialistësh që janë pa shpresë dhe po aq të varfër sa në vitin 2013 pritet të jenë mbështetësit e një partie që realisht ka një projekt më afër qytetarëve.

Veç socialistëve, surpriza e forcës politike të re të Blushit do të jetë elektorati i paangazhuar në partitë e tjera. Është ajo masë votuesish që nuk shkon në mitingje dhe nuk ka asnjë teserë partie. Por kjo kategori votuesish është ajo që bën diferencën në zgjedhje. Nuk ndikohet nga emocionet politike, nga teserat e partive, të kuqe apo blu. Nuk gënjehet nga fjalimet e kryetarëve dhe nuk blihet për një thes miell në zgjedhje. Ky shtresë votuesish është ajo që mbështet idetë dhe njerëzit e duhur. Ndaj dhe idetë e Blushit duket se përfaqësojnë më së shumti këtë klasë votuesish që nuk ecën me llogarinë e militantëve, por mendohet mirë para se të hedh votën në kutinë e votimit.

Nga ana tjetër, Blushi pritet të ketë mbështetjet e intelektualëve dhe shoqërisë civile. Profili i tij politik, larg sherreve dhe përplasjeve pa sens politike e bën partinë e re që do krijohet më të besueshme për intelektualët. Aqsa politikan karriere, Blushi është dhe intelektual i një kalibri të lartë që ka lënë gjurmët e veta në media dhe letërsi. Është formati i një njeriu publik, që në strukturat e sotme të partive kryesore nuk i krijohet hapësirë. Madje, siç ndodhi dhe në rastin e tij, për shkak të ideve dhe pavarësisë e detyruan të vetëpërjashtohet nga PS. Deri në krijimin e partisë së re politike pritet të ketë jo pak surpriza nga e majta dhe jo vetë. Blushi sapo ka nisur rrugëtimin e tij të ri politik, i cili nuk do të jetë thjesht një parti e re, por një fenomen politik.

Blushi i heq PS-së së Edi Ramës pa as me të voglin lodhje të paktën 10 deputetë, ndërsa nëse masa gri e elektoratit angazhohet për të dhënë votën mandatet e partisë së Blushit shkojnë diku tek numri 12-15 deputetë.

Ben Blushit i heq një pjesë jo të vogël të elektoratit të PS-së së Ramës, i cili duhet pranuar se e filloi mjaft mirë qeverisjen, porse më pas ndau shumë kocka pushteti për parti jo të spektrit të majtë, duke e kthyer në pazar çam gjithçka në qeverisje. Përveç kësaj Rama nuk pranon, me një inat si të Saliut, që të bëjë ndryshime në qeveri, edhe kur e di se shumë ministra janë për dru e jo për të drejtuar. Dhe disa faje të tjera që publiku tashmë i di mirë,sepse e provon në kockë jetën e vështirë ekonomike, aqsa me zor sigurojnë jetesën.

Por akoma Ben Blushi nuk ka dhënë sinjale se si do të kandidojë partia e tij në zgjedhje 2017; vetëm apo në koalicion. Nëse vendos për koalicion  atëhere me kë, pasi dihet se me PD as që flitet, me PS me keq se me PD-në, me LSI apo krejt vetëm?

Stuhia “Blushi” ka filluar. Në PS kanë filluar të marrin “çadrat” nga rrebeshi Blushi.

Spiten Prulli

 

 

SHKARKO APP